Ilustrim

Zylfie Bytyçi, e Vrarë në Afganistan

(E plotësuar) Zylfie Bytyçi, 35-vjeçare, është viktima nga Kosova, e vrarë në sulmin e mbrëmshëm vetëvrasës në Kabul të Afganistanit, raportoi Klan Kosova.

Bytyçi punonte në Afganistan qe një kohë të gjatë si staf civil në një kompani të angazhuar për trupat amerikane të NATO-s. Përfaqësues të kompanisë, e kanë njoftuar mbrëmë familjen Bytyçi në Ferizaj, për ngjarjen e rëndë.

Trupi i saj pritet të sillet për t’u varrosur në Kosovë pas rreth një jave.

Një kosovare vritet në Afganistan

Një shqiptare nga Ferizaj ka vdekur, kur një autobus i blinduar ushtarak, është sulmuar të shtunën, në Kabul, nga një sulmues vetëvrasës me makinë bombë.
 
Sulmi ka shkaktuar vdekjen e së paku 13 njerëzve, ndërsa në autobus mund të ketë pasur edhe kosovarë të tjerë, të cilët kanë shpëtuar, por mund të ndodhë që të ketë edhe të lënduar, raporton Portali KosovaTimes.net, duke u mbështetur në burime të saj

Ferizajasja e re punonte për një kompani private të kontraktuar nga ushtria amerikane, përfaqësues të së cilës kanë njoftuar familjen e saj për ngjarjen e rëndë.

Sulmin e kanë marrë përsipër Talibanët.