Sherifi Fajtor për Terror

Një gjykatë në SHBA e ka shpallur fajtor Hysen Sherifin, me prejardhje nga Kosova, dhe dy të akuzuar të tjerë, për dhënie të mbështetjes materiale për terroristët.

Mohamed Omar Ali Hasan, Zijad Jaghi dhe Hysen Sherifi, nga Karolina Veriore, janë gjetur fajtorë në procesin që ishte i fokusuar në komplotet e dyshuara për kryerje të sulmeve terroriste kundër një baze të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara.

Jaghi dhe Sherifi, po ashtu, janë shpallur fajtorë për konspiracion për ndërmarrje të sulmeve tejoqeanike, ndërsa Hasani ishte liruar nga kjo pikë e aktakuzës, transmeton REL.

Gjatë procesit, prokurorët pretenduan se Hysen Sherifi, refugjat nga Kosova kishte bërë konspiracion me personin Daniel Bojd, po ashtu i akuzuar, që ta sulmojnë një bazë ushtarake amerikane në Kuantiko, afër Uashingtonit.

Hasani, Jaghi dhe Sherifi, së bashku me Daniel Bojdin dhe dy djemtë e tij, kanë deklaruar se janë fajtorë për akuza për terror, më herët këtë vit.

Gjykata tha se për personat Hasani, Jaghi dhe Sherifi, dënimi do të shpallet brenda 90 ditësh. Ata mund të dënohen me 15 vjet burg e deri në burgim të përjetshëm.

Mohamed Omar Ali Hasan dhe Zijad Jaghi kanë shtetësi amerikane, ndërsa Hysen Sherifi ka qëndrim të rregullt të vazhdueshëm në Shtetet e Bashkuara.