Kapet Grupi që Falsifikonte Para

Hetuesit e krimeve të rënda të Policisë në Prishtinë kanë arrestuar tre persona, të cilët dyshohen për krim të organizuar dhe falsifikim të parave.

Gjatë bastisjes në dy lokalitete janë gjetur një sasi e bankënotave të falsifikuara dhe një revole me fishekë.
 
Informacionin për disa persona që dyshohej se merreshin me veprimtari kriminale, policia e kishte marrë kohë më parë.

“Drejtoria për hetime të krimeve të rënda, në vazhdimësi të hetimeve të këtij rasti, më 9 dhe 10 nëntor ka realizuar një operacion policor në zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale të Prishtinës, me ç’rast ka arrestuar tre persona me dyshimin e bazuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprat penale ‘krim i organizuar’ dhe ‘falsifikim i parave’”, ka njoftuar policia.

Gjatë këtij operacioni policor janë arrestuar: I. S. (1952); I. D. (1987) dhe F. B. (1969), të gjithë shtetas të Kosovës.
 
Gjatë këtij operacioni policor janë bastisur edhe dy lokalitete, në rajonin e Prishtinës, me qëllim të gjetjes së provave materiale, që ka rezultuar me konfiskimin e një sasi bankënotash të falsifikuara dhe armatim.
 
Policia ka saktësuar se janë konfiskuar 51 bankënota të letrës në vlerë 100 euro, të falsifikuara, gjithsej 5 100 €uro; bankënota të tjera të falsifikuara me ngjyrë të kuqe; një revole e tipit “TT” me karikator dhe 66 fishekë, si dhe të hollat që janë përdorur në blerjen e simuluar.

Me autorizim të prokurorisë, personave të arrestuar iu është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve, për të vazhduar me procedurat e tjera hetimore.