Debat i Nxehtë për Raportin e Progresit

Opozita në parlament ka kritikuar ashpër qeverinë për raportin e progresit për Kosovën duke theksuar se ky dokument paraqet një pasqyrë tjetër nga ajo se si e ka paraqitur qeveria.

Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të LDK’së tha se në raport paraqiten shkelje serioze gjatë zgjedhjeve gjë që, sipas tij, kanë gjeneruar një qeveri të pakredibilitet.

“Kemi një qeveri që politizon ndërmarrjet publike, një qeveri melagomane me 19 ministri si dhe një qeveri që bën presion mbi mediet,e sidomos tek ato hulumtuese,” tha Beqiri.

Visar Ymeri nga Vetëvendosje tha se qeveria nuk është e aftë për të krijuar një strategji të mirëfilltë ekonomike.

“Kjo qeveri nuk është e aftë të dizajnojë dhe të implementojë një strategji të mirëfilltë ekonomike.. për më tepër qeveria ka marrë hapa që e kanë dëmtuar ekonominë,” tha Ymeri.

Ndërsa, Ardian Gjini nga partia opozitare, AAK tha se është fyese ti thuhet qytetarëve të Kosovës se Komisioni Europian ka evidentuar progres në Kosovë. Ai foli për sundimin e ligjit.

“Sundimi i ligjit është të mos punësohen të afërmit dhe miqtë e pushtetarëve nëpër vende kyçe […] E mira do të ishte nëse kjo qeveri jep dorëheqje e me ec vetë,” tha Gjini.

Mirëpo, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se debati që po ndodh është i njëanshëm dhe pretendues elektoral duke shtuar se qeveria distancohet nga ky trajtim. 

Ai  tha se raporti i progresit është për tërë Kosovën dhe jo vetëm për qeverinë. “Gjithçka që i takon ekzekutivit, e marrim përgjegjësinë e plotë. Ndërsa nga diskutuesi i mëhershëm u harrua gjithçka që diskutohet për legjislativin, dhe gjyqësorin, dhe gjithçka nga këtu u mundua të vihet në barrë të Qeverisë së Republikës së Kosovës,” tha kryeministri Thaçi.

Ai përsëriti se Kosova do të ketë edhe një udhërrëfyes zyrtar nga ana e Komisionit Evropian ‘ i cili obligim përcakton standarde dhe veprime të caktuara’ duke shtuar se përmbushja e këtyre kritereve do t’iu mundësoj Kosovarëve të udhëtojnë pa viza.

Përmbushja e këtyre kritereve do t’iu mundësoj qytetarëve të Republikës së Kosovës të udhëtojnë të lirë dhe pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.

Në një fjalim të gjatë, Thaçi theksoj se kriza politike në vend që ka zgjatur për më tepër se pesë muaj, qeveria e ka pasur të vështirë t’i kryej obligimet qeveritare.

Këtë debat e kishte kërkuar Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK e cila tha se qëllimi për këtë ishte njfotimi i qytetarëve për përmbajtjen e raportit. LDK’ja po ashtu ka kërkuar nga kuvendi që të votohen rekomandimet e tyre për punën ë mëtutjetshme të qeverisë për integrimet në BE.

Por, në mungesë të kuorumit, kuvendi i Kosovës nuk mundi ti fus në votim rekomandimet e LDK’së e cila do të detyronte qeverinë që të raportoj për çdo tre muaj para kuvendit për plotësimin e kritereve për përafrim me BE’në. 

Megjithatë, kryetari kuvendit Jakup Krasniqi tha se ato rekomandime mund të jenë pjesë e Planit të Veprimit të Kuvendit mbi gjetjet e raportit të progresit për vitin 2012, të cilin do ta miratojë Kuvendi në të ardhmen.