Kosova me Projekt Atomik

Athena – Perëndesha e dijes, intelektit dhe urtësisë tek grekët e lashtë. Gjithashtu, njihet edhe si 

Perëndesha e luftës dhe paqes, fuqisë, strategjisë, zanatit, drejtësisë etj.

Toti – Perëndia i dijes dhe urtësisë tek egjiptianët e lashtë. Gjithashtu, njihet edhe si Perëndia dhe shpikësi i të gjitha shkencave dhe arteve, të shkruarit, magjisë, etj.

Minerva – Perëndesha e dijes dhe urtësisë tek romakët e lashtë. Gjithashtu, njihet edhe si Perëndesha e zejtarisë, tregtisë, zanatit, artizanatit, etj.

Me inicialet e këtyre emrave ndërtuan emrin, shkronjat e të cilit gjithashtu kanë për referencë: 

A – Aftësi

T – Talent

O – Origjinalitet

M – Mendim kritik

I – Inteligjencë

Rezulton me ATOMI. Është fjala për një projekt të cilin është duke e implementuar qendra ‘Encompass’. Ky projekt ka për qëllim identifikimin dhe përkrahjen e personave me intelegjencë të jashtëzakonshme në Kosovë.

Investimi në ta mendohet se më së miri mund të kthehet në zhvillim për vendin, në kuptimin afatgjatë.

Ka të atillë që mendojnë se një projekt i tillë nuk është i nevojshëm në vendin tonë e as në vendet tjera, ngase personat e tillë me inteligjencë të jashtëzakonshme janë lehtë të vërejtshëm, ose e kanë aftësinë që të arrijnë suksese edhe pa përkrahjen e dikujt. 

Si duket në bazë të këtij parimi kanë vepruar deri më tani institucionet e vendit sepse qysh nga paslufta e as para saj nuk i kanë dhënë përkrahje të tillë njerëzve që në vende tjera udhëheqin hulumtimet dhe zbulimet e ndryshme shkencore, teknologjike dhe mjekësore.

Në Kosovë vetëm është thënë se “kemi një popullatë të re dhe ajo është prioritet”. Mirëpo, e tillë ka mbetur vetëm diku në premtimet zgjedhore.

Këtë trend, Jusuf Thaçi menaxher i projektit, bashkë me kolegët e tij, ka vendosur ta ndryshojë përmes projektit ATOMI.

Psikologu me durim shpjegon se si do të realizohet ky projekt. Së pari, faza e njoftimit, seleksionimit dhe e testimit. Faza e njoftimit tashmë ka filluar dhe do të zgjasë deri më 30 nëntor të këtij viti, ku të gjithë nxënësit e shkollave të mesme të larta në republikën e Kosovës do të kenë mundësi të vetënominohen ose t’i nominojë dikush tjetër si profesori, prindi ose shoqëria. 

Pas kësaj faze ata do të kalojnë nëpër një test ku do të përzgjidhen 500 më të mirët, këtyre do t’iu ofrohen shërbime të këshillimit e pastaj do të kalojnë edhe nëpër një test tjetër ku do të përzgjidhen vetëm 50 më të mirët. Këta 50 më të mirët do të përfitojnë kurse të avancuara në shkencat ekzakte, kurse për jetën si dhe aktivitete rekreative të cilat do t’u ofrohen gjatë shkollës verore.

Të gjithë këta nxënës, do të vazhdojnë komunikimin pasi që projekti parasheh ta formojë edhe një rrjet të talenteve, të cilët do të kenë mentorë profesionalë. 

“Ka nxënës që janë në gjendje bie fjala programin e mësimit normal të klasës së 5-të të shkollës fillore ta realizojnë pa kurrfarë frustrimesh, pa kurrfarë pengesash qysh në klasën e tretë të shkollës fillore”, u shpreh profesori Pajazit Nushi, me rastin e formimit të bordit këshillues. 

Prandaj, ky projekt, gjithashtu ka në plan që t’i propozojë Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ta ndryshojë legjislacionin në fuqi (udhëzimi administrativ i MASHT’it, nr.6/2009) që lejon avancimin e nxënësve, përkatësisht kapërcimin e klasave për nxënësit e suksesshëm dhe për talentët e dalluar. 

Mirëpo, ky legjislacion ngushton mundësinë se kush mund të propozojë avancimin e nxënësve ngase kufizohet vetëm në vlerësimin e aspektit intelektual të nxënësve, duke lënë anash aspektet tjera të rëndësishme dhe vlerësimin e inteligjencës e delegon vetëm si kompetencë të Fakultetit të Mjekësisë. Tani, thotë menaxheri i ATOMI’t, nëse MASHT’i pranon të bëhet më fleksibile ata do t’i propozojnë talentët të cilët do të vlerësohen se janë të gatshëm për avancim. 

“Ky është projekt i rëndësishëm për Kosovën sepse përcaktohen format e përkrahjes të këtyre nxënësve”, tha profesor Pajazit Nushi. “Zhvillimin e përgjithshëm teknologjik, industrial, social, ekonomik, artistik dhe kulturor në cilindo vend e bartin në supet e veta ata që kanë inteligjencë të jashtëzakonshme jo ata me mesatare”.

Anëtari i bordit këshillues, Dukagjin Popovci, përmend se në Kosovë ka pasur dhe vazhdojnë projekte që përkrahin përfshirjen në shkollim të nxënësve që nuk kanë mundësi ta ndjekin shkollimin ose të kategorive të margjinalizuara – siç janë nxënësit me nevoja të veçanta, me aftësi të kufizuara etj. Por, ai thotë se ‘Atomi’ është projekt edhe më shumë i rëndësishëm. 

“Çdo shoqëri përpiqet që t’i kultivojë dhe t’i zhvillojë njerëzit me talente të veçanta dhe mendoj se ky projekt është një lloj pionieri”, ka thënë Popovci. 

Popovci ka shtuar se me fëmijët do të punohet në mënyrë të veçantë për t’i zhvilluar talentet që i kanë dhunti natyrore. “Ata do t’ia kthejnë një ditë këtë shoqërisë duke mbaruar shkolla të cilat ju përgjigjen talenteve të tyre në fusha të caktuara dhe duke kontribuar zhvillimit shoqëror në fusha të ndryshme”, ka shtuar ai. 

As Popovci dhe as Nushi nuk ishin fare skeptikë se a ka Kosova nxënës të tillë me itelegjencë të jashtëzakonshme. 

“Padyshim që do të gjenden një deri në tre për qind të cilët kanë intelegjencë të jashtëzakonshme”, tha Popovci, 

“Unë jam i sigurt se për një projekt të tillë Kosova ka pasur nevojë të vijë edhe shumë kohë më përpara”, u shpreh Nushi. 

Javët e fundit ka pasur debate për teoritë e zhvillimit dhe energjinë vazhdimisht në Kosovë. ‘Atomi’ mund të gjejë thjesht burimin më adekuat.