Bullgaria shtyn emigrantët drejt Perëndimit

“Ç’krim kam kryer që të mbahem i burgosur?” “Kur do të më lirojnë? Më thonë gjashtë muaj, pse gjashtë muaj?” “Me ç’arsye më mbajnë? Jam refugjat, jo kriminel”.

Vizita në burgun e Liubimetsit pranë kufirit turko-bullgar kërkon njerëz me zemër të fortë. Brenda pak çastesh, ata pak vizitorë që shkojnë aty rrethohen nga dhjetëra emigrantë të zemëruar që bëjnë të njëjtën pyetje në gjuhë të ndryshme: “Pse jemi në burg?”

“Nuk e kuptojmë pse na burgosin. Nuk na ka takuar askush. Askush s’na shpjegon se ç’po ndodh,” bërtet një tunizian rreth 20 vjeç.

Një tjetër, algjerian rreth 30 vjeç, e ndërpret: “I di të drejtat e mia. A jeni ju [Bullgaria] në Bashkimin Europian? I di rregullat; nuk keni të drejtë të më fusni në burg.”

Bullgaria aktualisht i ka burgosë 1.000 azilkërkuesit që pret mesatarisht çdo vit në dy qendra sigurie, në Liubimets dhe në një qendër në Busmansti, pak larg kryeqytetit Sofje.

Shumica janë burgosë prej muajsh të tërë, diçka që është kundër ligjeve të Bullgarisë si dhe rregulloreve të Bashkimit Europian.

Ndërkohë që Bullgaria nuk po e menaxhon si duhet sistemin e vet të azilkërkimit, shumë veta frikësohen se gjendja mund të përshkallëzohet jashtë kontrollit kur Sofja t’i bashkohet zonës së Shengenit ku s’ka kontrolle ndërkufitare.

Kur të ndodhi kjo, numri i emigrantëve që i drejtohen Bullgarisë pritet të rritet dramatikisht, ngaqë mijërat e atyre që aktualisht kalojnë kufirin ilegalisht në Bashkimin Europian përmes kufirit turko-grek mund të vendosin t’i bien nga Bullgaria për në Perëndim.

Arrestimi, “i vetmi opsion”

Zyrtarët qeveritarë e pranojnë se po shkelin rregulloret e Bashkimit Europian dhe ligjet e vendit, por këmbëngulin se mund të sistemojnë vetëm 400 azilkërkues njëkohësisht në qendra të dedikuara të hapura pritjeje.

Nikola Kazakov, drejtori i Agjencisë Shtetërore për Refugjatët, thotë se ata janë të detyruar t’i burgosin azilkërkuesit sepse thjesht nuk kanë vende mjaftueshëm jashtë këtyre njësive të sigurisë.

“Problemi më i madh në sistemin bullgar të pritjes është kapaciteti i ulët i qendrave të hapura të pritjes, kështu që jemi të detyruar t’i mbajmë njerëzit që kanë kërkuar për status refugjati në kampe të mbyllura,” thotë ai.

“Po, është kundër standardeve minimale për pritjen e azilkërkuesve, por ky është kapaciteti i Bullgarisë.”

“Tetë afganë të kapur duke kaluar ilegalisht në Bullgari nga kufiri turk (Foto: ministria e brendshme bullgare)

Edhe ministria e brendshme e Bullgarisë ka pranuar se nuk po plotëson as standardet minimale të Bashkimit Europian. Në mars të këtij viti, ajo publikoi një  strategji draft që përshkruante në hollësi dështimet e sistemit, përfshi mungesën e vendeve rezidenciale për azilkërkuesit.

Kërkesa e Sofjes dhe Bukureshtit për t’iu bashkuar zonës Shengen u shty në shtator, mbasi Hollanda dhe Franca kundërshtuan për arsye se të dyja nuk janë në gjendje t’i sigurojnë kufijtë e vet.

Antarët e Shengenit nuk duan të shohin një përsëritje të situatës greke, ku vetëm më 2010 kaluan ilegalisht kurifin turko-grek 41.000 emigrantë, me shpresën e kalimit në Europën Perëndimore.

Zyrtarisht, rastet e azilit në Bullgari duhen vendosë brenda gjashtë muajsh. Në praktikë, aplikimet i nënshtrohen vonesave të shpeshta, zgjatjeve dhe apelimeve të lodhshme gjyqësore.

Zënë në kurth në qendrat e burgimit ndërkohë që proceset e aplikimit zvarriten, shumë azilkërkues thjesht duan të lirohen dhe të provojnë fatin në Bullgari ose përtej kufijve të saj.

Që të lirohen, azilkërkuesit duhet të nënshkruajnë deklarata ku thonë se kanë strehim të sigurtë dhe janë të aftë financiarisht të mbajnë veten. Shumica thjesht shpikin adresa.

“Njëri prej tyre kishte futur adresën e Kryqit të Kuq bullgar, që e pa në një fletëpalosje, dhe u lirua, por pastaj nuk kishte vend ku të jetonte,” thotë Linda Auanis, irakiane që është drejtuese e Këshillit të Grave Refugjate. “Afganët thonë se dinë një apartament në Sofje ku, sipas të thënave, “jetojnë” 20 njerëz.”

Shumica janë të pavetëdijshëm se kur i nënshkruajnë këto dokumente ata gjithashtu heqin dorë nga e drejta për çdo lloj mbështetjeje materiale – përfshi strehimin – nga shteti prej atij momenti.

Nuk ka mënyrë të tërhiqen këto deklarata kur nënshkruhen. Azilkërkuesit duhet  t’i dalin për zot vetes, megjithëse nuk mund të jenë në gjendje të punojnë apo të marrin ndonjë mbështetje nga shteti.

“Jam në rrugë të madhe prej disa muajsh. Ha një herë në dy ditë, çkado që më japin. Kam humbë më shumë se 10 kile. Askush nuk më ka thirrë për intervistë [për aplikimin për azil] dhe procedura po zgjatet e po zgjatet,” thotë një iranian 20-vjeçar që nuk pranoi të jepte emrin e vet.

6.000 vetë të humbur “në Europë”

Të detyruar të zgjedhin mes lypjes në rrugë, punës së paligjshme apo vjedhjes, s’është e habitshme që të duket sikur edhe ata që dëshirojnë të rrinë në Bullgari vendosin të provojnë fatin e tyre në vendet europiane.

Prej vitit 2000 e deri tani, rreth 6.000 nga 15.000 aplikime janë anulluar. Këta 6.000 njerëz janë zhdukë nga sistemi dhe autoritetet bullgare nuk ia kanë idenë se ku janë.

“Një numër i madh azilkërkuesish që përfunduan në Bullgari në të vërtetë ishin tranzit për një vend tjetër, kështu që mund të hamendësojmë se këta njerëz, procedurat e të cilëve janë anulluar, kanë ikë në vendet e tjera të Bashkimit Europian,” thotë Iliana Savova, avokate që punon për Komitetin bullgar të Helsinkit.

Gjithsesi, shumica prej atyre që kanë ikë në vendet e tjera do të ishin kthyer mbrapsht në Bullgari, ku duhet të rinisin aplikimin për azil ose të kthehen në vendin e lindjes.

Prej vitit 2003, e ashtuquajtura Rregullore e Dublinit ka hyrë në fuqi mes vendeve të Bashkimit Europian, duke ia mundësuar vendeve t’i kthejnë azilkërkuesit në shtetin e parë antar ku kanë aplikuar për status refugjati.

Bashkimi Europian ka krijuar një databazë europiane me shenja gishtash – EURODAC – dhe shtetet antare janë të detyruar të sigurojnë që ajo të përmbajë shenjat dhe të dhënat e tjera për çdo emigrant për të lehtësuar këto kthime.

Payami, jo emri i tij i vërtetë, thotë se ishte torturuar nga policia në vendin e tij Iran gjatë shtypjes që i bëri shteti reformistëve gjatë zgjedhjeve të diskutuara të vitit 2009.

Ai në fillim aplikoi për status refugjati në Sofje por ia doli të shkonte në Angli, ku ka të afërm. Tre muaj më vonë e kthyen në Bullgari dhe tashti ai mendon se aplikimi i tij do të paragjykohet sepse u përpoq të shkontë në Mbretërinë e Bashkuar.

Pesë muaj mbasi u kthye në Sofje, aplikimi i tij i dytë për azil pret ende të regjistrohet zyrtarisht nga autoritetet. Përgjatë kësaj kohe, ai nuk ka qenë në gjendje të marrë me qira ndonjë apartament, të tërheqë para nga llogaria bankare dhe mund të dërgohet në njërën nga qendrat e burgimit nga çasti në çast.

“Kjo s’është jetë; është e vështirë të durohet… Do të preferoja një burg në vendin tim ku torturohesha në gjithfarë mënyrash,” thotë ai.

Bullgaria nuk i jep kushte të veçanta rezidence pretenduesve që s’mund të deportohen sepse vendi i tyre i origjinës, dhe prandaj edhe rasti i azilkërkimit, nuk mund të përcaktohen.

Të pazot t’i riatdhesojnë këta njerëz, shumica e vendeve mund të vendosin t’u japin leje të veçantë qëndrimi apo “status tolerance” që të paktën ua mundëson aplikantëve të vendosen diku dhe të punojnë.  Bullgaria nuk ka mekanizma të tillë ligjorë dhe ngurron të fillojë t’i përdorë.

“Kjo mund t’u japë status ligjor personave potencialisht të rrezikshëm,” shpjegon Dragomir Petrov, drejtor i Direktoratit të Emigrimit brenda ministrisë së brendshme bullgare.

Imigrantët “të kriminalizuar”

Kjo do të thotë që shum azilkërkues në Bullgari janë në grackën e një rrethi vicioz aplikimi, mospranimi, apelimi dhe riaplikimi – ndërkohë që s’janë në gjendje të punojnë, të marrin përfitime, të vendosen diku apo të integrohen.

Muhamedi, afgan rreth të 30-ave, ka qenë në Bullgari për 12 vjet. Ai ende pret vendimin përfundimtar të kërkesës për azil pasi ka paraqitë tetë aplikime të veçanta.

“Nuk mundem dhe nuk do të kthehem në Afganistan, ku rrezikoj jetën. S’e përballoj t’i paguaj trafikantët për të më çuar nga Bullgaria në ndonjë vend tjetër europian. Mund të punoj ilegalisht këtu por autoritetet po ia marrin shpirtin pronarëve që punësojnë të paligjshmit. Ç’të bëj tjetër, të vjedh apo të bëhem kriminel?” pyet ai.

Mesatarisht, rreth 600 njerëz kalojnë ilegalisht kufirin turk për në Bullgari çdo vit. Kalimet organizohen nga trafikantë që veprojnë në Turqi, që thuhet se marrin rreth 1.000 euro për t’u treguar emigrantëve se si dhe ku ta kalojnë kufirin.

“Është si të jesh në një treg, shkon dhe zgjedh trafikantin varësisht nga vendi në Europë ku dëshiron të shkosh dhe se sa ke aftësi të paguash,” thotë Farhati, afgan rreth të 20-ave që kaloi në Bullgari përmes kufirit turk më 2001.

Shumica zgjedhin të shkojnë në Greqi, shtet antar i Bashkimit Europian që është pjesë e zonës Shengen.

Kriza greke

“Pesë afganë fotografuar pak orë mbasi kanë kaluar ilegalisht kufirin greko-turk (Foto: Juliana Koleva)

Gjendja në Greqi është e vështirë, ku mijëra emigrantë, shumica të larguar nga konfliktet e dhunshme dhe varfëria e skajshme në vende si Afganistani, Kongoja, Iraku dhe Libia, janë dyndur nga kufiri me Turqinë.

Amnesty International, Komiteti Europian për Parandalimin e Torturës dhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg kanë kritikuar ashpër politikën e Athinës kundrejt azilkërkuesve.

“Azilkërkuesit dhe emigrantët e parregullt nuk janë kriminelë. Prapseprap, autoritetet greke i trajtojnë ata si të tillë, duke shpërfillë të drejtat e tyre sipas ligjit ndërkombëtar. Aktualisht, emigrantët arrestohen në mënyrë të rregullt, pa marrë parasysh se a janë të nevojshme këto masa.

“Arrestimi i azilkërkuesve dhe emigrantëve me arsyen e statusit të tyre të parregullt duhet të jetë gjithmonë zgjidhja e fundit,” lexohet në një raport të Amnesty-së botuar në korrik 2010.

Greqia iu përgjigj këtij kritikimi duke pranuar mungesat në sistemin e saj, por theksoi se nuk kishte mjete për t’u marrë si duhet me sasinë e madhe të njerëzve – 41.000 vetëm në vitin 2010 – që kalonin kufirin e saj.

Athina nënvizoi se problemi lidhej me krejt unionin, ngaqë sipas FRONTEX-it, misioni i sigurisë së kufijve i Bashkimit Europian, 90 përqind e atyre që hyjnë në shtetet antare ilegalisht e bëjnë këtë përmes Greqisë dhe kufirit greko-turk.

“Është e padrejtë të gjykohen çështjet e menaxhimit të emigrimit të paligjshëm si çështje ekskluzivisht greke. Për këtë arsye, neve na duket nxitës fakti se kohët e fundit kjo u pranua si një çështje mbarë-eurpiane,” thotë qeveria greke.

FRONTEX-i menaxhon operacionet në kufijtë e unionit dhe tashti ka një prani të fortë në Greqi për të dhënë mbështetje në influksin e emigrantëve të paligjshëm.

Megjithatë, edhe pse është rritë siguria në kufij, emigrantët prapseprap ia dalin të futen në Greqi duke ndryshuar itinerare dhe pika kalimi.

“Pasi arritëm kontrollin mbi kufirin tokësor, influksi u zhvendos në lumë dhe në çerekun e parë të vitit 2011 ishin 11.200 emigrantë të paligjshëm që kaluan në këtë mënyrë,” thotë Georgios Slamagkas, shefi i policisë në Orestiada, qytet grek në kufi me Bullgarinë dhe Turqinë.

Janë të paktë njerëzit këtu që patrullat ta ndalojnë rrjedhën e emigrantëve të dëshpëruar të shkojnë në Perëndim.

Bullgaria, Greqia e ardhshme?

“Kam shpresa të mëdha që antarësia e Bullgarisë në zonën Shengen do ta zvogëlojë presionin ndaj nesh,” thotë një kufitar grek me kusht anonimiteti.

“Do të ndërtojmë një mur përgjatë kufirit 12 km me Turqinë, do të forcojmë kontrollin mbu lumë dhe do ta ridrejtojmë rrjedhën e emigrantëve nga Bullgaria.”

Sheshi Omonia në Athinë

Ai mandej buzëqesh, duke shpjeguar se shpesh preferon ta mbyllë ditën e punës duke gjurmuar kufirin tokësor prej 210 km mes Turqisë dhe Bullgarisë në hartat e Google-it.

Ndërkohë që kjo mund të duket mizore, numri i madh i azilkërkuesve në Greqi rezulton në lagje të tëra të kryeqytetit që bëhen efektivisht zona të paaksesueshme.

Sheshi Omonia është pjesë e qendrës historike të Athinës dhe dikur ishte shesh popullor për vendorët dhe turistët. Sot, dyqanet dhe hotelet janë mbyllë ngaqë zona është pushtuar nga emigrantët, shumica prej të cilëve janë detyruar të mbushin ndërtesat e braktisura ose edhe të flenë nëpër rrugë.

Banorët lokale frikësohen të shkojnë atje gjatë natës sepse thonë se përqindja e krimeve është rritë dramatikisht. Ata janë të zemëruar edhe pse prania e emigrantëve i pengon turistët të harxhojnë para në bare, hotele dhe kafene.

“Gjithnjë e më shum biznese lokale dhe dyqane falimentojnë; në fillim të vitit dy nga hotelet më të mëdhenj, secili me nga 150 deri në 200 dhoma, u mbyllën sepse turistët anullonin rezervimet. Emigrantët i frikësojnë sepse ndodh shpesh të grabitesh, kriminaliteti po bëhet gjithnjë e më keq,” ankohet një i ri grek që ka një dyqan suveniresh afër sheshit Omonia.

Grekët protestojnë rregullisht, duke i kërkuar autoriteteve të marrin kontrollin e sheshit Omonia. Kryetari i bashkisë i Athinës, Giorgos Kaminis, kohët e fundit paralajmëroi se nëmos të ndërhyjë shteti, sheshi Omonia do të kthehet në një “zonë luftë të ngjashme me Bejrutin gjatë viteve 1970”.

Por situata nuk duket se ka gjasa të ndryshojë tani shpejt kur autoritetet greke kanë një regjistër prej më se 55.000 aplikimesh për azil, sipas shifrave të ministrisë së brendshme.

Çështja e refugjatëve dhe emigrantëve ekonomikë është tejet kundërthënëse në shumë vende të Europës Perëndimore, ku ndjenjat anti-emigracion janë në rritje dhe politikanët duhet të sillen si “të fortë” kundrejt azilkërkuesve “të rremë”.

Perëndimi është më i miri?

Përplasja diplomatike mes Serbisë, Maqedonisë dhe Belgjikës në fillim të vitit 2010, ku Brukseli kërcënoi heqjen e lëvizjes së lirë pa viza, ishte vetëm një nga një varg i gjatë mosmarrveshjesh lidhur me kontrollimin e rrjedhës së emigrantëve nga Europa Lindore drejt Perëndimit.

Por nuk është fort e çuditshme që emigrantët duan të shkojnë në vende si Belgjika – qoftë me aplikime azili të vërteta apo të rreme – duke pasë parasysh përfitimet që u jepen emigrantëve nga momenti që vënë këmbën aty.

Ashtu si Greqia, Belgjika merr mijëra aplikime për azil. Më 2010, 19.941 emigrantë aplikuan për status refugjati, plus 13.493 që kërkuan azil në Belgjikë vetëm në shtatë muajt e parë të vitit 2011.

Prapseprap, në tërësi, imigrantët strehohen menjëherë ose në qendra të hapura të specializuara, qendra emergjence si për shembull garnizonet e përshtatura ushtarake, ose në motele apo hotele me kosto të ulët.

Mesatarisht, aplikimet për azil do të zgjidhen brenda gjashtë muajsh me mundësinë e apelimit më vonë. Pas katër muajsh në vend, pavarësisht nga statusi i tyre zyrtar, ata mund të marrin pjesë në klasa integrimi dhe gjuhe.

“Jam shum i lumtur sepse e mora statusin ligjor shpejt, brenda gjashtë muajsh,” thotë Asadullah Peimani, afgan rreth të tridhjetave që ka jetuar në Belgjikë prej një viti.

“Vendet duhet të marrin vendime të shpejta, pavarësisht nëse janë kthime, njerëzit duhet ta dinë se si e kanë të ardhmen,” thotë ai.

Me qëllim që të zbusin vështirësitë financiare, belgët miratuan një ligj të ri më 2010 që ua mundëson azilkërkuesve të punojnë ligjërisht, duke ua mundësuar të mbajnë veten, gjashtë muaj pas ardhjes në vend, edhe nëse po presin vendimin e aplikimit të tyre.

Në përputhje me rregullat e Bashkimit Europian, Belgjika nuk i arreston përgjithësisht emigrantët e paligjshëm. Të vetmit njerëz që mund t’i mbajë në qendrat e paraburgimit janë ata që kapen në kufi, dhe kjo është ligjërisht e mundshme sepse ata nuk kanë hyrë ende në vend.

“Ata janë pakicë, shumica e azilkërkuesve i dorëzohen autoriteteve brenda vendit… [ata që kapen në kufi] mund të mbahen në qendra të mbyllura deri në dy muaj, por procedurat administrative janë të shpejta dhe një vendim fillestar duhet marrë brenda dy javësh,” thotë Tristan Wibault, avokat pranë Komitetit Belg për Ndihmë Refugjatëve.

Pas dëgjimit të vendimit fillestar brenda dy javësh, rasti në fund duhet mbyllë brenda dy muajsh, pikë në të cilën aplikanti ose duhet deportuar ose i jepet leja e qëndrimit.

Integrim përkundër arrestimit

Në dallim të thellë ndaj Bullgarisë e Greqisë, Belgjika ka zhvilluar edhe programe të përparuara orientimi social që i informojnë emigrantët lidhur me institucionet e ndryshme, përfitimet, ligjet dhe se si vepron në përgjithësi vendi. Klasat mbahen në 15 gjuhë të ndryshme, përfshi anglishten, rusishten, farsin dhe arabishten.

Nxitja e emigrantëve, përfshi azilkërkuesit, të bëjnë punë vullnetare është pjesë e rëndësishme e sistemit në Belgjikë.

“Integrimi më i suksesshëm i të sapoardhurve rrjedh nga një nismë e thjeshtë, organizimi i punës vullnetare. Ne i mbështesim ata që marrin pjesë në kurset tona të gjejnë punë vullnetare, që të mund të praktikojnë gjuhën dhe të vënë lidhje. Njerëzit e shohin se ata po punojnë fort dhe iu ofrojnë punë më lehtë,” thotë Eric de Jonge, drejtor i qendrës së integrimit BON në Bruksel.

Ndërkohë që modeli belg tregon përgjithësisht një praktikë të mirë, ai është biznes i shtrenjtë.

Vetëm në pjesën flemish të Belgjikës ka tetë qendra integrimi dhe secila kushton 4 milion euro të mbahet në vit.

“Ne [qeveria flemish] harxhojmë rreth 50 milion euro në vit për integrimin e të huajve… pjestuar me 41.000 njerëz që përfitojnë nga programet [çdo vit], nuk është edhe aq shum,” thotë Leen Veraest, nëndrejtore e shërbimit të integrimit të qeverisë flemish.

Ndërkohë që thekson se kurset kanë vlerë të mirë, ajo shpejt shton se ende nuk kanë fonde të mjaftueshme për t’u dhënë mësim të gjithëve.

Rumania para të tjerëve

Rumania është një kandidate tjetër për në Shengen që aktualisht merr një numër të ngjashëm aplikimesh nga refugjatët me Bullgarinë fqinje.

Bukureshti, gjithsesi, është më në gjendje t’i strehojë azilkërkuesit ngaqë vendi ka pesë qendra pritjeje që mund të mbajnë 1,200 njerëz për një herë.

Ndërkohë që përqindja e refuzimit të azilit është e lartë, Rumania jep status tolerance në mënyrë që azilkërkuesit, rastet e të cilëve s’mund të zgjidhen dhe ata s’mund të deportohen, të mund t’u jepet leje qëndrimi pa afat.

Rumania gjithashtu është disa hapa përpara Bullgarisë kur bëhet fjalë për integrimin, sipas një studimi bërë nga Indeksi i Politikës së Integrimit të Migrantëve (MIPEX) të Këshillit Britanik.

MIPEX nënvizoi se Bukureshti, ndryshe nga Sofja, u jep azilkërkuesve të vet akses relativisht të papenguar në tregun e punës sapo të kalojë një vit nga qëndrimi i tyre në vend. Përveç kësaj, emigrantët mund të marrin shtetësi rumune pa e dorëzuar shtetësinë fillestare.

Ndërkohë që kjo tingëllon shum pozitive, mbetet fakti se Rumania nuk ka gjasa të përballet me numrin e azilkërkuesve dhe emigrantëve në krahasim me Bullgarinë kur kjo të bashkohet me zonën Shengen. Pozita e saj gjeografike nënkupton se nuk ka gjasa që të jetë cak i emigrantëve të paligjshëm që kalojnë në Europë përmes Turqisë.

“Nuk presim ndonjë rritje në aplikime për azil pas antarësisë në Shengen, Rumania është vend i varfër dhe kjo është arsyeja pse nuk është tërheqëse [për emigrantët],” thotë Carolina Marin, avokate që punon me agjencinë e refugjatëve të OKB-së në Bukuresht dhe për AEQUITAS, një OJQ që punon me azilkërkuesit në Rumani.

Përveç kësaj, profili i Rumanisë në lidhje me emigrimin ndryshon tepër në krahasim me ato të Greqisë dhe Bullgarisë. Shumica e emigrantëve, përfshi azilkërkuesit, vijnë nga ish-republikat sovjetike si Moldavia dhe Ukraina fqinje.

Rumania gjithashtu ka gjasa të mbetet destinacion tranzit për shumicën e emigrantëve që përpiqen të shkojnë në Perëndim.

“Mendoj se shumica e emigrantëve të paligjshëm do të përpiqen të kalojnë përmes Rumanisë pa u regjistruar aspak,” thotë Andreea Mocanu, këshilltar ligjor pranë Këshillit Kombëtar për Refugjatët.

Trafikantët ua hedhin patrullave kufitare

Ndërkohë, Sofja këmbëngul në hyrjen në zonën Shengen, duke mëtuar se çdo gjë tjetër do të nënkuptonte se Bullgaria efektivisht është një antare e rangut të dytë të klubit të Bashkimit Europian.

Por për sa kohë që Bullgaria fokusohet vetëm në pengimin e emigrantëve ndaj kalimit të kufijve të saj e jo në krijimin e një sistemi solid të trajtimit të rrjedhës së emigrantëve, duket e pashmangshme se ajo do të dështojë në pengimin e valës së refugjatëve të ardhshëm që i drejtohen Perëndimit.

“Përvojat e mëparshme tregojnë se ndërtimi i mureve dhe kontrollet më të ashpra kufitare nuk janë masa të përshtatshme për zgjidhjen e problemeve të refugjatëve dhe emigrantëve – trafikantët thjesht do të gjejnë mënyra të tjera për t’i çuar njerëzit në Europë,” thotë Mauro Longo, regjisor dhe aktivist i lidhur me Alternativat Europiane, një organizatë me qendër në Londër që organizon konferenca, festivale artistike dhe simpoziume mbi çështjet botërore të refugjatëve.

Tani është koha që Bullgaria t’i mbyllë si duhet të çarat në sistemin e vet, thotë Lorenzo Marsili, drejtor i Alternativave Europiane, i cili rekomandon që Sofja të zbatojë me shpejtësi procedurat efektive që synojnë integrimin e refugjatëve.

Mungesa e veprimit do ta “çojë Bullgarinë në të njëjtën gjendje si Greqia”, paralajmëron ai, gjë për të cilën publiku bullgar sigurisht që nuk është i përgatitur.

Juliana Koleva është gazetare nga Sofja. Ky artikull u prodhua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Cilësore, nisëm e Robert Bosch Stiftung dhe ERSTE Foundation, në bashkëpunim me Rrjetin e Raportimit Investigativ Ballkanik.