Industria e Filmit Kosovar Akoma nuk ka Shkëlqyer

Kosova këtë vit shënoi njërin prej sukseseve të para në metrazh të gjatë, kur filmi Gomarët e Kufirit mori çmim në Festivalin e Europës Lindore në Paris në muajin prill.

Ky film, që rikujton vitin kur popullata shqiptare pranë kufirit Jugosllav-Shqiptar ishte e ndarë në dysh, kishte shfrytëzuar mirëfilli grantin prej 250,000 eurosh nga Qendra Kinematografike e Kosovës në vitin 2008.

Por profesionistët e filmit në Kosovë ankohen se ka shumë pak fonde në dispozicion për të stimuluar industrinë, ndërsa disa ekspertë ndërkombëtarë vejnë në dyshim aftësitë teknike të regjisorëve vendorë.

Regjisori i Gomarëve të Kufirit, Jeton Neziraj tha se çmimi për filmin “dëshmon se kinematografia e Kosovës ka vlerë ndërkombëtare…[dhe] do të vazhdojë të dëshmojë vlerën e vet me performansa tjera në tregun ndërkombëtar”.

Vjosa Berisha, menaxhere e Festivalit të Filmit në Prishtinë i cili do të mbahet prej datës 24 shtator e deri më 1 tetor, është po ashtu optimiste për të ardhmen e filmit në Kosovë. “Ky festival tregon se kinematografia e Kosovës është duke ecur përpara dhe duke u zhvilluar”, tha ajo.

“Ne jemi në kontakt me shumë shtëpi filmike ndërkombëtare andaj shpresojmë se do të mund të promovojmë më shumë filma nga Kosova nëpër tërë botën”. Por jo gjithkush është optimist.

Kinematografi Kosovar Dhimitri Ismailaj, i cili jeton dhe bën filma në SHBA, dyshon në aftësitë e bashkëkombasve të tij.

“Me një skenar të mirë, një kinematograf mund të arrijë tek fondet,” tha ai. “Fatkeqësisht, ka shohim në Kosovë janë filma me tema të pakëndshme, skenare të dobëta dhe gabime teknike”.

Edhe regjisori kroat Stjepan Hundic ka kritika. Në një intervistë për gazetën ditore Zëri, ai tha se kinematografia e Kosovës është akoma në fazë të hershme të zhvillimit.

“E di se kanë problem me financim dhe mungesë përkrahjeje nga ministria…por, ata me siguri do të gjenin fondet po që se do të renditnin idetë e mira”, tha ai.

Mbështetja qeveritare për industrinë e filmit vjen ekskluzivisht nëpërmjet Qendrës Kinematografike të Kosovës, e cila mund të ofrojë deri në 51 përqind të kostos së përgjithshme të produksionit të filmit.

Ajo disponon me buxhetin prej 400,000 euro në vit.

Në praktikë, kjo nënkupton atë se Qendra Kinematografike mund të financojë vetëm një film të metrazhit të gjatë në vit dhe deri në tre filma të shkurtër.

Regjisori Kosovar Halil Budakova njihet për filmat e tij aksion, të cilët shikohen nga shumë kinemadashës, por filmat e tij kanë marrë vlerësime të dobëta nga kritikët.

As shkrepja më e fundit e tij, me një film të kohës otomane e tw bazuar në figurën historike të Azem Bejtës, nuk dallonte aq nga tjerat.

Ai thotë se ka grumbulluar 450,000 eurot e duhura për film me forca të veta. “Paratë për filmin janë mbledhur nëpërmjet kompanive të ndryshme,” thotë ai. “Qendra Kinematografike e Kosovës nuk më ka ndihmuar për këtë, apo cilindo film tjetër që kam prodhuar.”

Sipas menaxherit të Kino ABC-së, kinemasë së vetme në Kosovë që punon me orar të plotë, filmat në gjuhë shqipe janë të pëlqyer nga kinemadashësit.

S’mund të them se publiku nuk i do filmat kosovarë, sepse kur ne shfaqim këta filma kemi vizitorë të shumtë,” tha menaxheri i ABC-së, Milazim Salihu.

Por, filmat vendorë nuk kanë të njëjtën joshje sikurse filmat ndërkombëtarë, me buxhetet e tyre gjigande, efekte speciale të kohës dhe yje të njohura, tha ai.

Gjer tani, kinematografët kosovarë kanë bashkëpunuar fare pak me partnerë apo financues të huaj, ndonëse ka sinjale se kjo gjë po ndryshon.

Arben Kastrati, regjisor i filmit Dashuria jonë, i bazuar në ngjarje të vërtetë të pasluftës, thotë se ai ka siguruar një pjesë të të hollave të nevojshme për filmin nga Franca dhe Holanda.

“Megjithatë, Qendra Kinematografike e Kosovës asnjëherë nuk më ka mbështetur në filmat e mi, prandaj jam shumë i zhgënjyer me ta”, tha ai.

“Kësaj here shpresoj se do të më ndihmojnë, meqë është hera e parë që [një regjisor nga] Kosova, bën film së bashku me kompani të huaja,” tha Kastrati.

Arzana Kraja, regjisore e re në moshë, e cila ka bërë disa filma të shkurtër përmes mbështetjes nga QKK-ja, thotë se nuk duhet fajësuar QKK-në.

“QKK-ja duhet të ketë buxhet më të madh në mënyrë që të mund të financojnë më shumë se një film të gjatë në vit”, tha ajo.

Artan Minarolli, ish drejtor i QKK-së, pajtohet me atë se kinematografët e Kosovës kanë nevojë për më shumë mbështetje financiare. Ato 400,000 eurot që Ministria e Kulturës i ndan QKK-së janë të pamjaftueshme, thotë ai.

Megjithatë, Minarolli beson edhe në atë se se kinematografët duhet t’i shmangen temës së luftës, e cila është hasur mjaft shumë në vitet e fundit.

“Gati të gjithë filmat e prodhuar në Kosovë në 12 vitet e fundit kanë qenë lidhur me luftën e Kosovës,” tha ai. “Ne duhet të shikojmë edhe tema tjera sepse publiku ka nevojë për gjëra të reja.”

Këtë vit, QKK-ja duhet të zgjedh se cilin film të metrazhit të gjatë dëshiron ta financojë. Arben Zharku, kryesues i bordit, thotë se 48 projekte janë në garë për financim.

Edhe këtë vit, nuk do të ketë mundësi të financohet më shumë se një film i metrazhit të gjatë.

“Qëllimi ynë është të rrisim buxhetin e QKK-së vitin e kaluar, dhe qëllimi tjetër është që të jemi më aktiv në plasimin e filmit kosovar në festivalet prestigjioze anëmbanë botës,” tha Zharku.

Shasivar Haxhiaj, nga Ministria e Kulturës pranon atë se ministria nuk i jep QKK-së shumë fonde, por thotë se në rrethanat e sotme nuk ka asnjë plan që kjo të të ndryshohet shpejt.

“Shpresoj se buxheti i QKK-së do të rritet nga viti në vit dhe se në të ardhmen, kinematografia e Kosovës do të jetë më e pasur, tha Haxhiaj.