Peshkimi

 

Ne evropianët mbase kemi ecur si në gjumë drejt greminës financiare, por gjersa po presim rënien e paevitueshme të standardit tonë jetësor na arriti një lajm – Agjencia Kundër Korrupsionit ka bërë diçka. Urra!

Të enjten u bë e ditur se ata ishin duke i hetuar 20 persona të ndryshëm për mosdeklarimin e pasurisë. Unë u ngazëlleva, sepse, megjithëse e di që ky paraqet një fakt të zymtë, ky lloj lajmi mua më pëlqen. 

Kur klikova në linkun e kësaj storie, imagjinoja imazhin e peshqve të mëdhenj që pa shumë mund po nxirreshin nga rrymat e fuqishme të shtyra nga ish-drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, në një kostum ariu. Ah, mendova, kjo troftë i ngjan Shaip Mujës. 

Nuk kisha se si të dëshpërohem më shumë: Agjencia Kundër Korrupsionit, si duket, kishte vendosur që të ndjek disa sardele – secila me më pak vlera ushqyese se tjetra – sepse këto të fundit nuk i paskan plotësuar formularët, ndërkaq salmonët vazhdojnë pa pengesë të kërcejnë nëpër lumë. 

Brenda vetëm dhjetë minutash unë mund t’ua dëshmoj se disa pjesëtarë të elitës politike të Kosovës kishin gënjyer në formularët e tyre ose kishin harruar që t’i plotësojnë si duhet. 

Shembulli të cilin e shfrytëzoj gjatë trajnimit të gazetarëve është ai i troftës së lartpërmendur, Dr. Muja. Nuk kam asgjë kundër këtij njeriu, por e di se ai nuk i ka pasqyruar të gjitha përfitimet afariste në deklaratën e tij. Kjo për ju dhe mua paraqet një vepër penale, por, për Dr. Mujën me kompani kjo nuk është relevante dhe u paraqet vetëm një bezdi në qeverisjen e përditshme. 

Emri i tij gjendet në dy biznese të cilat ai nuk i ka deklaruar, e nëse i hyni edhe më thellë dhe kaloni më shumë kohë duke kërkuar informata do ta kuptoni se familja e ngushtë e tij është gjithashtu mjaft aktive në ndërmarrësi. 

Ai nuk është fare vetëm. BIRN dhe shumë organizata tjera mediale kanë vënë në pah boshllëqe të shumta në shumë deklarata të pasurisë. Bashkimi Europian në raportin e vet të progresit për dy vite me radhë po pyet përse nuk po bëhet më shumë për të hetuar mospërputhjet e dukshme mes të ardhurave dhe pasurisë. 

Por, Agjencia Kundër Korrupsionit, në fakt ia ka humbur fare vlerën deklaratave të pasurisë, me qëllim ose si rezultat i dobësisë së saj, duke u mundësuar zyrtarëve dhe politikanëve që të gënjejnë për pasurinë e tyre dhe duke i bërë edhe më të fuqishëm ata që veç ndiheshin si të paprekshëm. 

Duke vënë në spikamë pasurinë e individëve të caktuar, Agjencia do duhej ose të zbulojë keqbërësit ose të ketë efekt destimulues për korrupsionin. 

Në vitin e parë të deklaratave, ato nënkuptonin se së paku politikanët duhej të tregonin se ku gjenden shtëpitë e tyre, t’i emërojnë bizneset e tyre dhe të japin pak informata mbi pasurinë e anëtarëve të afërm të familjeve të tyre. 

Por drita po venitet. Tani shumica në deklaratat e tyre të pasurisë japin vetëm lista të pavlera dhe nuk japin informata specifike. Për shembull, në vitin 2010 Fatmir Limaj kishte deklaruar vendndodhjen e shtëpive të tij, duke dhënë madje edhe detaje si emrat e rrugëve ku ato gjendeshin. Këtë vit – asgjë më shumë se sa të tregojë nëse kemi të bëjmë me shtëpi ose banesë. 

Ajo që ishte menduar se do të sigurojë transparencë, tani është shndërruar në një mjet për të ofruar informata të mjegullta dhe për të klikuar kutitë e duhura. Ajo që është më e keqja është se politikanët po luajnë me një nga institucionet më të rëndësishme të Kosovës. 

Agjencia Kundër Korrupsionit do duhej të përgëzohej për nxjerrjen këtyre 20 peshqve të vegjël, por rrezikon të bëhet fare e padobishme nëse nuk e vë rrjetën e vet edhe në ujëra më të turbullta.