Policia për plagosjen në Lupç: Të dyshuarit shkuan në Bërnicë për të raportuar rastin

Katër persona janë plagosur, tre prej tyre me armë zjarri e njëri me thikë, në një incident që ka ndodhur sot, më 01.05.2024, në fshatin Lupç të Podujevës.

Lidhur me rastin, Prokuroria e Prishtinës ka lëshuar aktvendim për ndalimin për 48 orë të pesë personave të dyshuar.

KALLXO.com publikoi foto nga një vend që sipas raportuesit ishte në fshatin Bardhosh të Prishtinës.

Në foto shihen vetura të Policisë dhe dy autoambulanca.

KALLXO.com i kishte dërguar pyetje Policisë lidhur me këtë rast.

Më vonë, Policia ka njoftuar se incidenti ka ndodhur në fshatin Lupç të Podujevës dhe se ishin plagosur katër persona.

Ndërsa, zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti, në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se fotot e publikuara nga KALLXO.com ishin nga nënstacioni policor në Bërnicë.

Sipas zëdhënëses, të dyshuarit kishin shkuar në këtë nënstacion për ta raportuar rastin, pasi që ky nënstacion ishte më i afërti.

Të plagosurit në këtë rast janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.