Plevneliev Drejt Presidencës Bullgare

Ish-bosi i ndërtimit, Rosen Plevneliev, duket se do të fitojë zgjedhjet presidenciale për partinë e qendrës së qendrës së djathtë – GERB. Pyetja e madhe është nëse ai do të jetë shef i vetvetes, kur të jetë në detyrë.

Plevneliev, 47-vjeçar, ka 39,6 për qind nga 40 për qind të votave të numëruara, tha sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Sofje.

Në balotazhin e 30 tetorit, me gjasë ai do të përballet me Ivajlo Kalfin, po ashtu 47-vjeçar, një anëtar i Parlamentit Evropian, përveç nëse Plevneliev arrin të paktën 51 për qind të votave.  Kalfin, i cili kandidoi nën siglën e Partisë Socialiste Bullgare të opozitës, nga numërimi i deritashëm ka 29.7 për qind të votave.

Kanë qenë disa muaj të zënë për Plevneliev-in, fushata zgjedhore e të cilit ka filluar kohë përpara se ai u njoftua zyrtarisht, muajin e kaluar, si kandidati për president i partisë në pushtet – GERB.

Së bashku me kryeministrin Bojko Borisov, ai ka qenë i preokupuar kohët e fundit me ceremonitë e “prerjeve të shiritave” për projekte të ndryshme të infrastrukturës.
 
“Si President, unë do të jem aktiv dhe efikas, nuk do të impresionohem nga fjalët e kota dhe parullat e partisë,” tha ai, kur propozimi i tij u shpall muajin e kaluar.
 
“Do të punoj të mundësoj që të gjithë qytetarët të kenë një rol në agjendën e institucioneve bullgare”, shtoi ai, duke u zotuar të rrijë larg lojërave të çdo partie politike, si kreu i shtetit.

Një sondazh i bërë disa ditë para zgjedhjeve nga Gallup, tregonte se Plevnielev ishte i preferuari i bullgarëve për të marrë këtë post. Slogani i tij është i thjeshtë: “Çfarëdo që unë tani e tutje do të bëj, atë që unë kam bërë deri më tani, do të përpiqem të jetë e dobishme për vendin, shoqërinë dhe ekonominë.”

Nuk është e habitshme, që Plevneliev shprehu besimin e tij javën e kaluar se ai do të fitonte zgjedhjet në raundin e parë.

Pas marrjes së një diplomë në inxhinierinë kompjuterike, ai nuk pati rast të bëjë një karrierë në këtë fushë. Pas rënies së komunizmit, ai mbeti pa punë dhe gjatë viteve të para të turbullta të tranzicionit ekonomik të Bullgarisë, ai fillimisht donte të emigronte në Shtetet e Bashkuara.

Por nuk mori vizë. Pa iu nënshtruar dëshpërimit, ai e gjeti një zgjidhje tjetër, ngritjen e një firme ndërtimi, e cila punoi në projekte në Gjermani. Më vonë, ai mbikëqyri ndërtimin e parkut të parë të biznesit në kryeqytetin bullgar, Sofje, si dhe rindërtimin e një hoteli të madh në qendër të qytetit.

Edhe pse Plevneliev ishte i njohur si një sipërmarrës ndërtimi, nuk bëri debutimin e tij politik, deri në vitin 2009, kur Borisov e bëri ministër të zhvillimit rajonal.

Në fillim, Plevniev ishte vetëm një ekspert tjetër i thirrur nga Borisovi, për të marrë pjesë në qeveri. Ai kurrë nuk kishte qenë anëtar i partisë GERB.

Por gjatë dy viteve që kur GERB mori pushtetin, ai ngadalë u bë shumë popullor. Ai shpesh mburret se qeveria premtoi të përfundojë tri autostrada kryesore deri në fund të mandatit të saj, ndërsa është duke punuar në gjashtë.

Me mbështetjen e Kryeministrit, ai arriti në rangun e lartë të anëtarëve më të popullarizuar të qeverisë – dhe të qëndrojë në atë pozitë. Pavarësisht disa spekulimeve të mëhershme se vetë Borisov mund të kandidonte për president, ai vendosi qartë se ministri rajonal ishte njeriu i duhur për të dalë dhe për të marrë votat.

Zgjedhjet përbëjnë një provë të madhe për GERB-in dhe Plevnelievin personalisht. Nëse partia në pushtet do të humbiste garën, kjo do të shkaktonte një krizë politike në qeveri. Në qoftë se Plevneliev fiton, kjo do të jetë një sfidë për t’ua provuar votuesve të tij se ai mund të distancohet nga partia dhe të tregojë se mund të marrë vendime vetë.