Aktiviteti elektoral i presidentit Biden me ish-presidentët Obama dhe Clinton, mbledh fonde rekord

NJU JORK – Një aktivitet për mbledhje fondesh i presidentit Joe Biden të enjten në qytetin e Nju Jorkut, po grumbullon rreth 25 milionë dollarë fonde, duke arritur kështu një rekord të ri në historikun e aktiviteteve politike, njoftoi ekipi i fushatës së tij.

Shuma e dhurimeve është një demonstrim i mbështetjes së demokratëve për presidentin Biden në një periudhë kur anketimet vazhdojnë të tregojnë nivele të ulëta mbështetjeje për të në opinionin publik. Shuma masive e fondeve për Presidentin do të vërë në provë efektivitetin e tyre ndërsa përballet me kandidatin e pritshëm të Partisë Republikane, Donald Trump, i cili ka dëshmuar më parë me fitoren në vitin 2016 ndaj Hillary Clinton se nuk i nevojiten fondet më të shumta për të fituar presidencën.

Aktiviteti në Sallën e Muzikës Radiofonike të qytetit do të spikasë ndër aktivitetet e fushatës elektorale. Presidenti Biden ka vizituar disa shtete vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve gjatë tre javëve pas fjalimit për Gjendjen e Vendit, që u pa si një apel për t’u bashkuar në mbështetje të rikandidimit të tij. Aktiviteti i së enjtes do të mbledhë së bashku figura të njohura të demokratëve që kanë qenë në udhëheqjen e vendit për rreth tre dekada.

Ish presidenti Obama iu bashkua presidentit Biden në avionin presidencial Air Force One që udhëtoi nga Uashingtoni drejt Nju Jorkut. Ata përshëndetën së bashku ndërsa zbrisnin shkallët e avionit në aeroportin ndërkombëtar “John F. Kennedy” dhe udhëtuan me autokolonën presidenciale drejt Manhatanit. Ish presidenti Clinton pritej t’u bashkohej në vendin ku do të mbahej aktiviteti.

Aktiviteti disaorësh ofron për kontribuesit nivele të ndryshme qasjeje, sipas nivelit të fondeve të dhëna. Pjesa qendrore është biseda në skenë me tre presidentët, e drejtuar nga drejtuesi i emisioneve të mbrëmjes Stephen Colbert. Do të ketë gjithashtu një pjesëmarrje të artistëve si Queen Latifah, Lizzo, Ben Platt, Cynthia Erivo dhe Lea Michelle, me moderatore aktoren Mindy Kaling. Spektatorët pritet të jenë me mijëra dhe biletat fillojnë që nga çmimi 25 dollarë.

Sa më e lartë të jetë shuma e dhuruar aq më e gjatë mund të jetë koha që mund të bisedohet me presidentët. Një fotografi me tre presidentët kushton 100 mijë dollarë. Një donacion prej 250 mijë dollarësh u jep donatorëve qasje tek një pritje, ndërsa 500 mijë dollarë u siguron ftesa për takime edhe më të veçanta.

“Por festa nuk përfundon këtu”, thuhet në njoftimin e fushatës. Zonja e Parë Jill Biden dhe DJ D-Nice do të organizojnë një festë më pas në sallën e Radio City me 500 të ftuar.

Ish presidentët Obama dhe Clinton po e ndihmojnë Presidentin Biden të rrisë avantazhin e tij me donacione ndaj zotit Trump. Në fund të muajit shkurt, Presidenti Biden kishte një fond prej 155 milionë dollarësh, krahasuar me fondin e zotit Trump prej 37 milionë dollarësh.

“Kjo rritje historike tregon entuziazmin e fuqishëm për Presidentin Biden dhe Nën-presidenten Harris dhe është dëshmi e sistemit të pashembullt për mbledhjen e fondeve që kemi ndërtuar”, tha njëri nga drejtuesit e fushatës Jeffrey Katzenverg. “Në dallim nga kundërshtari ynë, secili dollar që kemi mbledhur do të shpenzohet për të arritur tek votuesit që do të përcaktojnë fituesin e këtyre zgjedhjeve – për të treguar për rekordin historik të presidentit, vizionin e tij për të ardhmen dhe për të theksuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve”.

Gjatë javëve të fundit, zoti Trump ka qëndruar në hije, pjesërisht për shkak të paraqitjeve në gjykata për çështjet e ndryshme penale ndaj tij, shpenzimet e të cilave po i paguan me fondet e donatorëve.

Disa zyrtarë republikanë janë të shqetësuar nëse fushata e zotit Trump ka infrastrukturën e mjaftueshme për një betejë elektorale kundër Presidentit Biden.

Zëdhënësi i ekipit të zotit Trump, Steven Cheung hodhi poshtë rëndësinë e aktivitetit të së enjtes të Presidentit Biden.

Njëri nga bashkëpunëtorët e dy ish presidentëve, Leon Panetta e përshkroi këtë takim donatorësh si një moment të rëndësishëm të fushatës.

“Ky takim, para së gjithash, zgjeron dhe përforcon përkrahjen e të gjithë demokratëve”, deklaroi ai.

Zoti Panetta tha se dy ish presidentët, që njihen si politikanë me përvojë, mund ta ndihmojnë zotin Biden të formulojë më mirë mesazhin e tij./VOA