Mesatarja e Studimeve e Pavlefshme

Pranimi i kandidatëve për nivelin Master në Fakultetin e Edukimit në UP, pa përfillur notën mesatare të arritur gjatë studimeve bazike, ka nxitur reagimin e kandidatëve që kanë mbetur pa u regjistruar.

Gjithë pakënaqësitë janë shkaktuar pasi Rektorati kishte vendosur që të gjithë kandidatët t’i nënshtroheshin provimit pranues, duke shpërfillur mesataren e arritur në nivelin e studimeve bazike (bachelor). Aplikantë, të intervistuar nga gazeta JnK, kanë shprehur dyshimet se kjo i ka hapur rrugë parregullsive, me pranimin e studentëve me notë mesatare më të ulët, krahas atyre që kanë notë mesatare mbi 7.5.

Arlinda Islamaj, nga Deçani, e cila ka konkurruar për programin“Udhëheqja në arsim”, nuk është pranuar, përkundër mesatares 8.97 të arritur gjatë studimeve. Ajo është ankuar, por arsyetimi i komisionit ka qenë se numri i vogël i pikëve në gjuhën angleze i ka pamundësuar pranimin, me gjithë 40 pikët që kishte mbledhur në ese.

Dekani i Fakultetit të Edukimit, Hasan Mujaj, ka thënë se për shkak të numrit të madh të kandidatëve që kanë aplikuar dhe në konsultim me rektoratin, pas shpalljes së konkursit, kanë kërkuar që të gjithë aplikantët t’i nënshtrohen provimit pranues.

“Për të qenë sa më objektivë, dhe me interesimin që të pranohen më të mirët dhe më cilësorët, ne morëm qëndrim që të gjithë të futen në një provim pranues, për të bërë një përzgjedhje sa më kompetente dhe në nivel cilësor”, tha Mujaj, për Gazetën JnK.

Në konkursin për regjistrimin e studentëve në vitin e parë të studimeve postdiplomike – master për vitin akademik 2011-12 thuhet se “në rast kur numri i kandidatëve është më i vogël se numri i paraparë me konkurs, atëherë mund të pranohen edhe kandidatë me notë mesatare më të ulët se 7.50, por ata do t’i nënshtrohen provimit pranues”. Kriteret dhe kushtet e provimit pranues i përcaktojnë fakultetet.

Në komisionin për vlerësim kanë qenë profesorët Blerim Saqipi, Xheladin Zymeraj, Sabadin Qena, Bahtjar Kryeziu e Naser Pajaziti.

Fakulteti i Edukimit, para disa vjetëve ka pasur një program rikualifikimi “Pa shkëputje nga puna”, për rikualifikim të arsimtarëve që punojnë në shkolla fillore. Projekti i Ministrisë së Arsimit, që tash quhet “Avancim në kualifikim i mësimdhënësve”, ka të bëjë me arsimtarët që japin mësim në arsimin fillor deri në klasën e nëntë, dhe që kanë pasur studime dyvjeçare. Me këtë nivel të studimeve, nuk konsideroheshin më të kualifikuar sipas Ligjit mbi Arsimin e Lartë, por do të duhej të vazhdonin edhe dy vjet studime për të marrë diplomë të fakultetit përkatës dhe për të pasur sistemin e duhur prej 240 kredive.

Sipas dekanit Hasan Mujaj, në atë program është vlerësuar se janë dhënë nota shumë të larta, dhe numri më i madh i aplikantëve të sivjetmë ka qenë nga radhët e këtyre arsimtarëve.

“Ka qenë një vlerësim i përgjithshëm janë dhënë shumë nënta e dhjeta, meqë ishte pilot program nuk dihej a do të vazhdojë edhe më tutje. Mësuesit ishin të vjetër, shumica me nga 20 vjet përvojë pune. Kemi parë vitin e kaluar, 80 për qind ishin konkurrentë po ata. Kjo ishte arsyeja që bëmë përjashtim të futen të gjithë studentët në provim pranues”, ka thënë Mujaj.

Një kandidate për të njëjtin program, Lumturie Spahija, nga Ferizaj, ka treguar se komisioni i vlerësimit dhe komisioni ku është drejtuar ajo për ankesë kanë qenë të ndryshëm.

Spahija është duke pritur rezultatet pas ankesës, megjithëse nuk është shumë optimiste se do të pranohet. Ky ndërrim i komisioneve, sipas saj, lë të kuptohet se këto ankesa janë të hapura vetëm formalisht.

Në listën e kandidatëve që janë pranuar për regjistrim në vitin e parë të studimeve për vitin akademik 2011/ 2012, vetëm në programin “Udhëheqja në arsim” janë pranuar 19 kandidatë me notë mesatare nën 7.5, por që kanë arritur pikët e mjaftueshme me provim pranues. Ndërkaq në listën e studentëve të papranuar figurojnë 34 kandidatë me notë mesatare mbi tetë.

Provimi pranues në Fakultetin e Edukimit, ka qenë i ndarë në tri pjesë, sipas njoftimeve të dekanatit. Me 50 pikë maksimale është vlerësuar eseja në gjuhën shqipe, 30 pikë kërkesa motivuese dhe 30 pikë testi në gjuhën angleze. Ndërkaq në listat e pranimit, testi në gjuhën angleze figuron me 20 pikë mundësi mbledhjeje.

Në Fakultetin e Edukimit, për nivelin Master të studimeve kanë qenë të hapur programi “Udhëheqja në arsim” dhe “Mësimdhënie dhe kurrikula”.

Sipas zyrtares për shërbime të masterit, Vera Sopi, në këto drejtime kanë aplikuar 430 kandidatë, dhe vetëm 2% prej tyre kanë qenë prej fakulteteve private.