Aktakuzë pa Prova Materiale

Gjykata Komunale në Suharekë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj një vozitësi për vepër penale “Rrezik i trafikut publik”, pa ekspertizë mjekësore ligjore, që e dëshmon se i dëmtuari ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Bazuar në raportin e Emergjencës, në të cilin përshkruhet se nuk ka lëndime të rënda trupore, Prokuroria ka kërkuar të caktohet një ekspert mjekësor ligjor dhe një ekspert i komunikacionit, për specifikimin e natyrës së lëndimeve, përkatësisht përgjegjësinë penale.

Para se të nisë shqyrtimi kryesor, Prokurori Arben Ramadani ka konstatuar se në këtë lëndë mungojnë provat materiale, që e specifikojnë karakterin e lëndimeve dhe përgjegjësinë penale. Prandaj, ai ka kërkuar nga gjykata, që në mungesë të provave materiale, të caktohet një ekspert mjekësor ligjor dhe një ekspert i komunikacionit, për specifikimin e natyrës së lëndimeve, përkatësisht përgjegjësinë penale.
 
Gjykata me aktvendim e ka caktuar Dr. Cen Morinën, përgjegjës për ekspertizën mjekësore ligjore, ndërsa për ekspert të komunikacionit është caktuar inxhinieri Agim Kryeziu. Seanca e caktuar më 4 nëntor, tani do të mbahet më 30 nëntor.

Në aksidentin të cilin e ka shkaktuar vozitësi Plak Krasniqi, në vitin 2005, është lënduar një i mitur. Por si ka ardhur deri të aksidenti nuk dihet, pasi që mungon ekspertiza e komunikacionit, si dhe se çfarë lëndimesh ka pësuar i dëmtuari, pasi që mungon ekspertiza mjekësore ligjore, që specifikon natyrën e lëndimit.

Raporti i emergjencës ekziston, por aty nuk jepet natyra e lëndimit, ndërsa diagnoza nuk tregon se ka pasur thyerje, që është njëra ndër elementet kryesore, për përcaktimin si të rëndë të një lëndimi trupor.

Prokuroria është bazuar në raportin e Emergjencës, në të cilin përshkruhet se nuk ka lëndime të rënda trupore, ndërsa ka ngritur aktakuzën me lëndime të rënda trupore.

Natal Bullakaj, njohës i procedurës penale, thotë se prokuroria është dashur që në fazën e hetimeve, ta caktojë ekspertin mjekësor ligjor dhe ekspert i komunikacionit. “Ndryshe, Gjykata në procedurën e konfirmimit të aktakuzës është dashur që lëndën ta kthejë prapë në Prokurori, për plotësim me prova materiale”, i tha avokati Bullakaj, Gazetës JnK.

Kodi Penal i Kosovës, për veprën “Rrezikim i trafikut publik”, sipas nenit 297, paragrafi 5, ashtu sikur është kualifikuar nga Prokuroria, parasheh dënim prej 6 muajsh deri në 5 vjet.

Ndërsa sipas provave materiale, që gjinden në shkresat e lëndës, vepra penale është dashur të kualifikohet si “Rrezikim i trafikut publik”, nga neni 297, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 3, të KPK-së. Për këtë vepër parashihet dënim me gjobë, apo me burgim deri në dy vjet.