Gjërat befasuese që EULEX’i thotë për veten

Po të lexohet me kujdes, raporti i fundit i EULEX’it i cili është në dispozicion edhe në internet – i datës 21 korrik 2011, i paraqitur para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara B më 30 korrik bashkë me raportin e UNMIK’ut – del të jetë më interesant se sa që është menduar të jetë.

“Çështja e imunitetit parlamentar të Limajt sa i përket arrestimit si deputet i kuvendit ende ka nevojë të qartësohet, dhe Misioni ka kërkuar shtigje të ndryshme ligjore dhe politike për të marrë qartësim të rastit […]”, shkruan në faqen 15. Këtë e kemi ditur, por çka është interesante – dhe një sinqeritet për admirim nga ana e tyre – është që këtë e hasim të shkruar kaq qartë: ‘shtigje politike’ dhe ‘marrje e qartësimit’.

Tash, rasti i Limajt është në duart e gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX’it. Këta janë njerëz puna e të cilëve është të zbatojnë ligjin. Kjo detyrë e tyre nënkupton që ata së pari duhet ta studiojnë ligjin dhe ta kapin kuptimin e saktë të tij, e pastaj ta zbatojnë atë sipas rrethanave të rastit. Studimi, interpretimi dhe zbatimi i ligjit janë gjëra të cilat duhet t’i bëjë çdo prokuror dhe gjyqtar, sipas dijenisë së vet më të mirë dhe gjykimit të pavarur: duke përjashtuar për shembull, pranimin e ‘qartësimeve politike’. Në këtë rast shtrohet pyetja: a mund të arrestohet Limaj?

Ligjet e UNMIK’ut nuk e pengojnë këtë gjë, ndërsa Kushtetuta e liron Limajn nga mundësia e arrestit; mirëpo ky lirim/përjashtim ka kufi. Kështu që, pyetja shndërrohet në: a është i zbatueshëm ligji i Kosovës apo ai i UNMIK’ut në këtë rast? Dhe, nëse vlen ligji i Kosovës, a mundet EULEX’i ta arrestojë Limajn duke u mbështetur në kufizimet që ka ai përjashtim? Të dy pyetjet janë pyetje që kanë të bëjnë vetëm me ligjin, përgjigjet në të cilat – bazuar në parimin e ndarjes së autoritetit dhe pavarësisë së gjyqësorit – duhet t’i japin, madje mund t’i japin vetëm gjyqtarët dhe prokurorët e ngarkuar me rastin. Rrjedhimisht, duke ndjekur ato ‘shtigje politike dhe ligjore’ EULEXi në mënyrë implicite po na thotë se (1) nuk i beson gjykimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në ato pyetje ligjore, (2) nuk ka juristë tjerë që të mund të përgjigjen, (3) preferon mendimin politik dhe ligjor të palëve tjera të paspecifikuara, dhe prandaj (4) ai nuk beson në ndarjen e autoritetit dhe pavarësinë e gjyqësorit.

Se EULEX’i ka pak durim sa i përket këtyre dy parimeve, nuk është ndonjë risi: në muajin prill kam shkruar lidhur me një udhëzim përmes të cilit, më 8 nëntor 2010, shefi i këtij misioni kishte shkelur që të dyja këto parime duke shpallur një dekret, me të cilin prej atij momenti e tutje, çdo “veprim ligjor i çfarëdo rëndësie të madhe” (nocion ky i cili – shikuar bukvalisht – përfshin hetimet, bastisjet, arrestimet dhe gjykimet) sa i përket veriut të Kosovës, do të duhet të miratohet së pari nga ana e tij; paramendoni se çfarë do të thoshte EULEX’i sikur qeveria e Kosovës të shpallte një udhëzim të ngjashëm për gjyqtarët e vendit. Sa i përket ‘veprimeve ligjore’ tjera, atyre që nuk kanë të bëjnë me veriun, shefi i misionit mjafton të ketë vetëm informacion paraprak. Mirëpo, kjo gjë është shumë më e ndjeshme se që tingëllon: falë kontratave afatshkurtëra dhe klauzolave për shkëputje të kontratave, shefi i misionit ka një instrument të fuqishëm për të ndikuar vendimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe falë informacionit paraprak, ky lloj ndikimi mund të ushtrohet para se ‘të ndërmerren veprimet ligjore’; kështuqë, varësisht se si mund të përdoret, informacioni paraprak nuk dallon shumë nga miratimi paraprak. Deri diku paradoksale, në rastin e Limajt, qëllimi politik nuk është të ndalet veprimi ligjor, por të favorizohet ai: duket se të gjithë duan që Limaj të arrestohet, dhe se ‘shtigjet ligjore dhe politike’ janë ndërmarrë me qëllim që t’u tregohet gjyqtarëve e prokurorëve në krye të rastit se, përkundër rezervave të tyre (duhet të kenë ca rezerva, përndryshe Limaj tashmë do të ishte në burg, sikurse bashkë-të pandehurit) – se Limaj gjithsesi mund të arrestohet.

Sido që të jetë, sipas mënyrës se si shëtiti me shpejtësi ‘shtigjeve’ të spikatura me drunj e të mbushur me këshilla të zgjuara ligjore, është e qartë se EULEXi me një lloj hareje po harron se ai është mision i sundimit të ligjit. Megjithatë, a është i gatshëm për të bërë hetime?

Përgjigja në këtë pyetje mund të gjindet në faqen 17 të raportit, tek rasti i trafikimit të organeve: EULEX’i shkruan se qëkur ishte hapur raporti i Marty-t, në dhjetor 2010, “ka marrë përgjegjësinë mbi rastin dhe vazhdon të bëjë lëvizje përpara me hetim preliminar, nëpërmjet një Task Force speciale”, për të cilën, siç thotë raporti, ‘planifikimi’ ka ‘avancuar’ (para disa ditësh, kemi kuptuar se është emëruar shefi i task forcës).

Para se të hyj në thelb, më duhet të shtjelloj një kundërthënie. Fjalia hutuese ‘do të bëjmë lëvizje tutje me hetim preliminar’ do të thotë ‘të hetosh’; dhe të hetosh ‘nëpërmjet’ një task force do të thotë se është ajo task forcë e cila është duke kryer hetimin. Kështuqë, nuk mund të thuhet se e njëjta task forcë (1) është gati për të filluar punën, dhe se (2) ajo ka bërë hetimet në muajt e fundit: njëra nga këto dy gjykime duhet të jetë e pavërtetë. Nëse kujtojmë kthesën e plotë këtë pranverë, sa i përket sjelljes së EULEXit lidhur me raportin e Martyt (EULEX’i së pari tha: ‘ne nuk dijmë asgjë sa i përket kësaj çështje rreth trafikimit të organeve. Dhe mbi të gjitha, Marty duhet të na jep së pari dëshmitë e tij’; pastaj qytetarët pyetën ‘a nuk është puna e juaj që të hetoni krimin dhe të gjeni dëshmitë?’; pyetje kjo, në të cilën EULEXi deklaroi: ‘jemi duke bërë hetime!’; qytetarët u bënë kurreshtarë: ‘a është Thaçi nën hetime, emri i të cilit përmendet 26 herë në raport?’; dhe EULEXi u përgjigj: ‘jo, jo, është vetëm se një hetim preliminar, pa specifikuar emra’). Unë anoj kah ajo se fjalia (2) është e pavërtetë, dhe se ndonjë hetim patjetër se duhet të jetë kryer deri tash, por jo nga ana e task forcës.

Themelimi i një task force speciale i kundërpërgjigjet kritikave që i janë drejtuar EULEX’it në raportin e Martyt. Sipas Martyt, kontratat afatshkurtëra, qarkullimi i tepruar financiar, mbështetja e tepërt në Policinë e Kosovës lidhur me grumbullimin e informacionit bazë, përdorimi i përkthyesve vendorë, si dhe mungesa e një programi të mirëfilltë të mbrojtjes së dëshmitarit e bëjnë EULEXin të paaftë të hetojnë rastin e trafikimit të organeve, sepse ky proces është shumë kompleks dhe duhen përfshirë persona të fuqishëm. Kjo kritikë është bindëse: qarkullimi i tepruar kufizon kapacitetin dhe efektshmërinë e cilitdo trup hetues; kontratat afatshkurtëra e vëjnë stafin nën ndikim të shefit të misionit, i cili, para se t’i presë kokën qeverisë mund të ketë ndonjë hezitim (Marty as që ka qenë në dijeni për udhëzimin lidhur me pranimin e informacionit paraprak para çdo ‘veprimi ligjor’); mbështetja në policinë e Kosovës dhe përkthyesit vendorë, të cilët janë nën ndikimin e elitës së Kosovës, e dëmton fshehtësinë e hetimeve; si dhe është e domosdoshme që të ketë program të besueshëm të mbrojtjes për të bindur dëshmitarët që të flasin kundrejt personave të fuqishëm.

EULEXi ka pranuar kritikat e Martyt, sepse ndërmori masa të cilat kanë për qëllim zgjidhjen e shumicës së këtyre problemeve: task forca është e shkëputur fizikisht nga pjesa tjetër e EULEXit, sepse ajo ka selinë në Bruksel, ka përkthyesit e vet, është e përbërë nga profesionistë të përkushtuar dhe të përzgjedhur në mënyrë të veçantë, dhe rrjedhimisht është e pritshme që të ketë një program të mirë të mbrojtjes së dëshmitarëve. Kështuqë, përmes krijimit të kësaj task force, EULEXi gjithashtu e ka pranuar paaftësinë e tij për të hetuar në mënyrë të mirëfilltë rastin e trafikimit të organeve: pse të themelohet një i tillë, nëse EULEXi ka qenë në gjendje që atë hetim ta bëjë vetë?

Megjithatë – lexuesi kurreshtar do të dojë të dijë – a është rasti i trafikimit të organeve i vetmi hetim kompleks i cili ka nën shënjestër persona të fuqishëm? Natyrisht se jo. Unë kam disa në mendje: korrupsioni në ndërtimin e rrugës, në PTK dhe në prokurim publik, Medicus, Bllaca, rasti Limaj për krime të luftës, si dhe të gjitha hetimet tjera ndaj elitës së Kosovës të cilat nuk janë hapur akoma. Gjithsesi, të tilla janë të gjitha hetimet për krime të luftës, krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë – vetë ato fusha në të cilat autoriteti ekzekutiv i EULEX’it është i kufizuar.

Andaj, duke krijuar këtë task forcë EULEX’i i ka thënë botës (bukvalisht: raporti i tyre i drejtohet Kombeve të Bashkuara) se EULEX’i nuk mund të bëjë hetime komplekse ndaj personave të fuqishëm dhe se për këtë shkak është i paaftë të ushtrojë detyrën e tij ekzekutive. Historia faktike e tyre na sugjeron se ky vlerësim tejet i sinqertë është mjaft i saktë.

Atëherë, a duhet të krijohet nga një task forcë për çdo hetim të vështirë? Apo më mirë do të ishte që të përmirësohet EULEXi? Dikush do të mendojë, për shembull, t’i jepet një menaxhim më i mirë, staf të përzgjedhur me kujdes, përkthyes të besueshëm dhe burime të pavarura informacioni, si dhe ruajtje më të mirë të pavarësisë së hetuesve, prokurorëve dhe gjyqtarëve të vet nga ndikimi i elitës së Kosovës dhe nga politikat e ndryshme të jashtme të cilat po luhen në Kosovë. Një EULEX i ri, me fjalë tjera: një, i cili mund të veprojë si mision i sundimit të ligjit.

Fatmirësisht, ekziston një mënyrë tjetër që e bën EULEXin të dobishëm për Kosovën, BE-në dhe stabilitetin rajonal: monitorimin, mentorimin dhe këshillimin, apo siç thonë ata zakonisht ‘MMK’. Në faqen e parë të raportit, lexuesi hasë në dy përshkrime të kësaj pjese të mandatit të tij: “të monitorojë, mentorojë dhe këshillojë institucionet e Kosovës”, dhe njëzet rrjeshta më poshtë shkruan , “të [m]onitorojë, të mentorojë dhe të këshillojë në mbështetje të institucioneve të Kosovës”. Veprimi (i MMK-së) është i njëjtë, por ajo që në fjalinë e parë është objekt i saj, në fjalinë e dytë shndërrohet në përfitues të saj. Kjo rrallëherë është e mundshme: nëse unë them ‘unë ha mollën’ dhe ‘unë ha për të mbështetur shëndetin tim’ është e qartë që unë po ha mollë për të mirë të shëndetin; dhe nuk ka kurrfarë problemi nëse unë them ‘unë ha dardhë’ dhe ‘unë ha në mbështetje të mollës’ (por, më duhet të spjegoj atë se, për shembull, kopshtari im ekstravagand gjithmonë insiston që unë të ha dardha si kusht për të ujitur pemën e mollës); por unë nuk mund të them se unë ha mollë në mbështetje të të njëjtës mollë: kopshtarja do të më quante hipokrit. Andaj sërish, njëra nga dy fjalitë duhet të jetë e pavërtetë, dhe nëse e dyta është e vërtetë ajo është e pakompletuar, sepse EULEXi nuk na tregon se kujt i bën MMK (monitorimin, mentorimin dhe këshillimin).

Natyrisht, unë kam nxjerrë atë se këto dy fjali, po që se lexohen së bashku, kanë pak a shumë këtë kuptim: EULEXI i bën MMK insititucioneve të Kosovës për t’u ndihmuar që të përparojnë’. Këtë e kam përjashtuar për dy arsye: (A) njohja e gjuhës Shekspiriane është kriter themelor për të punuar në EULEX, dhe përpilimi i asaj fjalie do të duhej të ishte diçka që kanë zotësinë ta bëjnë: atëherë, nëse këtë kanë dashur ta thonë, atëherë këtë do ta kishin të shkruar, por kanë të shkruar diçka tjetër; (B) është e pamundur që ata të thonë se po ndihmojnë institucionet e Kosovës për shkak se kjo nuk është ajo që me të vërtetë po bëjnë: nuk është hasur asnjë përmirësim në gjyqësorin e Kosovës, edhe me anë të përdorimit të termometrave dhe seizmografëve me precizë.

Kur vie fjala tek ajo se çfarë saktësisht bëjnë ata, në MMK (monitorim, mentorim dhe këshillim), hasim se EULEXi ka ndihmuar në “pranim/dorëzimin nga KFORi tek policia e Kosovës në fazën e tretë dhe të fundit të kufirit me [Maqedoninë]”. Meqë, për dallim prej hënës, kufijt dihet se nuk kanë ‘faza’, kjo fjali na lë në terr lidhur me atë se çfarë lloj pranim/dorëzimi ka ngjarë në atë mbrëmje pa hënë. A kanë gjë për të fshehur? Ne vetëm mund të shpresojmë se heshtja e tyre nuk është mbulesë e ndonjë aktiviteti të pashprehur, si për shembull shkatërrim të kufirit, turpërim, përdhosje, amputim, apo gjëra tjera të liga që mund t’u shkaktohen kufijve të paligë, me qëllime të errëta.

Prandaj, ky raport na tregon se EULEX’i nuk beson në pavarësinë e gjyqësorit dhe është i paaftë të kryejë hetime komplekse kundrejt personave të fuqishëm. Sërish, kjo dëshmon se shumica e informacionit që nevojitet për të kuptuar çështjet publike në Kosovë janë në dispozicion publik: interesimi për komplote – aso lidhur me atë se kush dhe pse e do Limajn në burg me çdo kusht – mund të jetë temë interesante, por jo domosdo e nevojshme për të kuptuar se çfarë po ndodh; kjo jep hapësirë për optimizëm lidhur me ardhmërinë e demokracisë së Kosovës.