Bildt: Fitojeni Përkrahjen e Veriut

Ministri i Punëve të Jashtme i Suedisë, Carl Bildt, ka thënë se institucionet kosovare duhet të fitojnë përkrahjen e qytetarëve të veriut të Kosovës dhe se nevojitet një kohë më e gjatë për integrimin e asaj pjese.

Pas takimeve që zhvilloi sot në Prishtinë me kryeministrin Hashim Thaçi dhe ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj, kryediplomati suedez tha se e di se kjo nuk do të jetë e lehtë, porse nuk ka rrugë tjetër.

“Vetëm kur qytetarët e veriut do të pranojnë se janë pjesë e Kosovës, atëherë do të jetë e mundshme që veriu të integrohet. Kjo nuk do të ndodh nesër, por kjo perspektivë duhet të ekzistojë. Këtë askush tjetër s’mund ta bëjë, jeni ju ata që mund ta bëni. Kjo mund të bëhet vetëm nga Prishtina dhe as nga BE dhe as nga NATO”, tha Bildt.

Ai shtoi se “nuk janë në pyetje ditë dhe javë”, por është çështje vitesh për të pasur  integrim të plotë të asaj pjese.

Kurse ministri kosovar, Hoxhaj, në konferencën e përbashkët me gazetarë, përsëriti qëndrimin e institucioneve të Kosovës se në veri nuk do të ketë kthim në gjendjen e para 25 korrikut.

“Ju e dini që qasja jonë është se nuk ka kthim në status-quo, nuk ka kthim në situatën para 25 korrikut. Nuk jemi të interesuar të lëvizim nga një status-quo në tjetrën. Jemi kundër krijimit të ndonjë situate të konfliktit të ngrirë, dhe jemi pajtuar që ndryshimi i kufijve në Ballkan është një teme e mbyllur dhe askush në Evropë nuk e mbështet ndryshimin e kufijve dhe tendencat për ndarje territoriale apo etnike, apo diçka të njëjtë”, tha Hoxha.

Ministri i jashtëm suedez është pritur edhe nga kryeministri Thaçi. Nuk ka pasur prononcime për gazetarët, por sipas një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, temë kryesore e takimit ishin “zhvillimet aktuale politike në Kosovë, forcimi i marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Suedisë dhe perspektiva evropiane e Kosovës”.