Përurohen 38 Kilometra të Autostradës

Tridhjetë e tetë kilometrat e para të autostradës Vërmicë-Merdar, janë lëshuar sot në qarkullim, me një ceremoni solemne. Shiritin simbolikisht e prenë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe kongresisti amerikan Eliot Engel.

Në hapje të ceremonisë, presidentja Atifete Jahjaga tha se me këtë autostradë po hiqen barrierat e komunikimit mes Kosovës dhe Shqipëri dhe po realizohet ëndrra e pritur shumë gjatë.

Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi, tha se kjo rrugë, që me krenari mban emrin e Ibrahim Rugovës, tha se është projekt i të ardhmes evropiane të Kosovës.

Kostoja e ndërtimit të 38 kilometrave të parë të autostradës ka kushtuar 330 milionë euro, pa llogaritur këtu dhe shpronësimet e tokave.

Punimet në autostradë, të cilat po kryhen nga konsorciumi amerikan – turk “Bechtel-Enka”, planifikohet të përfundojnë në nëntor të vitit të ardhshëm, transmeton RTK.

Qeveria nuk ka dhënë shifra të sakta sa do të kushtojë i tërë projekti.

Autostrada, punimet në të cilën kanë nisur më 25 prill të vitit të kaluar, do të jetë e sistemit të mbyllur dhe hyrje-dalje do të ketë vetëm në kyçjet e autostradës. Gjerësia e autostradës është 28 metra, me 4 shirita qarkullues nga 3.75 metra, 2 shirita për ngadalësim me nga 3 metra, si dhe brezi i gjelbër në mes në gjerësi prej 4 metrash.

Shpejtësia e projektuar përgjatë gjithë gjatësisë së autostradës është 120 km në orë, ndërsa aty ku karakteristikat e lejes mjedisore lejojnë, është gjithashtu e mundshme të zhvillohet një shpejtësi e projektit prej 140 km në orë.

Autostrada është vazhdimësi e autostradës Durrës-Morinë, e quajtur si “Rruga e Kombit”, e cila lidh Republikën e Kosovës me Republikën e Shqipërisë.