Taksat u Shkojnë Mohuesve të Gjenocidit

Ministria e Drejtësisë së Republika Srpskas, vitin e kaluar kishte kanalizuar 275,000 Marka Boshnjake, rreth 140,600 euro, tek një organizatë e cila këmbëngul se masakra e korrikut të vitit 1995 në mbi 8 mijë boshnjakë [muslimanë] në Srebrenicë nuk ishte vepër gjenocidi.

Shifrat dolën në pah në raportin vjetor të vitit 2010 të Auditorëve Supremë të Republika Srpskas, i cili u publikua muajin e kaluar.

Stichting Srebrenica Historical Project (Organizata Projektit Historik i Srebrenicës), OJQ me seli në Hagë thotë se ajo që ka ndodhur në Srebrenicë ka qenë “një masakër e tmerrshme e të burgosurve të luftës,” por këmbëngul në atë se nuk ka qenë akt gjenocidi.

Objektivat e organizatës, sipas faqes së tyre në internet është që “të krijojë një regjistër gjithëpërfshirës dhe kontekstual, për dallim prej regjistrave veçues – të ngjarjeve historike në Srebrenicë mes vitit 1992 dhe 1995.”

Stephen Karganovic, nënshtetas amerikan me origjinë nga Serbia, shef i këtij projekti, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se ai ka dëshmuar në dy gjykime si dëshmitar i mbrojtjes në cilësinë e ekspertit, pranë gjykatës shtetërore të Bosnjë e Hercegovinës.

Karganovic kishte dëshmuar në gjykimet e Jeviqit (me të tjerë) dhe Pelemis e Periqit, si dëshmitar i mbrojtjes për Serbët e Bosnjës në gjykimet për gjenocid në Srebrenicë. Në dëshminë e tij, ai pohon se enklava e Srebrenicës, që ishte konsideruar nga Kombet e Bashkuara si zonë e sigurt, në fakt nuk ishte demilitarizuar deri në vitin 1995, e duke thënë se Armata e Bosnjë dhe Hercegovinës “zbatoi operacione ushtarake nga ajo zonë”.

Ai po ashtu në dëshminë e tij tha se nga mijëra njerëz që kishin vdekur gjatë braktisjes së enklavës, kur ushtria e Republika Srpskas kishte marrë kontrollin, një e treta e gati gjysma e tyre kishin qenë luftëtarë e jo civilë.

Para ditës përkujtimore të 16 vjetorit të masakrës së korrikut, organizata postoi një shkrim në internet (blog) me titull “Srebrenica ka qenë operacion i planifikuar nga brenda,” duke sugjeruar se presidenti i atëhershëm i Bosnjës, Alija Izetbegoviq, “mbajti peng popullatën civile të Srebrenicës, nxiti serbët e Bosnjës që të sulmonin enklavën, dhe pastaj braktisi popullatën civile duke i lënë në mëshirë të armikut sulmues”.

Organizata gjithashtu ka hedhur në gjyq qeverinë e Holandës dhe Kombet e Bashkuara me arsyetimin se paqeruajtësit e OKB-së nga Holanda, të stacionuar në Srebrenicë, nuk arritën të mbrojnë serbët vendorë.

Faqja e organizatës Srebrenica Projekt Historik është e hapur sa i përket lidhjeve të saja të afërta me autoritetet në Republika Srpska.

“Autoritetet e larta të Republika Srpskas kanë pikëpamje shumë dashamirëse për përpjekjet [tona],” thotë ai, duke shtuar se kjo organizatë ka “bashkëpunim të shkëlqyer logjistik me Sekretariatin për hetim të krimeve të luftës në Republika Srpska në Banja Llukë, si dhe me Ministrinë e brendshme të RS-së”.

Sipas auditimit të vitit 2010, shuma që i është paguar OJQ-së është dy herë më shumë se shuma të cilën Ministria ka ndarë për ekipin zyrtar të njësisë përgjegjëse për krime të luftës dhe për personat e zhdukur.

Njësia serbe ka financuar 115,607 Marka të Bosnjës për këto aktivitete, pak më shumë se 59,100 €.

“Është absolutisht e papranueshme që paratë e taksapaguesve, që vijnë nga të gjithë banorët e Republika Srpskas, po shkojnë për të mbështetur gjëra të tilla si mbrojtjen e Ratko Mlladiçit, dhe organizata [që mohojnë gjenocidin],” tha Muhamed Durakovic, qytetar i Srebrenicës, për Gazetën Jeta në Kosovë.

Durakoviç foli me kritika lidhur me 50,000 eurot që Republika Srpska ka njoftuar se do t’i kontribuojë në drejtim të mbrojtjes së Mlladiçit, ish komandanti serb boshnjak i cili po gjykohet në Hagë për gjenocidin në Srebrenicë dhe në pjesë të tjera të Bosnjës.

“Viktimat e gjenocidit janë ato që po paguajnë për mbrojtjen e personit i cili urdhëroi atë, si dhe për ata që tani po kërkojnë ta mohojnë atë, gjë që është e papranueshme”, shtoi Durakovic.

Vitin e kaluar ai themeloi Universitetin Veror të Srebrenicës, e cila tërheq studentë të drejtësisë tranzicionale nga e gjithë bota.

Durakovic tha se organizata Projekti Historik Srebrenica në mënyrë të qartë nuk është e interesuar të gjejë trupat e personave të zhdukur, meqë prezenca e tyre ka munguar në ditët përkujtimore, si dhe kanë dështuar sa i përket bashkëpunimit me OJQ-të tjera nga Republika Srpska që ndjekin këtë qëllim.

“Ata nuk marrin pjesë në asnjë mënyrë në aktivitetet e përbashkëta me OJQ-të, ata vetëm po mundohen të nxisin më shumë armiqësi,” pohon ai.

Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ICTY, si dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka klasifikuar të dy ngjarjet e korrikut të vitit 1995 në Srebrenicë si akte të gjenocidit, në vitet 2004 dhe respektivisht 2007.

Oleg Milisic, nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë, OHR, trupit ndërkombëtar të ngarkuar me mbikqyrjen e Bosnjes, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se ata nuk mund të komentojnë lidhur me punën e grupeve të atilla si OJQ-ja me seli në Holandë.

OHR nuk do të ndërhyjë në diskutimet lidhur me financimin e “revizionizmit historik”, meqë vetëm “qeveria e Republika Srpskas është përgjegjëse për atë se si i shpenzon fondet publike”, tha ai.

Megjithatë, Milisic tha se liderët politikë të serbëve të Bosnjës e kishin obligim të vazhdueshëm të merreshin me trashëgiminë e krimit të kryer në Srebrenicë.

“Kjo ka të bëjë me sjelljen para drejtësisë të autorëve të vërtetë, dhe me pranimin e fakteve,” tha ai.

“Ka nga ata që vazhdojnë të këmbëngulin se vrasësit nuk janë vrasës, se viktimat nuk janë viktima, se të vdekurit nuk janë të vdekur, dhe e vërteta është se me këso veprimesh këta njerëz vënë veten e tyre përtej standardeve të qytetërimit,” tha ai.

Gjer në kohën e këtij publikimi, Ministria e Drejtësisë e Republika Srpskas nuk i është përgjigjur Gazetës Jeta në Kosovë për të komentuar rreth shfrytëzimit të fondeve publike për OJQ-në me seli në Hagë.

Ky artikull është botuar më herët në BIRN në gjuhën angleze, më 1 shtator 2011.