Makiato Për Një Botë Më të Mirë

Lëvizja për etikë në konsum bazohet në bindjen se ka rëndësi ku e shpenzoni paranë tuaj. Një myshteri që zgjedh mjaltin e vendit, një pasagjer që vendosë të udhëtojë me autobus, një familje që provon të zvogëlojë shpenzimin e rrymës…secili prej këtyre hapave të vegjël mund të bëjë një ndryshim. Atëherë, ku duhet të pini makiaton?

Kam një sugjerim nëse doni të harxhoni aty ku mund të bëni ndryshimin. X21 është një lokal i rehatshëm, në qendër, me çmime të mira. Mirëpo, përkundër se jeni të mirëpritur, stafi që merr porosinë tuaj, u bën kafenë dhe menaxhojnë inventarin e kafenesë janë të rinj që mund të kenë vështirësi për të gjetur punë në një biznes tjetër, sepse të gjithë ata jetojnë me sindromin Down.

Duke biseduar me Leonora Bajraktarin dhe burrin e saj, Dritonin, të cilët kanë ngritur Down Syndrome Kosova dhe kafenenë X21, e kupton se ç’sfidë është të jetosh me sindomin Down në Kosovë, ku vetëdija e përgjithshme për të është e ultë ndërsa keqinformimet dhe stereotipet gjenden gjithandej. 

“Duam të tregojmë se njerëzit me sindromin Down mund të jenë pjesë e shoqërisë, mund të punojnë dhe mund të jetojnë në mënyrë dobiprurëse për veten dhe familjet e tyre”, thotë Dritoni. 

Vajza e tij, Mjalta, është lindur me sindromin Down gjatë luftës. E shoqja, Leonora, tregon si është ulur në internet kafene në Prishtinë, menjëherë pas luftës, duke shkarkuar informata në gjuhën angleze për të kuptuar domethënien e diagnozën për fëmijën e saj. Ajo është grua e bukur dhe duket e vendosur, por kur flet për ato ditë ngjet e lodhur.“Nuk ka pasur informata në gjuhën shqipe në dispozicion dhe as përkrahje për mua si nënë”. 

Leonora dhe Dritoni u nisën që ta ndryshonin këtë: Leonora i ka kërkuar spitalit që t’ia përcjell numrin e saj çdo nëne që ka fëmijë me diagnozën e sindromit Down. Ata e themeluan OJQ’në e tyre në vitin 2007 dhe ngritën kafenenë X21 (emërtim që rrjedh nga kromozomi që shkakton sindromin Down) në vitin 2008.

Që atëherë, organizata e tyre ka punuar me rreth 600 fëmijë dhe të rritur me sindromin Down dhe ka ofruar mbështetje jetike për familjet, dhe mijëra ditë trajnimi për staf mjekësor dhe edukativ që mund të pajisin familjet me informata të sakta. Në Prishtinë, Ferizaj, Prizren, Mitrovicë dhe Gjilan ata tashmë kanë qendra me staf profesionist së bashku me studentë nga psikologjia dhe edukimi që punojnë si vullnetarë. Kanë siguruar që 52 fëmijë me sindromin Down, duke përfshirë Mjaltën, të regjistrohen në shkollat e rregullta.

Është frymëzuese, por Besniku që më shërben çaj, nuk e prezanton vetën si hero, edhe pse çfarë bën ai (si dhe duke më ndihmuar të ngrohen në një ditë me borë) është risi në Kosovë. Ai është njeri prej pesë kamerierëve të moshës 18-36 të punësuar në X21. ‘Me pëlqen të vij këtu. Pse të rri në shtëpi? Nuk ka çfarë të bëhet aty. Këtu rri me shokë të mi” shpjegon ai, para se të vazhdojë për t’i larguar gotat nga në një tavolinë tjetër. 

Paratë e ngritura prej kafenesë X21 ofrohen si mbështetje për fëmijët me të cilat punon Down Syndrome Kosova, si dhe për depërtimin tek familjet tjera. Njëzet e gjashtë fëmijë janë lindur me sindromin Down vitin e kaluar në Kosovë, dhe ndryshe nga Mjalta, ata fëmijë kanë mundësi për përkrahje të organizuar prej fillimit. Dritoni dhe Leonora dhe kolegët e tyre janë të vendosur që të kontaktojnë secilën familje, qoftë në fshat (ku Leonora më tregon qe ka shumë fëmijë me sindromin Down që familjet i mbajnë fshehtë) qoftë në qytet, në veri ose në jug të Ibrit, dhe pa dallim se çfarë gjuhë flasin. ‘Sindromi Down është një çështje që prek të gjithë në Kosovë, dhe të gjithë mundemi të ndihmojmë njëri-tjetrin”.

Kjo të përfshin edhe ty! Hajde, ta pimë nga një makiato, në  X21.

X21 gjendet mbas selisë së PTK’së në ‘Dardani’. Kah zyra e gazetës Express, vazhdo te Furra Elisa dhe aty kthehu majtas. Do të kesh arritur te një grup lokalesh në të djathtë ku gjendet edhe X21.

Elizabeth Gowing është autorja e Travels in Blood and Honey; becoming a beekeeper in Kosovo, të botuar vjet. Gjithashtu ajo është themeluesja e OJQ’së The Ideas Partnership, të regjistruar në Kosovë me punë në projekte arsimore, mjedisore dhe kulturore. Mund të kontaktohet në [email protected]