Dino që Molisi Ekonominë

Shënim: Ky profil është botuar me 3 tetor 2011. Që atëherë deri më 14 qershor kur humbi jetën, ngjarjet kryesore që janë ndërlidhur me Dino Asanajn kanë qenë akuzat e biznesmenëve Remzi Ejupi dhe Abdurrahman Konfjufca se Asanaj kishte kërkuar shuma të mëdha parash për të bllokuar anulimin e privatizimeve të hotelit “Grand” dhe firmës së pulave në Lipjan. Asanaj i kishte mohuar akuzat në një deklaratë publike.

Supet prej ushtaraku, ndonëse pa një përgatitje përkatëse shkollore, do t’i duhej t’i hynin në punë për ta bartur barrën e lëvizjes së hovshme drejt zgjerimit e forcimit të kapitalizmit bë vend.

Mirëpo, pesha e rëndë e transformimit e të gjithë pronës shoqërore në atë private, ka detyruar Dino Asanajn që ta ngris flamurin e bardhë në drejtimin e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), një muaj para se t’i skadojë kontrata.

Kreu i agjencionit më të fuqishëm në vend ka paralajmëruar dorëheqjen – siç ka thënë – për arsye personale.

Ai thotë se kur është zgjedhur në këtë pozitë ka menduar se kërkohet një angazhim më i vogël. Vitet shkuan, privatizimi edhe më shpejt, e Dino i fuqishëm ndjehet i lodhur. Nëse është e vërtetë që kur elefantët luftojnë fushat gërmohen, atëherë atyre për të rikthyer qetësinë do t’ju duhet edhe pushim i gjatë. Kyçja e gjatë dimërore është krejt çka do elefanti i privatizimit në vend i cili, megjithatë, gërmoi pak.

Për diçka që shkon, vetëm fjalë të mira. Derisa tymos njëpasnjëshëm cigaret ‘Marlboro’ në restaurantin ‘Puro’ në lagjen ‘Veternik’ të Prishtinës, 54 vjeçari nga Peja, i cili për dy dekada ka jetuar dhe punuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës(SHBA), shprehet në superlativ për pavarësinë e Bordit që e ka drejtuar, edhe pse shumica e anëtarëve janë deleguar nga partitë politike.

“Pavarësisht se ka pasur përfaqësues politikë në bord, ky i fundit ka qenë 100 për qind i pavarur dhe i pandikuar politikisht”, shprehet ai për Gazeta Jeta në Kosovë.

Asanaj, megjithatë, pranon se disa gjëra nuk kanë shkuar si duhet me Bordin e vjetër të AKP’së, të cilin, sipas përshkrimit të tij, e ka karakterizuar një konflikt koncepti.

“Drejtori menaxhues i AKP’së ka qenë edhe anëtar Bordi me të drejtë vote. Ai ka përgatitur privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore, ka menaxhuar procesin dhe ka mundur të votojë në Bord. Kjo në një farë mënyre ka qenë edhe konflikt koncepti”, shprehet Asanaj.

Në bord me akraba

Përvoja e gjatë në fushën e biznesit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i ndihmoi. Qindra privatizime të ndërmarrjeve ndodhën deri sa Dino Asanaj ishte në krye të Bordit të AKP’së, mirëpo nuk erdhi asnjë investitor i rëndësishëm në vend, përpos disa turqsh e anglezësh – edhe ata me prejardhje të dyshimtë të pasurisë.

Të gjitha privatizimet ndodhën në komunat me shumicë shqiptare, mirëpo ndërmarrjet në vendbanimet serbe dolën të jenë një mision i pamundur për AKP’në.

Ai nuk arriti ta privatizojë as Banjën e Pejës, nga i cili rajon e ka prejardhjen, por shton se ka bërë shumë në shpërndarjen e 20 përqindëshit të punëtorëve.

Thotë se privatizimi si proces ka qenë i dhimbshëm dhe i disfavorshëm në momentin politik dhe diplomatik për Kosovën. “Ky proces ka ndodhur në kohën kur kemi shumë probleme politike me Serbinë dhe në aspektin diplomatik kur shumë shtete ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, argumenton Asanaj.

Shumë kritika ia adreson Agjencisë paraardhëse të privatizimit, përkatësisht Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, duke i fajësuar drejtuesit e kësaj të fundit se nuk bënë një dorëzim të mirëfilltë të kompetencave tek AKP’ja.

Por, sipas tij, më të kënaqurit me këtë proces duhet të jenë punëtorët, pasi që ka ndodhur një përshpejtim i jashtëzakonshëm i mjeteve të 20 për qindëshit.

“Tash nuk ka protesta të punëtorëve para portës së AKP’së, ndërsa më herët punëtorët kanë vdekur duke i pritur mjetet e tyre”, nënvizon Asanaj.

Në shpërndarjen e këtyre mjeteve mohon të ketë ndikuar fakti se anëtarin e Bordit të AKP’së, përkatësisht kreun e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës(BSPK), Haxhi Arifin, e ka familjar. Dy familjarë me të drejtë vote, madje, sipas tij, nuk përbëjnë nepotizëm.

“Kryetarin e BSPK’së e kam akraba, por kjo nuk është nepotizëm, sepse atë nuk e kam zgjedhur unë , por e kam gjetur në Bord. Kosova është një familje dhe ka shumë raste kur njerzit janë akraba në mes vete”, shprehet Asanaj.

Sipas tij, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka jetuar dhe punuar më shumë se dy dekada, në një kohë ka ndodhur që dy vëllezër të jenë guvernatorë, ndërsa babai i tyre ka qenë President i SHBA’së, përkatësisht George Bush.

Në SHBA, Asanaj kishte emigruar në vitin 1985, ku fillimisht thotë se ishte angazhuar si punëtor i thjesht në disa kompani ndërtimi, ndërsa në vitin 1990 e ka hapur kompaninë  me emrin “DD Interiors” në New York.

Kjo kompani, sipas Asanajt, bën transformime të brendshme të ndërtesave dhe, vazhdon ai, në disa raste qarkullimi vjetor i saj ka tejkaluar shumën prej 15 milionë dollarësh amerikanë.

Pikërisht për shkak të punës që e ka bërë biznesi i tij, me zbukurime të brendshme të ndërtesave, ai kishte marrë nofkën “Dino Moleri”.

Miqësia me Thaçin

Në SHBA, Asanaj ka qenë edhe përfaqësues i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, ku kishte krijuar kontakte të rregullta me ish-drejtorin politik të UÇK-së dhe Kryeministrin aktual, Hashim Thaçi.

Me këtë të fundit thotë se ka pasur kontakte të vazhdueshme para dhe pas luftës së Kosovës, mirëpo, sipas tij, Thaçi nuk e ka zgjedhur kryetar Bordi.

“Qeveria më ka propozuar, ndërsa Kuvendi më ka zgjedhur kryetar Bordi. Megjithatë, nuk e mohoj se e kam mik të mirë Kryeministrin”, pohon Asanaj, duke shtuar se miqësi ka edhe me ish-Kryeministrin Agim Çeku, gjatë mandatit të të cilit në krye të Qeverisë ka qenë këshilltar për diasporë.

Ish-deputeti Naim Rrustemi thotë se Asanaj nuk është i sinqertë në deklaratat publike.
“Në AKP e ka sjellë Kryeministri, përndryshe një njeri si Dino Asanaj në asnjë mënyrë nuk do të mund të vinte në krye të AKP’së”, shprehet Rrustemi.

Sipas këtij të fundit, Asanaj nuk e ka pasur madje as shkollimin e nevojshëm për ta udhëhequr AKP’në e cila është përgjegjëse për privatizimin e të gjitha ndërmarrjeve shoqëore në vend.

“Në CV-në e tij që e kishte sjellur në Kuvend me rastin e përzgjedhjes në Bordin e AKP’së, kishte shkruar vetëm 3 rreshta. Aty shkruhej se se e ka kryer shkollën e mesme ushtarake e asgjë më shumë”, ka potencuar Rrustemi, duke shtuar se kjo CV ka qenë ofenduese për deputetët.

Mirëpo, Asanaj mohon deklaratat e ish-deputetit Rrustemi, duke sqaruar se në vitin 1983 e ka përfunduar Fakultetin e Mbrojtjes në Beograd.

Kjo përgjigje e Asanajt nuk ia mbushë mendjen Rrustemit.

“Në atë kohë kur është zgjedhur kryetar Bordi, Dino ka qenë vetëm me shkollë të mesme të këmbësorisë, tash nëse e ka blerë ndonjë fakultet është tjetër punë”, shton ish-deputeti Rrustemi.

Sipas Astrit Gashit, kryeredaktorit të ‘Zërit’, emërimi i Dino Asanajt për kryetar të Agjencisë së Privatizimit në vitin 2008, ishte një nga veprimet më të shëmtuara të Qeverisë Thaçi 1.

“Ky emërim, ndër të parët që bëhej nga qeveria që premtonte reforma, ishte krejtësisht i natyrës klienteliste dhe i orientimit korruptiv”, shkruajti Gashi, në një editorial.

Milionat ‘amerikanë’

Dino Asanaj ka bërë investime milionëshe në Kosovë, ku ka ndërtuar Fshatin Ndërkombëtar në Prishtinë, i cili njihet ndryshe edhe si “fshati amerikan”.

Ai jo vetëm që ka shitur dhjetëra ndërmarrje shoqërore në AKP, ka shitur edhe 110 shtëpitë e ndërtuara në këtë fshat, të cilët i kanë blerë zyrtarë të lartë institucionalë, biznesmenë të ndryshëm, artistë të njohur etj.

Ky projekt ka një kosto të përgjithshme prej 25 milionë eurosh, ku sipas tij, ideja ka qenë që nëpërmjet punës të tregohet përvoja e fituar në SHBA. “ Ideja ishte që të tregohet se edhe këtu mund të ndërtosh një Amerikë në miniaturë”, pohon Asanaj.

Mirëpo, ish-deputeti Rrustemi akuzon Asanajn se po manipulon me emrin Amerikë..

“Ky ka manipulu me fjalën Amerikë. Ata  që e keqpërdorin fjalën amerikan, janë kundër Amerikës. Me qenë mbarë e mirë kishin fillu hetimet në lidhje me këtë investim”, shton Rrustemi.

Sipas Rrustemit, Asanaj i ka shpërblyer me nga një shtëpi në këtë fshat zyrtarët më të lartë të vendit, duke filluar nga kryeministri Hashim Thaçi, ish-ministri i Transportit Fatmir Limaj, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi etj.

Këto deklarata të Rrustemit i mohon Asanaj, duke u shprehur se Kryeministrit dhe askujt tjetër nuk i ka falur shtëpi. “Miqve nuk u falet shtëpia, por u ndihmohet të ndërtojnë shtëpi”, shprehet Asanaj, duke garantuar se Thaçi nuk ka shtëpi në Fshatin Ndërkombëtar, mirëpo, se disa ministra të Qeverisë Thaçi janë bërë banorë të fshatit.

Besohej fillimisht se fshati i Dinos do të bëhej një qendër e përfaqësive diplomatike. Ajo u bë një qendër që graviton elitat e sotme përreth pushtetit. Brenda kornizës së kësaj lagje, këto elita jetojnë në një botë që krijon iluzion zhvillimi por që rrethohet me një ekonomi gjigande për nga fragjiliteti dhe varfëria.

Privatizimi është kritikuar për dështime të mëdha kryesisht pasi që shumë fabrika kthehen në toka që shiten si parcela dhe për korrupcion gjatë proceseve të shitblerjeve. Ky është padyshim ndër proceset më të shpejta dhe më të errëta të privatizimit në rajon.

Dino krahfuqishmi, përballë nevojës për transparencë, qasje fer dhe punës për rimëkëmbjen e ekonomisë, më shumë tregoi se kishtë lëkurën e trashë.

Profili i botuar fillimisht më 3 tetor 2010.