Kontrabanda e ilaçeve paraqet rrezik për jetë

Një hulumtim i BIRN’it ka raportuar se ilaçet e kontrabanduara në Kosovë, të cilat i anashkalojnë të gjitha masat e sigurisë dhe doganave, përbëjnë një pjesë të madhe të produkteve që shiten nga farmacistët.

Një farmacist i kryeqytetit i tregoi Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, BIRN, se ai beson që 60% e ilaçeve të shitura në farmaci janë të importuara ilegalisht.

Ai shton se nuk ka zgjidhje tjetër përveç se t’i shesë sepse Agjencioni i Kosovës për Produkte Medicinale, AKPM – trup i cili bën licencimin e ilaçeve – shumë shpesh nuk ka autorizuar përdorimin dhe shitjen e barërave kryesore.

“Ne shesim ilaçe të cilat nuk janë licencuar sepse nëse nuk do t’i shitnim njerëzit do të vdesin për shkak se nuk mund të gjejnë zëvendësim”, shprehet ai. “Nuk kemi zgjidhje tjetër”, shton farmacisti.

Kadri Bytyqi, kryetar i Shoqatës Farmaceutike të Kosovës, SHFK, tha se problemi është te numri i kufizuar i ilaçeve të licencuara i cili nuk e përmbush kërkesën e tregut. Sipas tij më shumë se 300 lloje të ilaçeve të domosdoshme për pacientët nuk janë të licencuara për përdorim në Kosovë.

“AKPM duhet t’i licencojë këto barëra të nevojshme ashtu që farmacistët të mos detyrohen t’i mbajnë ato që janë të paligjshme”, tha Bytyqi.

Shkumbin Deda, një farmacist tjetër, shtoi  “ka shumë ilaçe në Kosovë të cilat janë të nevojshme por nuk janë të licencuara dhe në qoftë se ne nuk furnizojmë farmacitë, pacientët do të pësojnë”, tha ai.

Deda përmendi dy shembuj të zakonshëm: Natrium Valproate e cila përshkruhet për trajtim të epilepsisë dhe Farin e cila përdoret për trajtimin të tensionit të lartë të gjakut. Asnjëra nga këto nuk është e licencuar në Kosovë.

Vulat e  falsifikuara ose mungojnë

Produktet medicinale janë të importuara ligjërisht në Kosovë vetëm me licencën e cila jepet nga AKPM. Me mbërritjen në pikat doganore, importuesit duhet  të tregojnë certifikata që vërtetojnë origjinën e produkteve dhe detaje mbi përmbajtjen.
 
Tatimet doganore në këto importe mblidhen dhe në paketimin e produkteve vendoset një vulë e cila tregon se janë paguar tatimet dhe produkti është kontrolluar para se të arrijë në rafte.

Pas paraqitjes së disa ankesave të cilat tregonin se ishte lehtësuar falsifikimi i vulave, AKPM  i ka ndryshuar vulat e vjetra marsin e kaluar. BIRN pohoi se shumë produkte në rafte nuk kishin vulat ose mbanin vulat e vjetra edhe pas zëvendësimit të tyre nga AKPM.

Kryeinspektori farmaceutik Haki Ejupi tha se farmacistët të cilët shesin ilaçe të palicencuara e rrezikojnë jetën e individëve. “Nëse këto produkte mjekësore nuk i janë nënshtruar kontrollit të detyruar, rrezikojnë shëndetin e pacientëve, sepse ne nuk dimë për përmbajtjen e tyre”, tha ai.

Ejupi dyshon se shumë persona janë sëmurë pas trajtimit me këto barëra edhe pse nuk ka të dhëna zyrtare mbi këtë fenomen. Pacientët në shumicën e rasteve nuk e dinë se u është shitur një produkt i palicencuar.

Një zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë tha se ministria rregullisht pranon ankesa të shoqëruara me mostra nga pacientët  për ilaçe të cilësisë së dobët. Megjithatë, ata  nuk kishin mundësi të vepronin në drejtim të këtyre ankesave sepse objekti për testime i AKPM’së nuk është funksional.

Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani ka deklaruar se rikthimi në punë i laboratorit të AKPM-së është prioritet por që akoma nuk është caktuar data.

Vijnë nga veriu

Nuk ka shifra zyrtare mbi sasinë ose llojin e ilaçeve të paligjshme të konfiskuara nga doganat e Kosovës ose policisë.

Në përgjithësi besohet se pika hyrëse është pjesa veriore e drejtuar nga serbët ku qeveria e Kosovës nuk ka kontroll.
 
“Pjesa më e madhe e barërave vijnë nga veriu, por gjithashtu nga Shqipëria dhe Maqedonia”, ka thënë Haki Ejupi, kryeinspektor i AKPM-së.

Zëdhënësi i doganave Adriatik Stavileci tha se nga 20 raste të kontrabandimit të ilaçeve të cilat ata kanë ndaluar këtë vit, gjysma ishin nga Serbia. 

Shumica e konfiskimeve u ndërmor në prill si pjesë e një aksioni të përbashkët të AKPM-së dhe të Doganës së Kosovës.

Si pasojë e këtyre konfiskimeve masive të produkteve mjekësore shumë farmacistë dolën në grevë, e cila zgjati dy ditë, duke kërkuar që AKPM të nxjerr licenca të reja për mall.

Nga prilli e deri tani shumë pak duket se ka ndryshuar.

BIRN ka vizituar dhjetë farmaci kohët e fundit dhe nga malli në shitje, ka gjetur rafte të cilat akoma kishin produkte të parregulluara.

Pjesa më e madhe e tyre nuk kishin vulë, që tregon se ato ishin të kontrabanduara në vend. Ndërsa produktet e tjera, kishin vula të vjetra të dala nga data e importit.

Ministria e Shëndetësisë bëri një përpjekje për të standardizuar çmimet e produkteve medicinale dhe për parandalimin e evazionit të tatimeve duke nxjerrë vula të reja të importit në vitin 2009.

Sipas ligjit, produktet që bartin vulën e vjetër me ngjyrë të kaltër, e cila i lejonte farmacistët që t’i shkruajnë çmimet vetë, duhej të hiqen nga shitja nga 31 Marsi 2010.

Nga kjo datë ka kaluar më shumë se një vit dhe BIRN megjithatë ka gjetur shumë produkte me vula të vjetra.

Një burim në industri tha se versioni i falsifikuar i vulave të vjetra është akoma në qarkullim. Këto vula lehtë falsifikohen dhe përdoren në produkte të palicencuara në mënyrë që të duken të ligjshme.

Kontrolli jonë i produkteve në shitje po ashtu tregon se shumë versione të palicencuara janë në rafte edhe pse ka alternativa të licencuara.

Një farmacist tha se kjo ndodh për shkak të blerësve të cilët janë mësuar që të përdorin produktet më të njohura të Serbisë dhe i kërkojnë ato edhe pse shumica nuk janë të licencuara në Kosovë.

Shumica e produkteve të palicencuara janë të kompanisë Galenika të Serbisë, një gjigant farmaceutik shtetëror, barërat e së cilës nuk janë të licencuara për t’u shitur në Kosovë.

Ilaçet tjera që gjenden në raftet e barnatoreve të cilat nuk shfaqen në listat e produkteve të licencuara te AKPM-së janë Bensedin, Brufen, Diklofen, Bedoksin, Daonil, Deprim, Glibenklamid, Loperamid, Furosemi and Metildopa.

BIRN ka zbuluar se doktorët gjithkund në Kosovë vazhdojnë të përshkruajnë ilaçe të palicencuara.

“Gati çdo ditë, pacientët vijnë me përshkrime të doktorëve të cilat drejtojnë në ilaçe të palicencuara”, thotë Xhin Hoti,  farmacist nga Prishtina. “ Gjithçka fillon nga përshkrimet e doktorëve, prandaj jemi të detyruar të mbajmë ilaçe të tilla për pacientët tonë.”

Kryeshefi i AKPM-së Jeton Shala është i mendimit se çështja duhet të diskutohet, por deri sa të krijohet zgjidhja, ilaçet e paligjshme në vazhdimësi do të konfiskohen. 

“Ne do të caktojmë një grup punues i cili do të angazhohet për rritjen e numrit të ilaçeve të licencuara”, tha Shala. “Por tani ne gjithashtu kemi rritur kontrollin që të konfiskohen ilaçet e palicencuara në treg”.

Ky artikull është botuar më herët në BIRN në gjuhën angleze, më 4 maj 2011.