Kompensim për Atë që Mund të Kompensohet

Një vit e gjysmë pas endjes në qendrën e paraburgimit, gjykatën e Qarkut, dëmtimit të rëndë të reputacionit dhe humbjes së vendit të punës, e tëra që ish-Guvernatori mund të bëjë është të kërkojë kompensim nga shteti i Kosovës. Avokati mbrojtës i Hashim Rexhepit, Ramë Gashi, ka deklaruar për Gazetën Jeta në Kosovë se pasi të kalojë afati ligjor për ankesë, do të kërkojë kompensim për klientin e tij.

Veprat penale për të cilat ishte dyshuar Rexhepi në momentin e arrestimit janë venitur me kalimin e kohës. Në korrik të vitit 2010 ai ishte arrestuar në mënyrë spektakolare për shkak të dyshimeve që ishin ngritur rreth tij. Ai dyshohej për pesë vepra penale si keqpërdorim të detyrës zyrtare, shmangie nga tatimi, shpëlarje parash, ushtrim të ndikimit dhe marrje ryshfeti. Sikur këto vepra penale të provoheshin në gjykatë ish-guvernatori do të mund të dënohej me deri 20 vjet burg, pa përfshirë veprën penalë të shpëlarjes së parave.

Prej këtyre veprave penale vetëm keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe ushtrimi i ndikimit ishin paraparë në aktakuzën e ngritur nga prokurori, të cilës iu shtua edhe ajo e mashtrimit.

Më 15 dhjetor gjykatësi i EULEX’it për konfirmim nxori vendim më të cilin liroi Hashim Rexhepin nga të gjitha pikat e aktakuzës. Brenda afatit ligjor prej 3 ditësh, prokuroria ka të drejtë që të bëjë ankesë ndaj vendimit për lirim nga aktakuza. Për tri pika të aktakuzës së ngritur nga prokurori special, Nazmi Mustafi, gjykata nuk ka gjetur se ka elemente të kryerje të veprës penale, derisa për dy pika të tjera, prokuroria thuhet se nuk ka siguruar prova të mjaftueshme.

Humbja e vendit të punës, arrestimi spektakular  në të cilin qytetaret e Kosovës kujtojnë të qeshurat e ish guvernatorit, katër muaj prapa grilave nën akuzat për veprat e shumta penale dhe plot shtatëmbëdhjetë muaj duke jetuar nën presionet dhe akuzat e rënda, është bilanci për ish guvernatorin Hashim Rexhepi.