Lënë Mësimin për Lëmoshë

Fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë të Fushë Kosovës kanë mungesa të shumta në shkolla për shkak se ata dalin nëpër rrugë për të kërkuar lëmoshë.

Njëri prej tyre është Bubi, i njohur më këtë nofkë tek moshatarët e tij. Ai ka ndjekur mësimet në shkollën multietnike “Sveti Sava”.

Bubi është 12 vjeçar por ka kryer vetëm klasën e parë. Ai përsëri është regjistruar në shkollë por nuk shkon atje. Arsyeja është se ai del së bashku me babanë e tij për të mbledhur kanaqe dhe më pas për t’i shitur.

Babai i tij, Isuf Berisha thotë se Bubi nuk shkon në shkollë sepse ai duhet t’i ndihmojë atij.

“Ai duhet të më ndihmojë se nuk ka kush tjetër”, Berisha i tha Gazetës Jeta në Kosovë, në një pasdite tetori kur ai dhe Bubi bënin pauzën e drekës në shtëpi dhe ishin gati për të vazhduar punën.

Gjersa babai ankohej për situatën e rëndë të familjes, Bubi largohet nga shtëpia dhe vazhdon punën e tij deri në orët e vona të mbrëmjes.

Berisha, i cili mban familjen shtatanëtarëshe tha se gjatë ditës ai fiton prej pesë deri në dhjetë euro pas shitjes së kanaqeve por edhe mbeturinave tjera te hekurit. Përveç kësaj, Berisha merr edhe ndihma sociale prej 75 eurosh.

Vëllezërit Jashari, nga një lagje tjetër e Fushë Kosovës, kanë mungesa të shumta në mësime. Më i madhi, Florimi, i cili ishte me një thes në krah të mbushur me kanaqe dhe pjesë hekuri, ishte nisur për t’i shitur ato.

Ai thotë se nuk shkon në shkollë sepse nuk arrin të mësoj asgjë. “Nuk di të shkruaj, as të lexoj. Kështu më vjen më lehtë, të grumbulloj hekura dhe t’i shes”, Florimi i tha Gazetës JnK.

Ndërsa babai i tyre, Basriu është i brengosur për fatin e fëmijëve por thotë se fëmijët vetë nuk kanë interesim për të shkuar në shkollë.

“Interesimi i tyre nuk është i madh. Nëse vijojnë mësimet me rregull, ata me siguri se do të mësonin diçka”, tha Basriu.

Qendra për Bashkëpunim dhe Integrim (QBI), në Fushë Kosovë, është njëra ndër qendrat e cila iu ofron ndihmë këtyre fëmijëve për të tejkaluar vështirësitë në mësime.

Qendra ofron ndihmë në detyrat e shtëpisë për fëmijët të cilët nuk janë të rregullt nëpër shkollat publike.
Koordinatori i kësaj qendre, Rrahman Stolaku ka folur rreth organizatës duke bërë të ditur se kjo qendër financohet nga organizata “Balkan Sun Flowers” dhe ka filluar punën më 2008.

Stolaku tha se në këtë qendër vijojnë mësim nxënës romë, ashkali dhe egjiptianë, po ashtu me një numër të vogël të fëmijëve shqiptarë dhe boshnjakë.

Fëmijët kryesisht janë parashkollorë dhe shkollorë.

Foto: Korab Basha

“Kemi nxënës prej klasës së parë e deri në të pestën”, tha Stolaku. Ai u ankua se Qeveria e Kosovës nuk ka ndarë asnjë buxhet për këtë qendër.

“Kemi vetëm donatorë ndërkombëtarë të cilët na ndihmojnë që të zhvillojmë mësimin në dy gjuhë, atë shqipe dhe serbe”, tha Stolaku duke bërë të ditur se në gjuhën shqipe vijojnë mësimin 240 ashkali dhe 30 egjiptianë ndërsa në atë serbe vetëm 45 romë.

Në Fushë Kosovë, ekzistojnë tri shkolla, në të cilat mësojnë fëmijë romë, ashkali dhe egjiptianë, edhe pse pak nga ata ndjekin mësimet .

Manuela Petrovic e cila është edukatore në QBI, po ashtu ishte kritike për këtë situatë duke i fajësuar prindërit e fëmijëve.

Petrovic thotë se prindërit nuk po tregojnë interesim për të ardhmen e fëmijëve të tyre. “Ata preferojnë t’i dërgojnë fëmijët për lëmoshë më tepër se sa t’i bien në mësim”, tha ajo.

“Unë shpesh bisedoj më prindërit mirëpo ata janë serioz vetëm një ditë ndërsa problemet vazhdojnë të mbesin të njëjta”, Petrovic i tha Gazetës JnK.

Në shkollën fillore më të madhe të Fushë Kosovës, “Selman Riza” vijojnë mësimin 1.543 prej të cilëve 4 janë romë, 446 ashkali si dhe 37 të tjerë janë egjiptianë.

Drejtori i kësaj shkolle, Sahit Dragusha tha se shumica e këtyre nxënësve e kanë lënë mësimin për shkak të mungesës së kushteve financiare.

Fëmijët shpesh largohen nga mësimi për shkak se nuk i kanë uniformat shkollore të obliguara për mësim për të cilat nuk kanë mundësi t’i blejnë.

“Prindërit duhen t’i blejnë këto uniforma”, tha Dragusha duke shtuar se një organizatë jo-qeveritare i ka ndihmuar me vetëm 42 uniforma për komunitetin ashkali.

Ndryshe nga dy shkollat e para, në “Mihail Grameno” situata është më premtuese. Në këtë shkollë shkojnë 1,251 nxënës, ku prej tyre janë 46 fëmijë të komunitetit ashkali.

Drejtori i kësaj shkollë, Ismet Gashi tha se në krahasim me shkollat tjera, kjo shkollë dallohet sepse nxënësit e këtij komuniteti janë të rregullt dhe të sjellshëm.

“Ata janë shumë të përkushtuar në mësime, janë të rregullt dhe vijnë shumë të pastër”, tha drejtori duke bërë të ditur se as prindërit e tyre nuk mungojnë në mbledhje të ndryshme dhe nuk bëjnë dallime racore.

“Kemi bashkëpunim shumë të mirë si me komunitetin ashkali ashtu edhe me shqiptarët”, tha Gashi.