Dora e Pushtetit

Kur grupi punues për të ndryshuar projektligjin për transmetuesin publik ishte mbledhur në fundjavën e tretë të tetorit, partia në pushtet – PDK – dha një propozim dredharak që do t’i ndalonte produkcioneve të pavarura, si “Jeta në Kosovë”, që të transmetonin në RTK.

Amandamenti i PDK’së do të ndryshojë nenin 13.4 në draft ligj ku “programet e lajmeve”do të zëvendësohet me “programet informative”.

Kjo iniciativë e bartësit të koalicionit aktual qeverisës shihet në një dokument që ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë (shih linkun).

Xhevahire Izmaku, anëtare e komisionit të mediave në Parlament dhe kryesusese e grupit punues për ligjin për transmetuesin publik, është evidentuar në procesverbal të grupit të ketë sugjeruar një ndryshim në nënin 13.4 të ligjit.

Ky nen thotë: “RTK duhet të sigurojë së paku 15% të programit por jo më shumë se 20%, nga producentët e pavarur vendorë, në transmetimet radiotelevizive, duke përfshirë obligimet sipas nenit 10 por duke mos i përfshirë këtu programet e lajmeve”.

Izmaku e PDK’së ka propozuar që “programet e lajmeve” të zëvendësohet me “programet informative”.
Në dëgjimin publik që është mbjatur për këtë çështje, të premten më 4 nëntor, Jeta Xharra, moderatorja e emisionit “Jeta në Kosovë” dhe drejtoreshë e BIRN’it, kërkoi sqarime rreth këtij propozimi.

“Propozimet e tilla për të kufizuar zërat kritikë që të transmetojnë në RTK janë të dëmshëm për Kosovën – madje janë të dëmshëm edhe për PDK’në sepse ishte kjo po e njejta parti që kur ishte në opozitë na deshti, e tash po mundohet ta ndërrojë ligjin që të na përjashtojë prej RTK’së. Pse?”

Izmaku nuk ofroi shpjegime. “Nuk jam e obliguar t’ju japë llogari për propozimet e mia”, u shpreh ajo.

Ramë Vata, deputet i PDK’së, i cili është gjithashtu anëtar i komisionit për amandementim të projektligjit, tha “ne jemi të obliguar t’i japim llogari vetëm votuesit tonë, jo të tjerëve”.

Flutura Kusari, këshilltare ligjore e BIRN’it, tha se “rregullorja e Kuvendit të Kosovës obligon deputetët që në rastin e dëgjimeve publike si ky të ofrojnë sqarime për publikun lidhur me ndryshimet që propozohen në projektligjet që janë në shqyrtim “.

Arben Ahmeti, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK), tha para komisionit: “Ju mund të bëni ligjin që doni në fund por, në rast se nuk i merrni në konsideratë sugjerimet e gazetarëve, mos pritni që ky ligj do të përkrahet prej tyre dhe mos pritni që raportet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes do të jenë pozitive”.

Arsyeja kryesore pse ligji për transmetuesin publik ka filluar të amendamentohet është që të sigurohet financimi i pavarur i RTK’së, gjë që ishte vlerësuar si e metë në dy raportet e fundit të progresit të Komisionit Europian. Pavarësia financiare e RTK’së konsiderohet faktor vendimtar për pavarësinë redaktoriale. Mirëpo, sipas projektligjit të tanishëm, RTK-ja do të vazhdojë të jetë e varur nga buxheti i Kosovës edhe në tre vitet e ardhshme.

Agron Demi, drejtor i Institutit GAP që ka botuar një studim me opsione të ndryshme të parapagimit për RTK’në, thotë se duhet të bëhet një zgjidhje e financimit të pavarur tash e jo të priten edhe tri vjet.

“Konsideroj që parapagimi i RTK’së nga ana e qytetarëve e jo nga buxheti i Kosovës duhet të fillojë që nga Janari 2012 e jo të priten edhe tri vjet ngase njerëzit do të jenë edhe më pak të disponuar të paguajnë parapagimin se sa sot”, theksoi Demi, gjatë dëgjimit publik.

Me projektligjin për transmetuesin publik është përcaktuar që RTK’së t’i ndahet 0.7% e buxhetit të Kosovës. Aferdita Kelmendi, drejtoresha e RTV21 kërkoi llogari nga ana e komisionit lidhur me shumën e këtij buxheti.

“Ne duam të dimë se pse keni vendosur që RTK’së t’i ndahet shuma prej vetëm 0.7% të buxhetit të Kosovës e jo më shumë ose më pak – ku po e dini që RTK’së nuk i duhen më shumë mjete?”.

Qeveria e Kosovës ka sponsorizuar dy projektligje kryesore që mendohet të rregullojnë mediat në Kosovë. Projektligjin për komisionin e Pavarur të Mediave dhe projektligjin për Transmetimin Publik të Kosovës. Të dyja këto ligje kanë kaluar leximin e parë në Kuvendin e Kosovës dhe tani ndodhen në fazën e amandamentimit në Komisionin për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media.

Komisioni ka formuar një grup punues i cili ka punuar në ndryshimet e mundshme të këtyre projektligjeve. Grupi punues ka mbajtur një takim në Prevallë në të cilin nuk është lejuar pjesëmarrja e shoqërisë civile dhe nga i cili kanë dalur propozimet të clat ndër të tjera ndalojnë transmetimin e programeve informative vendore.

Më pas Komisioni ka organizuar dëgjim publik për të diskutuar rreth ndryshimeve që kanë pësuar projektligjet, e të cilat nuk u janë dërguar paraprakisht palëve të ftuara në dëgjim publik.