Kërkojnë Largimin e Maurizio Salustros

Avokatët kanë kërkuar që prokurori i EULEX’it Maurizio Saulustro të tërhiqet nga përfaqësimi i akuzës në “Rastin Kleçka” pasi nëse vërtetohet presioni në dëshmitarin X, sikur ky i fundit aludonte në letrat e tij të publikuara pas vdekjes, ai duhet të jetë dëshmitar në procesin që filloi të gjykohet të premten.

Avokati Mahmut Halimi tha se mbrojtja është e mendimit që Salustros do t’i duhet të paraqitet si dëshmitar.

Bajram Tmava, avokat tjetër në këtë rast, tha se kolegji gjykues duhet të vendosë të sqarojë fillimisht se si kishte shkuar dëshmitari X në Gjermani dhe si u bë që ai të dalë nga shteti pa u vërejtur etj. “Nëse sqarohen këto rrethana, atëherë Maurizio Salustro nuk do të ketë kredibilitet që të përfaqësojë aktakuzën”, ka thënë Tmava.

Disa nga avokatët kanë kërkuar që  të mbrojturve të tyre t’u hiqet masa e paraburgimit.

Ndërkohë, avokati i Fatmir Limajt, Karim Khan, kërkoi që kolegji ta shtyjë shqyrtimin tek për në muajin shkurt me arsyetimin se mbrojtja nuk ishte e pajisur me të gjitha provat materiale. Ai nënvizoi se edhe kodi i procedurës penale të vendit edhe konventa europiane për të drejtat e njeriut kërkojnë që ‘gjykimi duhet të jetë drejt dhe në kohë të arsyeshme’.

Khan tha se mbrojtja me datën 3 nëntor kishte marrë 19 deklarata nga ana e prokurorit e po ashtu vetëm një ditë më parë kishte marrë edhe 26 deklarata të tjera. Sipas tij, mbrojtja as që ka arritur t’i lexojë ato, ndërsa shtoi se për leximin dhe analizimin e tyre duhet kohë.

Avokati britanik shtoi se mungesa e një raporti të autopsisë dhe mungesa e ditarit të dëshmitarit X si dhe fshehja ose fshirja e disa pjesëve të deklaratave të atij dëshmitarit tash të vdekur, janë çështje shumë të rëndësishme të cilat kolegji duhet t’i marrë për bazë paraprakisht.

Ai tha se pas publikimit të ditarit nga gazetat ditore është parë se dëshmitari ka deklaruar edhe shumë gjëra për EULEX’in, ka përmendur shuma parash deri në 1 milion euro, pastaj deklarata të cilat dëshmitari X pranon në ditar se i ka nënshkruar pa ju përkthyer nga anglishtja në shqip. I njëjti shtoi se mungesa e letrës së fundit të dëshmitarit X drejtuar familjes së tij është shumë esenciale për gjykimin.

Khan vazhdoi se në kohën kur ai e kishte marrë në pyetje dëshmitarin në prokurori, atij i ishte ofruar shumë pak kohë nga prokurori ndërsa nuk i ishte futur në procesverbal pyetja nëse merrte medikamente dhe se me çka trajtohej.

Përgjigjja e prokurorit ishte e menjëhershme duke thënë se nuk mund të ofrojë atë që nuk e kishte as ai në dosjen e tij, ndërsa shtoi se sapo të merrte diçka të re do t’i njoftojë palët menjëherë.

Kryetari i kolegjit kërkoi nga mbrojtja që të përgatisë një listë me të gjitha kërkesat e tyre që ata kishin për këtë pjesë të procedurës. Po ashtu, kryetari i kolegjit kërkoi që në seancën e radhës, të hënën, prokurori të sjell edhe një mbrojtës të dëshmitarëve nga njësiti për mbrojtjen e tyre dhe një kopje të ditarit origjinal të dëshmitarit X.

Limaj dhe nëntë bashkëluftëtarët akuzohen se në periudha të ndryshme të vitit 1999, përkatësit në kohën e luftës në Kosovë, në zonën e Kleçkës, në cilësinë e anëtarëve të UÇK’së, kanë vrarë dhe kanë marr pjesë në vrasje si dhe kanë paraburgosur ushtarak serbë, civil serbë dhe civilë shqiptarë të cilët pastaj nuk i kanë trajtuar sipas konventave dhe ligjeve të luftës.

Fatmir Limaj dhe të gjithë të pandehurit e tjerë u deklaruan të pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës, të premten. Por kryetari i kolegjit bëri një shkelje të KPPK’së kur nuk i pyeti të pandehurit nëse e kishin kuptuar aktakuzën që ju vihej në barrë cka kërkohet me nënin 358 (1).