Behgjet Pacolli, Kryetar i AKR'së

Ai kreu studimet në Gjermani në vitet 1970, për t’u zhvendosur më vonë në Zvicër, ndërsa sot është pronar i kompanisë ndërkombëtare ndërtimore, Mabetex, e cila vepron në Itali dhe në disa ish shtete sovjetike.

Madje, për të thuhet se ka ‘rinovuar Kremlinin’ falë lidhjeve të afërta afariste me Moskën dhe se ka ndihmuar në ndërtimin e kryeqytetit të ri në Kazakistan.

Mabetex është gjithashtu një akter kryesor në ndërtimtarinë e Kosovës, duke realizuar një projekt në vlerë prej 15 milionë Euro në ndërtesën qeveritare, si dhe rinovimin e njërit nga hotelet më të njohura të Prishtinës, Hotel Ilirisë.

Partia e tij doli e treta në zgjedhjet e vitit 2007 me një program thellësisht teknokratik, duke premtuar transparencë, investime dhe vende pune.

Që atëherë, Pacolli, 59 vjeç, ka vepruar si ministër de fakto i punëve të jashtme, duke udhëtuar botën në përpjekje për të siguruar Kosovës njohje të reja.

Sukseset e tij, duke përfshirë njohjet nga Maldivet dhe shtete ishuj të tjerë, kanë bërë që ai të hyjë në konflikt me Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Ai nuk e ka fshehur dëshirën e tij për t’u bërë president i vendit, pozitë e cila iu dha atij si partner i koalicionit me PDK-në, pas zgjedhjeve nacionale në Dhjetor 2010.

Mirëpo, ai qëndroi pak më shumë se një muaj në këtë post pasi që Gjykata Kushtetuese kishte dhënën mendimin se zgjedhja e Pacollit ishte kundër kushtetutës.

Pacolli, sot është zëvendës kryeministër por mban edhe një rol të veçantë në çështjen e punëve te jashtme, duke lobuar për njohje të reja për shtetësinë e Kosovës.

Ky artikull është botuar më herët në BIRN në gjuhën angleze, më 10 Dhjetor 2010.