Objektivat Ekologjike të Malit të Zi nuk Kalojnë Testin e Kohës

Njëzet vjet pasi republika e Malit të Zi kishte shpallur veten shtet mjedisor, “koncepti i ‘shtetit ekologjik’ ekziston vetëm në letër”, tha Kristine Blolkus nga UNDP në muajin shkurt të këtij viti, pas një vizite të bërë Malit të Zi nga një delegacion i përbashkët mes Programit Zhvillimor të Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe BE-së, me qëllim që të shohin rezultatet.

Në prag të 20-vjetorit të shpalljes, më 20 shtator, shumica e ambientalistëve vendorë pajtohen në atë se statusi i “shtetit ekologjik” të Malit të Zi është një dokument i vdekur.

Pamja në sipërfaqe është se Mali i Zi është më i mbuluar me mbeturina tani se sa që ishte atëherë.

Për shembull, Mali i Zi akoma duhet të ndërtojë centralin e parë të riciklimit për mbeturina. Ndërkohë, gati secili qytet shfaq mosrespekt flagrant për mjedisin në mënyra të ndryshme.

Të dhënat e qeverisë konfirmojnë atë se Mali i Zi prodhon më shumë mbeturina se sa që mund të përballojë.

Nga sasia totale e mbeturinave të prodhuara në Mal të Zi brenda një viti, gjithsej rreth 193,148 tonë, vetëm 96,574 tonë – që paraqesin më pak se gjysmën – mbledhet dhe deponohet.

Predrag Miranovic, fermer nga Tolosi, fshat afër Podgoricës, thotë se është vështirë të kuptohet se kush e trajton mjedisin më keq, “njerëzit e zakonshëm që jetojnë këtu, apo autoritetet që nuk japin as një qindarkë për mbrojtje të mjedisit”.

Ai thotë se kjo gjendje katastrofale e mjedisit mund të shihet nga gjendja e lumit Marëza, nga i cili lum i tërë kryeqyteti i Podgoricës merr ujin e pijshëm.

Që nga burimi i saj e gjer në bashkimin e tij me lumin më të madh të vendit, Moraçën, ky lum i vogël por i rëndësishëm është përplot bërllok, thotë ai.

“20 vjet më parë pija ujë çdo ditë nga ky lum, por shikojeni atë, mendoj se edhe miu do të helmohej po të binte në të,” mahitej ai.

Burimi i Vasova Voda

Buna e Adriatikut është tjetër viktimë e qëndrimit pa respekt ndaj mjedisit natyror, që i bëhet nga ana e vendit.

Çdo vit ajo mbulohet në bërllokun që lëjnë pas turistët, ndërsa që autoritetet nuk kanë mjete për t’u dalë ballë.

Zef Ivanaj, 56 vjeç, pronar vendas i një restorani, thotë se si turistët ashtu edhe banorët janë të paskrupullt kur është fjala për hedhjen e mbeturinave.

“Ka bërllok në çdo anë. Ata hedhin mbeturina në lum, në det dhe gjatë rrugës,” tha ai.

“Në rrugë shihen edhe kamionë që vijnë e marrin rërën e Bunës, sepse është e mirë për ndërtim,” shtoi ai.

“Kjo është një rezervë natyrore, vendbanim i rreth 120 lloje të zogjve, por njerëzit agresivisht po shkatërrojnë vendin”, nënvizoi Ivanaj.

Një tjetër pikë famëkeqe ekologjike në Mal të Zi është fabrika e përpunimit të xehes së hekurit, në qytetin e Nikshiqit.

Hekuri dhe çeliku prodhohen pa filtra mbrojtës, dhe si rrjedhojë e saj ajri i qytetit është ndër më të ndoturit në Evropë.

Banorët e Nikshiqit kanë protestuar për vite me radhë kundër ambientit të fëlliqur të jetës së tyre, si dhe kanë nënshkruar një peticion që bën thirrje për mbylljen e fabrikës, por ishte e kotë.

Aleksandar Perovic, nga lëvizja mjedisore “Ozone” me seli në Nikshiq, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se Mali i Zi nuk ka bërë asnjë përparim qëkur ishte bërë shpallja e statusit ekologjik të vendit para 20 vjetësh.

“Qeveria jonë po krijon iluzionin e një shteti ekologjik ndërsa që fsheh sasi të madhe të ndotjes e cila po helmon Malin e Zi,” tha Perovic.

“Mjafton si informatë fakti që Komuna e Nikshiqit në dy vitet e fundit ka ndarë vetëm 5,000 euro për aktivitete ekologjike,” shtoi ai.

Pesë pikat më të zeza:

– Fabrika e aluminit në Podgoricë (pishina me baltë të kuqe industriale dhe mbetje industriale)

– Fabrika e përpunimit të hekurit dhe çelikut në Nikshiq (mbeturina industriale, nuk ka filtra për ndotësit e fabrikës)

– Bregu i anijeve në Bijela, afër Herceg Novit (mbeturina industriale dhe ndotje detare)

– Termocentrali i Plavës (hiri helmues dhe mbeturinat industriale)

– Miniera e qymyrit në Plavë (smogu dhe ndotja industriale e lumit).

“Dënimet për ndotësit industrialë janë po ashtu minimale, kështu që industritë ndotëse preferojnë që të paguajnë gjobat në fund të vitit, se sa të instalojnë sisteme të mbrojtjes së mjedisit,” shpjegoi Perovic.

Një rast tjetër famëkeq të cilit për vite me radhe i janë shmangur autoritetet është ai i zonës së Vasove Vodës, afër Beranit, në veri të Malit të Zi.

Autoritetet lokale prej kohësh kanë hedhur mbeturina këtu, në afërsi të burimit të madh të ujit të pijshëm.

Krenaria dhe gëzimi i vendit, Liqeni i Shkodrës, për pak shpëtoi pa u bërë skenë e një fatkeqësie të madhe mjedisore vitin e kaluar.

Pas një serie përmbytjesh në dhjetor dhe janar 2011, tonelata mbeturina që kanë qenë të hapura janë tërhequr poshtë dhe janë derdhur në brigjet e liqenit, në afërsi të ujit.

Vetëm në sajë të reagimit shumë të shpejtë të grupeve ekologjike të vendit, ky liqe, si një nga rezervat më të mëdha të shpendëve në Europë, u shpëtua nga helmimi.

Ambiciet e Malit të Zi për të zhvilluar potencialin e vet industrial bie në kundërshtim me objektivat mjedisore të vendit.

Në bashkëpunim me homologët nga shteti fqi i Bosnjë dhe Hercegovinës, në janar të vitit 2004, qeveria shpalosi planet e ndërtimit të një centrali të energjisë hidroelektrike në grykën e lumit Tara, që është kanioni i dytë më i madh në botë pas Kolorados në SHBA si dhe një nga lumenjtë më të pastër në Europë.

“Nuk dua moçal, e dua Tarën,” ishte sllogani që e krijuan OJQ-të e Gjelbra, të cilët organizuan një peticion kundër digave (pendave). Brenda vetëm një dite, më 8 shtator, ata kishin marrë 15,000 nënshkrime.

Të ndikuar nga kjo opozita publike, autoritetet tërhoqën projektin e grykës së Tarës.

Por, ata janë duke kërkuar vendin për ndërtimin e centraleve të reja hidroelektrike mbi një lum tjetër, atë të Moraçës.

“Nuk ka ndonjë dallim të theksuar mes planit për Tarën dhe atij për Moraçën”, pohoi ekologu Aleksander Raznatovic.

Ndotje e madhe ne burimin Vasova Voda, Mal të Zi

Disa grupe të Gjelbra shpresojnë se ambiciet e Malit të Zi për të hyrë në Bashkimin Evropian do të rezultojnë në shtim të presionit ndaj shtetit që me të vërtetë të pastrojë punën që ka fëlliqur.

Një nga detyrimet e Malit të Zi si shtet kandidat për anëtarësim është zgjidhja e çështjes së largimit/deponimit të mbeturinave.

Por, gjer tani, shteti ka ndërtuar vetëm një deponi sanitare mbeturinash, në Podgoricë.

Autoritetet duket se e pranojnë se projekti i ndërtimit të shtetit ekologjik në një farë mënyre ka dështuar – por ata janë të prirur të mohojnë se nuk është bërë asgjë për çështjet mjedisore në 20 vitet e fundit.

“Ka shumë gjëra që duhen bërë para se të mund të themi se shpallja e Malit të Zi shtet ekologjik është bërë në mënyrë të drejtë,” tha me diplomaci ministri i mjedisit dhe turizmit Predrag Sekuliq pak kohë më parë.

“Është shumë e vrazhdë të thuhet se shpallja ekziston vetëm në letër, por unë besoj se ne gjithmonë mund të bëjmë më shumë,” tha ai për të përditshmen Dan.

Ivana Vojinovic, nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit, tha se jo gjithçka varej prej qeverisë. Duhej ftuar edhe qytetarët.

“Qeveria nuk ka mundësi që vetë të krijojë shtetin ekologjik,” tha ajo për Gazetën Jeta në Kosovës, “ajo ka shumë nevojë për ndihmë nga qytetarët dhe për rolin aktiv të tyre në këtë proces”.

Ky artikull është botuar më herët në BIRN në gjuhën angleze, më 12 qershor 2011