Aventurierët Vendosin Kosovën në Hartë

Jeremy Cameron, një anglez në moshën gjashtëdhjetëvjeçare, ka ëndërruar të ec nga qyteti holandez, Hook of Holland e deri në Stamboll. Këtë verë, “Signal Books” publikoi librin e tij “Never Again” (Kurrë më) dhe siç sugjeron titulli, është një libër që të bën të mendosh dy herë për përpjekjet e kësaj sfide që ju mund të ëndërroni.

Është një tregim i dominuar nga flluskat në këmbë, vetmia dhe rruga e vështirë përgjatë autostradave të Evropës. Në mesin e shumë vështirësive, si pamundësia për të pirë një kafe si duhet, pjesa e Cameron-it për Kosovën lidhet me ngrohtësinë dhe pasurinë e përvojës së tij. 

Shtegu prej Holandës në Konstantinopojë ishte bërë i famshëm prej Patrick Leigh Fermor që ka udhëtuar (por jo nëpërmjet Kosovës) në vitin 1933 dhe ka shkruar për këtë në dy prej udhëpërshkrimeve më të mëdha të të gjitha kohërave. 

Tetëdhjetë vjet më vonë, Cameron, me sëmundje të zemrës, ka përfunduar ecjen e tij. Ai ka ecur 128 ditë, shtatë prej të cilave i ka kaluar në Kosovë. 

Ai përshkruan Prishtinën si një qytet “me jetë të vrullshme, tregti dhe debat”. Ai përshkruan me interes po ashtu traditën ku duhet shikuar njerëzit në sy kur pihet një dolli, për të shmangur shtatë vjet seks të keq. Ai përshkruan mikpritjen e një familjeje shqiptare ku ai ka qëndruar në Ferizaj dhe shoqërinë e mirë gjatë mbrëmjes në bujtinën “Hangjik” të saporinovuar e tradicionale në Kaçanik.

Është një tregim frymëzues për këtë vend nga dikush që ka kaluar në ndjekjen e një arritjeje më të madhe dhe e fundit në një seri ëndrrash të ngjashme që kam hasur gjatë kohës sime në Kosovë. Ekziston edhe frymëzuesi Rob Martineau – që ka vrapuar 1,000 milje prej Odesës e deri në Dubrovnik vitin e kaluar – përsëri nëpërmjet Kosovës – për ngritje të vetëdijesimit për trafikimin e fëmijëve. 

Merlini dhe Rebecca – një çift i talentuar prej ShBA-së që kanë vendosur të vizitojnë çdo shtet në Evropë dhe të kalojnë nga dy javë në secilin shtet – ‘pa përjashtime’. Kanë raportuar për dy javë në Kosovë në një blog frymëzues me foto të mahnitshme (Merlini) dhe reportazh të mrekullueshëm (Rebecca) që përfshinin një natë në një kullë, birra (që u ka pëlqyer) dhe cigaret (që nuk u kanë pëlqyer) në Prishtinë, bujtje te një familje në Rugovë, verë të Rahovecit dhe filigran të Prizrenit.

Një çift tjetër që kam takuar kur kanë udhëtuar nëpër Kosovë ishin Brett dhe Kimmi, të cilët kanë ngarë biçikletat që nga Londra e deri në Mellburn të Australisë, duke ngritur fonde prej udhëtimit për fondacionin ‘The Kindness of Strangers’ (Mirësia e të Huajve) dhe u kanë dhuruar OJQ-ve që kanë hasë në rrugë e sipër. OJQ-ja jonë, “The Ideas Partnership”, së bashku me dy të tjera në Kosovë ishim përfituese të fondeve, por ishim frymëzuar më shumë prej udhëtimit sesa prej parave.

Jam takuar me një çiklist tjetër të largësive të mëdha derisa ka kaluar nëpër Kosovë para disa vitesh. Udhëtimi i tij ka qenë edhe përjashta – nëpër Evropë – edhe përbrenda dhe derisa ai udhëtoi, ka dëgjuar muzikë të shkarkuar prej internetit. 

Kjo s’është për t’u habitur – do t’u duhet diçka që të ju shoqërojë gjatë rrugës. Por MP3-at që ka shkarkuar ky ishin transformime automatike të tekstit në zë nga Wikipedia. Çdo javë vjen një fushë ndryshe. Në ditën kur jemi takuar ishte te oqeanet dhe kur e kam përshëndetur pas kafes, derisa ai përgatitej me biçikletë dhe vendosi kufjet e pyeta: “Pra, çka do të dëgjosh gjatë rrugës sot?

“Kjo pjesë është për delfinë” më tha para se të nisej në rrugët e thata të shtetit më me pluhur në krejt Evropën.

Ai, si libri i fundit i Cameron-it, na kujton se sa lehtë dalim në çmenduri kur provojmë të arrijmë ëndrrat. Por paramendoni ndjenjën kur të arrish në Stamboll… çfarë është ëndrra jote në Kosovë këtë verë?

Elizabeth Gowing është bashkëthemeluesja e “The Ideas Partnership”, një OJQ kosovare që shfrytëzon fuqinë e vullnetarëve të luftojë sfida në edukim, trashëgimi kulturore dhe mjedis. Gjithashtu është autorja e “Travels in Blood and Honey; becoming a beekeeper in Kosovo” (2011) dhe “Edith and I; on the trail of an Edwardian traveler in Kosovo” (2013) – www.edith-and-i.com – për Edith Durham. Mund të kontaktohet në [email protected]