Politika Asnjanëse e Brukselit

Malli që hyn në Kosovë përmes pikëkalimeve kufitare, përveç atyre në Jarinje dhe Bërnjak, i nënshtrohet disa procedurave doganore që e sigurojnë shtetin se importuesit do t’i kryejnë obligimet e tyre doganore dhe tatimore të mallit.

Në pikëkalim, doganierët u kërkojnë transportuesëve dokumentet përcjellëse të mallit, të cilat fotokopjohen dhe arkivohen aty, ndërsa origjinalet u kthehen transportuesëve. Dokumentet personale të vozitësit dhe dokumentet e mjetit transportues ndalen dhe më vonë dërgohen nga zyrtarët doganorë në njërën prej tetë terminaleve doganore që ka Kosova. Transportuesit do t’i bllombohet mjeti dhe do të drejtohet të shkojë në po të njëjtin terminal, ku pastaj kryhen procedurat vijuese: vlerësimi i tatimeve dhe akcizave të ndryshme që duhet të paguhen nga importuesit në atë mall.

Deri në vitin 2008 kur dogana udhëhiqej nga UNMIK’u, malli që importohej në Kosovë kalonte nëpër të gjitha procedurat e lartpërmendura doganore. Megjithëse kjo asnjëherë nuk ka funkcionuar shumë mirë, veçanërisht në dy pikëkalimet veriore të cilat në atë kohë menaxhoheshin nga doganierë serbë kosovarë të punësuar nga UNMIK’u, hirearkia dhe rregullat kanë ekzistuar dhe në parim doganierët kanë qenë të detyruar t’u përmbahen atyre.

Pas kalimit të përgjegjësive të doganës në institucionet e Kosovës, pikëkalimi kufitar në Jarinje u dogj nga një grup protestuesish serbë ndërsa 30 serbët e punësuar aty vendosën të mos  punojnë më për këtë institucion. Për shkak se siguria e doganierëve vendorë në veri nuk mund të garantohej më, ata u tërhoqen plotësisht dhe u zëvendësuan me doganierë të EULEX’it.

Mirëpo, dokumenti që e përcakton mandatin e EULEX’it në Kosovë (Council Joint Action 2008) nuk u jep atyre autoritet ekzekutiv mbi doganat, por vetëm rol monitorues dhe këshillues. Kështuqë, e gjithë që mund të bëhej nga doganierët e EULEX’it në veri ishte evidentimi i mallrave që hynin nëpërmjet pikëkalimeve kufitare Jarinje dhe Brnjak, duke anashkaluar procedurat e rregullta të doganimit. Transportuesëve nuk u merreshin më dokumentet personale dhe ata nuk detyroheshin të shkojnë në terminalin doganor të Mitrovicës që ta bëjnë deklarimin e mallit. Si rezultat, vetëm ato mallëra që kishin destinimin e ligjshëm në jug të lumit Ibër deklaroheshin vullnetarisht në terminal (kjo supozohet të jetë diku 30% e vlerës totale te mallrave të hyra). Të tjerat shiteshin të pa doganuara në veri, kontrabandoheshin në Serbi ose nëpër pjesë tjera të Kosovës. Vlerësohet që ky keqmenaxhim i doganimit të mallrave në veri i kushtoi buxhetit të Kosovës rreth 150 milionë euro.

Mandati i kufizuar mbi doganat nuk ka qenë arsye për mosveprimin e EULEX’it në veri. Duke marrë parasysh që ky mision i ka evidentuar të gjitha mallërat që kanë hyrë në Kosovë, një krahasim i thjeshtë me listën e mallërave që janë doganuar në terminalin e Mitrovicës do t’i zbulonte të gjithë ata që nuk e kanë deklaruar mallin e importuar. Ndjekja e tyre penale përfshihet në ombrellën e luftimit të krimit të organizuar, që është pjesë e mandatit ekzekutiv të EULEX’it. Është shqetësuese që misioni europian ka vendosur që as këtë funksion të mos e kryej në veri të Kosovës.

Janë dy arsye kryesore pse EULEX’i është treguar impotent në veri: e para, ata seriozisht frikësohen nga serbët e veriut dhe ndihen të papërgaditur (fizikisht dhe emocionalisht) të luftojnë për ta zbatuar mandatin e vet. E dyta, pesë vendet anëtare të BE’së që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës nuk e lejojnë EULEX’in të punojë në mbledhjen e tatimeve për buxhetin e vendit sepse kjo, sipas tyre, mund të intepretohet si legjitimim i shtetësisë së saj.

Nëse ka qenë e pamundur për EULEX’in t’i ndjekë penalisht kontrabanduesit si dhe ta kryej punën e doganierëve në veri, atëherë zgjidhja më e mirë do të ishte mbyllja e këtyre dy pikëkalimeve për të gjitha mallërat deri sa të gjendej një mënyrë më efikase për funksionalizimin e tyre. Mallërat nga Serbia do të mund të kalonin nëpërmjet pikëkalimeve tjera që i ka me Kosovën. Në fakt, në vitin 2008 kjo ka qenë kërkesë e zyrtarëve nga dogana e Kosovës por askush nuk e ka përfillur këtë  kërkesë të tyre. Kjo sjell dyshime se mos EULEX’i ka qenë duke përfituar në ndonjë mënyrë nga kaosi që ka mbizotëruar në veri këto tri vitet e fundit.

Në vitin 2008, Kombet e Bashkuara kanë bërë dy propozime sa i përket doganave të Kosovës. E para ka qenë propozimi për Prishtinën në kuadër të gjashtëpikëshit, ku propozohej të krijohej një fond i veçantë për akumulimin e tatimeve dhe akcizave në veri dhe këto të holla të shpenzoheshin atje. Natyrisht, Prishtina e refuzoi këtë propozim sepse kjo do t’i pavarsonte komunat veriore financiarisht nga Prishtina. E dyta ishte propozimi që iu bë Beogradit për  pranimin e vulave të Kosovës pasi që në to nuk shkruan “Republika e Kosovës” dhe janë në përpuethshmëri me Rezolutën 1244. Beogradi gjithashtu e refuzoi këtë propozim.

Vetëm tash, pas tri vitesh, për shkak të rrethanave të reja në të cilat gjendet, Beogradi zyrtar e pranoi propozimin e KB’së. Në një intervistë për gazetën “Politika”, kryenegociatori serb Stefanovic e citoi pikërisht këtë propozim të KB’së si arsyen pse ata i pranuan vulat. Shtrohet pyetja se a po shkon edhe Prishtina drejt pranimit të krijimit të buxhetit të ndarë për veriun? EULEX’i me mandatin që ka nuk do të mund t’i funksionalizojë doganat në veri në asnjë mënyrë tjetër, ndërsa institucionet e Kosovës nuk po munden ta anashkalojnë EULEX’in në këtë punë.

Brukseli do të mund të krijonte mundësi të mirë për funksionalizimin e doganave nese do ta lejonte EULEX’in të punojë sipas ligjeve të Kosovës. Mirëpo, kjo duket të jetë gjithashtu  e pamundshme: kancelarja Merkel, me gjithë mesazhin e fortë drejtuar Beogradit, kur erdhi puna te EULEX’i e luti Beogradin t’ia mundësojë atij punën në veri, duke harruar se vetëm vendet anëtare të BE’së, e jo Beogradi, mund ta bëjnë këtë.

Duke mos e lejuar EULEX-in ta interpretojë mandatin e vet që të jetë më pro-aktiv në Kosovë, Brukseli hapi rrugë për një konflikt të mundshëm serioz në veri mbi një çështje që edhe pse sensitive në parim është e zgjidhshme. Përderisa Brukseli të mos mund të flasë me një zë për Kosovën është ndoshta më mirë të tërhiqet dhe të mos e dëmtojë tutje këtë proces të brishtë.