Barrikadat, Rrugë pa Krye

Situata e sigurisë në veri është e qetë, mirëpo e tensionuar, për shkak të vazhdimit të bllokimit të rrugëve me barrikada nga strukturat paralele serbe, u tha të martën në takimin e Komitetit për vlerësimin e sigurisë në kuadër të Komunës së Mitrovicës.

Kryetari i komunës, Avni Kastrati, tha se në javën e fundit nuk ka pasur ndonjë incident që do të reflektohej në situatën e përgjithshme, përderisa bllokimi i rrugëve vazhdon të krijojë probleme për të gjithë. “Strukturat paralele serbe e kanë futur popullatën në një rrugë pa krye, duke e vendosur dhunshëm nëpër barrikada. Të gjithë duhet ta dinë se këto do të përfundojnë, por të kriminalizuarit do të dënohen”, tha Kastrati. 

Ai ka ftuar qytetarët në veri që të mos “bëhen pre e grupeve kriminale dhe as e politikës mesjetare” të pushtetit në Serbi, që i financon këto struktura. “Këto struktura po përpiqen që ta bindin popullatën se ata janë në gjendje që ta mbajnë situatën në duart e veta”.

Kryetari Kastrati tha se qytetarët serbë në veri, duhet ta kenë të qartë se ato struktura nuk mund ta mbajnë peng KFOR-in me kushtëzimet e tyre. “Ata duhet të kuptojnë se mekanizmat ndërkombëtare dhe ato vendore kanë mundësi që për një kohë të shkurtër që të heqin barrikadat”.

Sipas tij, është me rëndësi që qytetarët të binden se politika e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë është në të mirë të popullatës në veri. Kastrati tha se institucionet përgjegjëse nuk do të tolerojnë që rrugët të mbahen të bllokuara pambarim, meqë janë duke pësuar në radhë të parë qytetarët e rëndomtë që jetojnë në veri.