Suksesi i Bajrush Xhemajlit me “Mjetet Ligjore”

Hamdi Rrustemi, i cili për më shumë se katër vjet pret ndëshkimin e përgjegjësit për humbjen e djalit 21 vjeç në maj të vitit 2009 në aksidentin që kishte shkaktuar tejkalimi i shpejtësisë nga ish-kryetari i Komunës së Ferizajt Bajrush Xhemajli, tha këtë javë në këtë gazetë se dhembja e familjes së tij vazhdon të thellohet nga fakti se drejtësia nuk vendoset për këtë rast.  

Gjykata Kushtetuese këto ditë ktheu në rishqyrtim rastin e Xhemajlit i cili ishte dënuar me dy vjet e gjysmë burg, por që ai kurrë nuk i ka zbatuar deri më tash. 

Rrustemi ka të drejtë të ndihet kështu.

Edhe pse i shpallur fajtor nga gjykatat rregullta, Bajrush Xhemajli vazhdon të gjejë “mjetet ligjore” që ia pamundësojnë atij vuajtjen e dënimit. 

Të njëjtat “mjete ligjore”, në anën tjetër, vazhdojnë ta lënë atë të lirë madje edhe në kryerjen e funksioneve politike si pjesëmarrja në zgjedhjet e brendshme të Partisë Demokratike të Kosovës dhe vendosja në pozita të larta të kësaj partie në pushtet.

Pas shpalljes fajtor nga gjykata e Qarkut në Prishtinë, dy vjet e gjysmë më herët, mbrojtja e Bajrush Xhemajlit fillimisht i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për pakënaqësitë me vendimin e shkallës së parë. Mirëpo autoriteti më i lartë i gjykatave të rregullta në Kosovë i ishte përgjigjur negativisht dy kërkesave ligjore të Bajrush Xhemajlit që t’i verifikonte shkaktarët tjerë të aksidentit. Në këtë mënyrë vërtetoi vendimin e shkallës së parë që kishte konstatuar si shkaktarë të mjaftueshëm tejkalimin e shpejtësisë nga Bajrush Xhemajli. 

Në mes-kohë, mjetet tjera ligjore të përdorura nga mbrojtja i mundësuan Bajrush Xhemajlit shmangien e vuajtjes së dënimit. Xhemajli i ishte drejtuar ish-Gjykatës Komunale në Ferizaj (tani Themelore) me kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të dënimit me burg për arsye shëndetësore, një sëmundje mushkërish, duke marrë aprovimin e saj. Me të njëjtën arsyetim, ai mori edhe masën e përkohshme nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës që e mbante në liri.

Gjithnjë me suksesin e “mjeteve ligjore”, Xhemajli në Gjykatën Kushtetuese mori edhe aprovimin për kthimin e rastit të tij në rishqyrtim me arsyetimin se nuk ishte aprovuar kërkesa e tij që të merrej mendimi edhe i një eksperti në lidhje me shkaktarin e aksidentit.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese ngrit çështjen nëse ajo është kompetente të përcaktojë se a kanë vendosur gjykatat e rregullta si duhet për provat në procedurë.

E para, edhe pse në arsyetimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese konstatohet se janë shkelur të drejtat e njeriut, realisht arsyetimi tregon se Kushtetuesja është futur në vlerësimin e gjendjes faktike, duke konsideruar që Xhemajlit është dashur t’i pranohen propozimet në procedurë. 

Realisht këtë ishte dashur ta bënte Gjykata Supreme, e cila është kompetente për të vlerësuar nëse kishte shkelje në shkallën e parë, gjithashtu nëse nuk ishte vërtetuar si duhet gjendja faktike. Mirëpo Gjykata Supreme, në të dyja rastet kishte vendosur se palëve iu ishte dhënë mundësia e prezantimit dhe ballafaqimit të provave në procedurë dhe gjithashtu kishte konstatuar se gjendja faktike ishte zbardhur.

Dhe e dyta, Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj i drejtohet Gjykatës Supreme që të rishqyrtojë lëndën. Edhe pse Gjykata Supreme kishte vendosur në instancë të fundit sipas mjeteve juridike, ishte ajo e qarkut (tani themelore) që kishte bërë shkeljen sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. 

Në bazë të kësaj, parimisht ishte dashur që rishqyrtimin e lëndës ta bëjë tani Gjykata Themelore e Prishtinës, jo ajo Supreme. Gjykata Supreme ka vendosur vetëm në bazë të mjeteve juridike, dhe nëse do të kishte shkelje në aplikimin e mjeteve juridike, atëherë do të ishte e duhur t’i kthehej Gjykatës Supreme.

Vet brenda Gjykatës Kushtetuese, kishte zëra të fuqishëm që kundërshtonin shkeljen eventuale të të drejtave të njeriut në rastin Xhemajli. Mirëpo në fund shumica kishte vendosur që rasti Xhemajli duhej të kthehej në rishqyrtim.

Edhe pse Gjykata Kushtetuese e Kosovës është mekanizëm i cili bën që vendimet e gjykatave të rregullta të jenë më kualitative dhe në përputhje më të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara më kushtetutën e vendit dhe konventat europiane, praktika e tillë rrezikon një precedent jo të mirë të funksionimit efikas të sistemit të drejtësisë, i cili vazhdon të jetë i stërngarkuar me numrin e madh të lëndëve  në gjykata.

Sido që të jetë, një gjë është e sigurt, Bajrush Xhemajli, i cili kishte pranuar një pjesë të fajësisë, do të vazhdojë të qëndrojë në liri edhe pas 4 vitesh nga aksidenti dhe ndërkohë aktivitetin politik në kryesinë e rregullt të partisë më të madhe në vend (PDK). 

Ndërsa drejtësi nuk merr familja e rëndomtë Rrustemi, edhe pse Qeveria e kësaj partie thotë se legjitimitetin e ka fituar nga qytetarët dhe punon në emër dhe për interesin e tyre.