Sa vlen dita jonë?

Nuk e kisha fare lehtë sa mendoja thellë për temën që do ta përzgjidhja në kolumnen time të pestë. Ditët kalojnë shpejtë dhe unë nuk kam kohë as të ndalem e të mendoj se ku dhe si do të vazhdoj tutje, sepse secilën minutë e kam të planifikuar dhe të rezervuar paraprakisht. Dikush do ta quante këtë organizim të mirë dhe do të më kishte zili, dikush tjetër do të më kritikonte se nuk ndaj kohë sa duhet për vete, e unë, unë do ta tërhiqja frenin e dorës të ulëm ta shkruaj një kolumne për atë se sa vlen një ditë jona e jetës.

A është më e vlefshme për të gjithë ne që t’i kalojmë 8 orë në punë, apo ta kalojmë atë kohë me familjet tona? E di, e di, duhet të fitojmë të ardhura pikërisht për atë familje, dhe të sakrifikojmë praninë tonë te ta. Unë e di se sa shumë më mungojnë ato momente me familjen time, me miqtë e mi. Sikur të mundja, do ta blija një ditë. Thjeshtë, do ta qerasja veten. Do ta blija një ditë edhe për ju, që të mund të kënaqeni me njerëzit që i doni dhe që ju duan. 

Pastaj përsëri nxitim, zgjim në mëngjes, kthim në shtëpi vonë pasdite, në mbrëmje madje. Synimet, ëndrrat, karriera. Ndriçim i reflektorëve, blice të fotoaparateve, famë, dhe shkëlqim i rrejshëm.  

Kohë më parë në Facebook hasa në një citat të Dalai Lamës, i cili në pyetjen se çka e befasoi më së shumti në jetë, befasishëm u përgjigj:

Njeriu, sepse sakrifikon shëndetin për të bërë para dhe pastaj sakrifikon paratë për shëndetin. Ai është kaq i shqetësuar për të ardhmen sa nuk e jeton të tashmen. Ai nuk jeton dot as sot as nesër. Ai jeton sikur nuk do të vdes kurrë dhe vdes pa jetuar kurrë siç duhet.  

Sa shumë të vërteta ka në këtë thënie. Fatkeqësisht. Fatkeqësisht. Ne fitojmë, mundohemi për të krijuar diçka materiale, dhe pasi ta krijojmë, nuk kemi kohë të kënaqemi me të. Ku është thelbi i kësaj. Unë votoj për vetëpërmbajtje. Unë votoj për disa vlera të shëndetshme, unë votoj për dashuri, për jetë.

Nuk është gabim t’i tregojmë ndjenjat tona, nuk është gabim të jemi të përkushtuar, të vlefshëm, nuk është gabim të ndalemi, siç bëra unë sot, dhe ta tërheqim frenin e dorës. Ia vlen të ndalemi. Ia vlen të bëjmë një pauzë. Shumë shpesh e theksoj se duhet t’i shprehim ndjenjat tona si diçka që do të na përkujtonte se jemi vetëm njerëz, jo robotë. Disa herë ndoshta duhet të harrojmë atë që e dëshirojmë, për t’u kujtuar se çka është ajo që e meritojmë! Unë besoj se ju e meritoni një mbledhi dhe një ditë fantastike, prandaj jepjani atë dhuratë vetes dhe familjes suaj, sepse familja është pasuria më e madhe dhe askush nuk e meriton këtë ditë më shumë se ata. Dhe është pikërisht kjo, pauza e vogël që do ta thyej rutinën, ajo që ju duhet më së shumti. 

Të gjithë ne kemi numër të kufizuar të ditëve në jetën tonë. Mendoni se sa shumë vlen një ditë dhe si do ta shpenzoni atë në të ardhmen. Dhe do të kuptoni se vlen shumë, dhe nuk duhet ta çoni dëm, ta kaloni me njerëzit e gabuar, në momente jo të gëzuara, në minuta të pakthyeshëm të lumturisë.

Pikërisht sot, gjersa e shkruaj këtë kolumne, e kuptoj se çdo moment pikëllimi, çdo moment që nuk është kaluar në gëzim dhe buzëqeshje ka qenë moment i humbur, se çdo ditë pa dashuri dhe lumturi është ditë e humbur dhe e paguar shtrenjtë. Dhe natyrisht, në fund të fundit, të jeni mirënjohës për të gjitha gjërat e bukura dhe ato më pak të bukura, për të gjithë njerëzit e mirë dhe ata më pak të mirë, sepse për shkak të tyre tani mund t’i vlerësoni ato momente të çmueshme sepse mund t’i dalloni nga momentet tjera më pak të lumtura.

Deri në shkrimet dhe leximet e radhës, ju dashuron dhe përshëndet e juaja Dee.