Si Shkonin Deri në Izrael...

Seanca në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë filloi të martën me 20 minuta vonesë për shkak të vonesës së kolegjit të gjykatësve dhe futjes së publikut në sallë. Gjykimi u mbajt në sallën e gjykimit dhe të gjithë e kishin të veshur uniformën pos avokatit Linn Slattengren, e ky gjykim nuk ishte i lajmëruar në tabelën e shpalljeve, por në web-faqen e EULEX’it.

Të pandehurve Lutfi Dervishi mjek dhe profesor urologjisë, Arban Dervishi ekonomist i diplomuar, Driton Jilta mjek nga komuniteti turk dhe punëtor shëndetësor i misionit të OSBE’së, Ilir Recaj mjek njëkohësisht edhe Sekretar Permanent në Ministrinë e Shëndetësisë në kohën e Alish Gashit, Sokol Hajdini mjek anesteziolog, Islam Bytyqi mjek dhe Sylejman Dula mjek iu kishte konfirmuar aktakuza në 2 mars 2011 .

Ata të gjithë akuzohen për krim të organizuar, trafikim me njerëz, ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe shpërdorim i detyrës zyrtare ose i autorizimit – të gjitha në bashkëkryerje.

Të pandehurit akuzohen që së bashku kanë ndërmarrë veprime kriminale duke i transplantuar veshkat e më shumë se 20 personave të ndryshëm nga vende të ndryshme, kryesisht nga Turqia. Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Veshkat u morën pacientëve nga vende të ndryshme duke ju transplantuar kryesisht Izraelitëve në këmbim të shumave të mëdha të parave, deri në 90000 dollarë për një transplanto. Kurse pacientëve (‘dhuruesve’) të veshkave u ishin dhënë premtimet se do të marrin nga 10000 deri në 20000 dollarë. Ky është aktivitet i ndaluar sipas ligjeve të Kosovës.

Aktakuza si dy persona kryesorë për kryerje e këtyre krimeve përmend Yousuf Sonmez dhe Moshe Harel, i pari turk e i dyti një izraelit i lindur në Turqi. Për të dytë ka një urdhër arresti në Interpol. Turku Sonmez thuhet se është arrestuar në Turqi.

Yousuf Sonmez dhe Moshe Harel po ashtu akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës për vepra të njëjta penale, por se të njëjtit janë në kërkim me që nuk janë gjendur në Kosovë në kohën kur policia ka kryer bastisjet dhe arrestimet.

Yousuf Sonmez thuhet se ka kryer të gjitha operimet duke bashkëpunuar me spitalin Medicus, ku edhe janë kryer ato. Ndërsa Moshe Harel ka qenë ndërmjetësuesi kryesor dhe njeriu që i ka gjetur pacientët, si ata ‘donatorë’ ashtu edhe ata që i kanë pranuar veshkat dhe kanë paguar për to.

Të pandehurit i kanë shfrytëzuar pozitat e dobëta materiale të ‘dhuruesve’ duke i shtyrë ata që të kryejnë këto veprime.

‘Dhuruesi’ Y.A. në deklarata e dhëna para hetuesve në nëntor vitit 2008 kishte thënë se ka marrë një premtim në të holla në vlerë prej 20.000 dollarë nga një person i quajtur Ismail.

‘Dhuruesi’ në deklaratat e tij kishte përmendur borxhet që i ka dhe se me vet dëshirë e kishte bërë një veprim të tillë, “Kam nevojë për para, kisha  shumë borxhe dhe mendoja për një jetë me të mirë”.

I njëjti kishte treguar se parat do t’i merrte pasi të arrinte në Aeroportin e Stambollit.

Para se të fillonte me leximin e aktakuzës, gjykatësi hapi seancën, konstatoi palët dhe iu lexoi të gjitha të drejtat që i kanë të pandehurit gjatë shqyrtimit. I njëjti iu mundësoj palëve që paraprakisht të deklarohen për çështje të tjera.

Avokati Slattengren ia kujtoi gjykatës që mbrojtja i ka dërguar asaj një kërkesë me tre pika. Pika e parë kërkon që shqyrtimi gjyqësor të shtyhet deri sa gjykata kushtetuese të marrë një vendim lidhur me kërkesën që i kishte dorëzuar mbrojtja. Sipas pikës së dytë, disa nga provat që janë marrë kërkohet të hidhen si të papranueshme. Ndërsa pika e fundit kërkon që të kthehet në posedim objekti i lokalit dhe të kthehen të gjitha aparaturat.

I njëjti ia dorëzoi prokurorit një faturë të energjisë elektrike për objektin e Medicusit që mbetet i konfiskuar ende.

Prokurori i u përgjigj këtyre kërkesave me atë se “procesi penal nuk mund të mbahet pezull, pasi që Gjykata Kushtetuese nuk është gjykatë e fundit ankimore”. E lidhur me klinikën deklaroi se nuk është me vendim të prokurorit e mbyllur, por gjykata ka lëshuar një urdhër për këtë.

Avokati Bajram Tmava e mbështeti kolegun e tij, ndërsa shtoi se gjykata duhet të shpallen të papranueshme edhe veprimet e bastisjes së Medicusit, kjo për faktin se gjatë bastisjes nuk ka qenë asnjë dëshmitarë, asnjë i pandehur, asnjë mbrojtës e po ashtu është bërë pa një urdhër të
gjykatës.

Gjykimi vazhdon të mërkurën me marrjen në pyetje të një dëshmitari të mbrojtur, në seancë të mbyllur.