Si po e injorojmë të ardhmen tonë

Në ditën kur BE’ja kërkon shpëtim nga kriza ekonomike që po e kërcënon, duke e vënë në siklet pothuajse tërë globin, Kosova duket krejt e shkujdesur dhe e patrazuar nga ky rrezik. Në të vërtetë, tema e ekonomisë dhe e zhvillimit të Kosovës duket se po injorohet. Edhe pse temat tjera, si ajo për pjesën veriore të Kosovës janë të rëndësishme, nuk bën që ekonomia dhe nevoja për zhvillim të bien në hije të cilësdo temë tjetër.

Sipas vlerësimeve të organizatave të rëndësishme ndërkombëtare – dy të fundit vijnë nga BE’ja dhe Banka Botërore – ekonomia në Kosovë nuk është duke u zhvilluar me shpejtësinë e nevojshme. Më e keqja është se as nuk ka shenja se po ndërmerren hapa që të korrigjohet kjo dhe të krijohen kushte më të volitshme për ekonominë.

Ne mediat e Kosovës lajmet kryesore nga ekonomia mbesin ato që një nga bankat i ka hapur dy nëndegë të reja ose që njëri nga operatorët e telefonisë mobile ka lëshuar një paketë të re në qarkullim. Pak u fol për pakon e re fiskale që pritet të hyjë në fuqi vitin tjetër e që nuk e ka kënaqur komunitetin e biznesit në Kosovë. Pakoja re nuk i ofron lehtësirat e kërkuara dhe sipas vlerësimeve të ekonomistëve nuk është reale në vlerësimet e saja ambicioze për rritjen ekonomike që duhet të ketë Kosova.

Po heshtet edhe fakti që buxheti i Kosovës këtë vit hyn “në të kuqe” dhe qeveria jonë nuk di as si të mbulojë këtë “minus” në xhirollogarinë e shtetit. Parashikimet që këtë ta mbulojnë me të hyra fiktive çfarë ishin planet për shitjen e PTK’së nuk u realizuan dhe tash mbetet të shohim se çfarë zgjidhje tjetër “kreative” do të dëgjohet nga qeveria për të mbushur vrimën që është hapur në buxhet.

Por, neglizhenca që po tregohet ndaj nevojës për zhvillim ekonomik shihet edhe në fusha tjera. Deri vonë, partitë politike të Kosovës as kanë dashur të marrin Ministrinë e Bujqësisë, pra as që kanë dashur të merren me bujqësi. Në anën tjetër, bujqësia është ndër fushat e para të prodhimtarisë me të cilën Kosova mund të fillojë rimëkëmbjen ekonomike.

Është injoruar edhe arsimi, si një prej investimeve më të rëndësishme afatgjata në zhvillimin ekonomik të vendit. Për ta vënë në një kontekst më të qartë, të përmendim se në Gjermani, kompania “Wolksvagen” që ne shqiptarët e duam shumë i ka më pak se 20.000 të punësuar. Kjo do të thotë se Kosova, përveç tjerave, duhet që çdo vit të hapë nga një “Wolksvagen” për të qenë në gjendje që të absorbojë fuqinë e re punëtore që hyn në tregun e punës. Kjo nuk do të ndodhë kurrë. Prandaj, Kosova duhet të shikojë se në cilën fushë ka gjasa të zhvillohet dhe të hapë vende pune për të rinjtë e të rejat që do të kërkojnë punë. Sektori i shërbimeve vjen si një nga zgjidhjet më të mira. Por, për të ofruar shërbime të mira, për shembull bankare, duhet pasur kuadro të shkolluar e të aftësuar mirë. Universitetet që i ka sot Kosova, për fat të keq, prodhojnë kuadro që nuk janë konkurrentë në tregun europian e rrjedhimisht edhe Kosova nuk do të jetë konkurrente në këtë treg.

Dështimet që të përgatisim strategji zhvillimore tani do t’i paguajmë shtrenjtë dhe gjatë. Mungesa e zhvillimit ekonomik do të ndalë edhe zhvillimet tjera sociale e kulturore, tranzicionet që duhet t’i kryejë shoqëria jonë. Asgjë nuk na afron më shumë një shteti të dështuar se sa dështimi që të kemi një politikë gjithëpërfshirëse për zhvillimin ekonomik të vendit. Kjo është përgjegjësi e qeverisë, por është edhe përgjegjësi edhe e partive që janë në opozitë që të insistojnë në këtë më shumë se sa në çdo gjë tjetër.

Për fat të keq, nuk janë vetëm udhëheqësit tonë politikë ata që nuk e shohin nevojën për zhvillim të Kosovës si prioritetin kryesor të vendit. Edhe aktorët ndërkombëtarë që janë në Kosovë, përkundër që në raportet e tyre e theksojnë nevojën për zhvillim ekonomik, vet nuk e kanë prioritet mëkëmbjen ekonomike të Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare në rastin e Kosovës ka mbetur e ngujuar në mendësinë e vitit 1999, kur prioritet ka qenë që të ndërpritet lufta dhe të pengohet eskalimi i dhunës. Më shumë se një dekadë pas luftës, eskalimi i dhunës nuk është kërcënimi më i madh për Kosovën. Mungesa e zhvillimit është kërcënimi më i madh për Kosovën, sot dhe në të ardhmen. Prandaj, edhe aktorët ndërkombëtarë që vërtetë dëshirojnë të ndihmojnë Kosovën dhe rajonin që të stabilizohet dhe të gjejnë një “exit-strategy” për veti, duhet që të ndryshojnë qasjen e tyre. Në vend se çdo ditë të kërkojnë se si të mos bëhet më keq, të fillojnë të shikojnë se si mund të bëhet më mirë.

Në ditët kur liderët politikë të shteteve anëtare të BE’së punojnë edhe fundjavave që të mbajnë të shëndoshë ekonominë e bllokut, liderët politikë të Kosovës duhet të marrin shembull dhe të fillojnë të mendojnë për shërimin e ekonomisë së vendit e me këtë edhe t’i sigurojnë të ardhme Kosovës.