Drejtori i Policisë viziton vendin e krimit në Pejë, thotë se po i trajtojnë me prioritet rastet e dhunës në familje

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se institucioni që ai drejton trajton me prioritet rastet e dhunës në familje.

Hoxha është deklaruar para gazetarëve, pas dy rasteve në pesë ditët e fundit në Kosovë, ku u vranë dy gra në Ferizaj dhe Pejë.

Hoxha ka thënë se tashmë ekziston një Task-Forcë që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

“Ekziston një Task-Forcë që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me parandalimin e dhunës në familje. Policia e Kosovës e trajton me prioritet rastet e dhunës në familje. Gjatë vitit që shkojë e kemi ngritur nivelin e sektorit të Policisë që merret me trajtimin e dhunës në familje, në nivel të drejtorisë, në nivel qendror” – ka thënë Hoxha.

Ai ka thënë se është rritur edhe numri i policëve në stacionet policore, në mënyrë që të jepen shërbime sa më profesionale.

“Gjithashtu po punojmë që edhe policët e parë që i përgjigjen rastit, të jenë sa më të përgatitur në mënyrë që rastet të trajtohen në mënyrë të drejtë” – ka thënë Hoxha.

Hoxha ka folur edhe për pjesëtarët e Policisë së Kosovës që dyshohen për dhunë në familje.

“Të gjitha rastet që policët mund të jenë të dyshimtë, për çfarëdo vepre penale, por edhe vepër penale të dhunës në familje trajtohen nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), varësisht nga hetimet dhe rezultate që nxjerrin ata, kanë nxjerrë rekomandime qoftë për suspendim qoftë për largim. Ne si Polici mbetemi ata që do të trajtojmë secilin që ushtron dhunë dhe secilin që e shkel Kodin e Procedurës Penal. Kështu që jemi duke i trajtuar të gjithë barabartë, çdo vendim të gjyqësisë apo të IPK-së ne do ta zbatojmë” – tha Hoxha.

Qyteti i Pejës është tronditur sot, më 16.04.2024, nga vrasja e një gruaje, nga i dyshuari burri i saj, i cili është arrestuar nga Policia. Krimi dyshohet se u krye në banesën e çiftit në Pejë.

Gruaja që mbeti e vrarë sot në qytetin e Pejës, Gjyljeta Ukella ishte e angazhuar si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë.

Vrasja e gruas në Pejë, bashkëshorti i saj dorëzohet në Polici