Komisioner i Zgjedhjeve dhe Analfabet

Nexhmi Hasani, 43-vjeçar nga Ferizaj, çdo mëngjes del para xhamisë në qendër të qytetit për të kërkuar punë fizike si punëtor krahu. Me punën që bën, mban familjen e tij 6-anëtarëshe. 

Mirëpo, më 12 dhjetor të vitit të kaluar, Nexhmi Hasani nuk ishte para xhamisë si zakonisht. Ai ishte veshur më mirë, ishte rruar e larë, sepse atë ditë, ai do të punonte “me laps”, i ulur në karrige. 

Edhe pse Nexhmi Hasani nuk di shkrim-lexim, Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës (PDAK) e kishte angazhuar si komisioner të saj gjatë zgjedhjeve.

Në atë ditë të ftohtë dimri, kur zakonisht nuk ka punë për punëtorët fizikë, Nexhmiut as që i kishte shkuar mendja ta refuzonte ofertën e PDAK-së. As nuk ishte shtyrë për çmim. Përveç që do të qonte në mbrëmje para në shtëpi, i kishte shkuar mendja se në këtë mënyrë, edhe po kontribuonte sadopak për vendin. 

Por, rreth 10 muaj më pas, atij i është dashur të ulet si i akuzuar për manipulim të formularëve të zgjedhjeve.

Prokuroria Komunale në Ferizaj e akuzon Hasanin dhe shtatë anëtarë të tjerë të Komisionit në Qendrën e Votimit 2504D/ 02R në fshatin Komogllavë, komuna e Ferizajt, për veprën penale “Mashtrim në votime”, nga neni 180 i Kodit Penal të Kosovës. Ata akuzohen se kanë ndryshuar rezultatet në këtë vendvotim, duke ndërhyrë në regjistrin e formularit për votat e kandidatëve të partive të ndryshme politike.

Nexhmi Hasani është i befasuar nga kjo akuzë. “Zotni gjykatës, unë nuk di as me shkru as me lexu. As një klasë të shkollës nuk e kam të kryme”, ka thënë, ai para gjykatësit për konfirmim të kësaj akuze, që është mbajtur më 21 tetor.

“Unë atë ditë veç kam nejt, se nuk di me i kqyr ato libra. Qysh kam mujt me ndryshu numrat, kur nuk di as me shkru”, ka vazhduar 43-vjeçari.

Në pyetjen e gjykatësit për nivelin e tij arsimor, Hasani është përgjigjur: “Nuk kam asnjë ditë shkollë”.

Ligji për Zgjedhje të Përgjithshme të Kosovës, në nenin 75, pika b, përcakton se kusht për të qenë anëtar komisioni është që personi të dijë të paktën shkrim-lexim. Por, Hasani nuk di shkrim-lexim dhe as nuk e ka lexuar këtë ligj. Është përgjegjësi e partive politike dhe komisionit zgjedhor që të përzgjedhin kandidatët e duhur. 

Por Idriz Hetemi, kryesues i Komisionit Zgjedhor Komunal në Ferizaj, fajëson partinë që ka dërguar njerëz të tillë. Hetemi i tha Gazetës Jeta në Kosovës se ai nuk ka mundësi që t’i verifikojë të gjithë ata persona se a dinë shkrim dhe lexim. 

“Në bazë të një liste standarde, të cilën e dërgon partia politike, me emra të kandidatëve, nuk mund ta kuptosh se a dinë këta persona të propozuar shkrim dhe lexim… Përgjegjës për këtë kandidat  është partia PDAK”. 

Në këtë listë kërkohet përgjigjja me “Po” ose “Jo”, në rubrikën “niveli i mesëm”, për të cilën Nexhmi Hasani ka shkruar “Jo”. Megjithatë, Hetemi thotë se nuk ekziston një rubrikë ku shkruan nëse një kandidat i propozuar di shkrim dhe lexim.

Asllan Kryeziu, sekretar i Përgjithshëm i PDAK-së, dhe anëtar i Kuvendit Komunal  në Ferizaj, thotë se partitë i propozojnë kandidatët, ndërsa KQZ-ja i seleksionon.

Nëse konfirmohet akuza, Hasani dhe kolegët e tij rrezikojnë që të dënohen me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.