Shoku Enver, ose Gjysma e Jetës së Shtetit Shqiptar

Askush nuk kishte pasur qasje në arkivin personal të tij dhe pak kush di t’i kombinojë të dhënat në këso dokumente me rrëfimet e njerëzve të përfshirë në rrethanat për të cilat flasin dokumentet si një gazetar.

Të shumtë kanë qenë ata që kanë thënë se kanë mësuar të reja të padëgjuara për Enver Hoxhën nga biografia për të, e gazetarit Blendi Fevziu.

Që në hyrje të librit, Fevziu shtron pyetje që të fusin në rrëfimin e tij. A kishte qenë Shoku Enver Hoxha realisht komunist? A kishte qenë ai i pari i Partisë apo e kishte uzurpuar Partinë që mori pushtetin në dorë?  Pothuajse askush nuk pati kthjelltësinë të kuptonte se e gjitha kjo pati pak rëndësi. Enver Hoxha iu imponua lëvizjes komuniste, shfrytëzoi problemet dhe grindjet në gjirin e saj, lëvizi me talent spikatës mes liderëve të zhurmshëm të kohës, u ngjalli atyre besim, iu imponua, doli në krye dhe, më pas, i eliminoi të gjithë një nga një.

Ky është rrëfimi për sunduesin e egër që mbajti pushtetin e pakontestuar për 41 vjet në Shqipëri, deri vonë një nga vendet më të varfra të planetit.

“Për shumë vite me radhë Enver Hoxha i imponoi historisë versionin e tij. Ai rezultoi i paturpshëm për t’i transformuar ngjarjet, për t’i fshirë ose zhdukur personazhet dhe për të ngritur një protagonist të vetëm: atë vetë”, thotë Fevziu, në biografinë e tij.

Ndryshe nga shumë diktatorë të tjerë, vazhdon ai, Hoxha jo vetëm e shoqëroi trupimin e historisë me eliminimin e dëshmitarëve dhe të njerëzve që kishte pasur afër, atyre që nuk do t’ia pranonin trillet, por e nisi këtë eliminim dhe trukim shumë herët, jo kur u ngjit në piedestal, as kur u bë njeriu më i fortë i vendit.

“Ai i nisi trukimet dhe eliminimet që në vitet e para të karrierës së tij në Partinë Komuniste të Shqipërisë, që kur ishte ende ilegal, ende në kërkim dhe ende pa e pasur pushtetin që arriti ta ketë më pas”.

Pas viteve të ’90 dëshira për të treguar një rrëfim rreth biografisë së diktatorit të Shqipërisë ishte e parealizueshme sepse të gjitha informatat kanë qenë të kyçura në arkivin personal të Hoxhës, i cili për plotë 20 vite, pas vdekjes së tij, nuk u prek.

Me ardhjen në pushtet të një lideri të ri komunist, i posa kthyer nga Franca, me shkollim të lartë të pakryer, një ligjërues i moralit në liceun e Korçës, nga një familje Gjirokastrite, jo shumë aristokrate, nga prindër të zakontë, është e çuditshme se kush e inkuadroi atë në krye të partisë dhe kush e shtyu atë në krye të vendit, pas çlirimit fashist më 1944.

Shqipëria e xhaxhit,  nuk i la popullit të saj asgjë më shumë sesa 39 burgje të ngritura gjatë sundimit, 70 kampe të internimit (për ata që shpalleshin tradhtarë), asnjë person të shquar që e kishte njohur atë nga afër, që kishte nisur karrierën politike, ose që kishte rrugëtuar 40 vjet nëpër Shqipërinë komuniste, që ngrit vet Enveri. Disa nga këta persona kanë vdekur, shumicën i ka vrarë vetë.

Cili ishte ky personazh që dominoi gjysmën e jetës së shtetit Shqiptar?! Cili qe frymëzimi dhe filozofia që e shndërroi atë në një ndër diktatorët më të njohur të globit dhe një izolues total të vendit të tij?!

Historia s’u ka dhënë ende përgjigje të gjitha dilemave për të, por versioni që ai imponoi, për fatin e tij të keq, nuk mbijetoi dot. Enver Hoxha u tret, duke i lënë vendit një version tjetër, për njeriun që vdekja po e thërriste në mbretërinë e tij, në kulmin e sundimit të tij, në mesditën e 8 prillit 1985, kur Shqipëria mbeti pa sunduesin e saj që mbisundoi atë për 41 vite të plota.

Nga letrat e shumta, tashmë jo-sekrete, nga arkivi personal i Enverit, shumë qartë janë vërejtur shkresat e shpeshta, të futura nëpër zarfe të bardha, ku vetë Enveri kishte urdhëruar byronë e brendshme: “Person i rrezikshëm, mbajeni nën kontroll, po e drodhi bishtin, këputeni me nga një plumb pas qafe. Enver!” ose “…ta dekoroni me një plumb kresë. Ai s’është i mirë dhe duhet të zhduket. Gjeni mënyrën që të mos kuptohet, por edhe një mënyrë që të mos lihet pas dore kjo punë…”.

Po kaq i tmerrshëm është ndikimi i bashkëshortes së tij, Nexhmije (Xhuglini) Hoxha, e cila në një moshë shumë të re (21 vjeçare) fillon të drejtorë fatin e shumë njerëzve të afërm dhe të urdhërojë për likuidimin e tyre, një forcë kjo që në 10 vitet e fundit të sundimit të Enverit do të rritet dukshëm, pasi që çdo porosi e Enverit kalon nëpër duart e Nexhmijes (pas një infarkti që ai kishte pësuar), e cila nuk i kishte kursyer aspak plumbat e byrosë së brendshme për asgjësimin e shumë personave të rëndësishëm në historinë e vendit nën sundimin komunist dhe disa gjatë historisë të mëhershme të shtetit shqiptar.

Është me të vërtetë një histori rrëqethëse për fatin e të gjithë personave që u sollën afër tyre, për të gjithë ata që ishin më të zotët se vet sunduesi, për të gjithë ata që dëshironin një komunizëm më ndryshe, për të gjithë ata që u internuan për gjëra të kota, dhe për shumë persona të pafajshëm që fati i kishte shpënë tek dyert e burgjeve, edhe atë për vepra që nuk i kanë kryer vetë.