Coca-Cola HBC Kosova lanson edicionin e shtatë të programit më të madh për edukim jo-formal për të rinjtë “Coca-Cola Përkrah Rininë 2024”

Prishtinë, 17 prill 2024  – Coca-Cola HBC Kosova lanson sezonin e shtatë me radhë të programit “Coca-Cola Përkrah Rininë”, qëllimi i së cilës është përmirësimi i mundësive të punësimit të të rinjve. Ngjarja e lansimit të programit të këtij viti do të zhvillohet të hënën, më 22 prill 2024, duke filluar nga ora 10:00, në Teatrin Oda në Prishtinë.

Në prezantimin e iniciativës, të rinjtë do të mund të ndjekin një panel diskutimi me temën “Aftësimi i të rinjve kosovarë me njohuri për sukses në një botë dinamike”. Duke bërë bashkë udhëheqës me përvojë nga biznesi, profesionistë dhe partnerë nga Ambasada e SHBA-së, Misioni i USAID-it në Kosovë dhe Rrjeti SCR Kosova, diskutimi do të zhvillohet mbi sfidat me të cilat përballen të rinjtë kosovarë dhe mundësitë për t’u zhvilluar.

Ky program për fuqizimin e të rinjve është dizajnuar për t’iu ofruar atyre qasje më të lehtë dhe mundësi për përvetësim të shkathtësive jetësore dhe afariste që u nevojiten për tranzicionin drejt punësimit. Temat shtrihen nga menaxhimi i projekteve dhe kohës deri te planifikimi i biznes startup-ve, negociatat, shkathtësitë dhe njohuritë financiare, aftësitë komunikuese, shkathtësitë e shitjeve dhe shkathtësitë digjitale.

Modulet edukative ofrohen përmes formateve të ndryshme duke përfshirë punëtori, ligjërata dhe sesione online, ndërsa trajnimet janë falas për të gjithë të rinjtë e interesuar.

Kërkesat e tregut të punës po ndryshojnë më shpejt se kurrë më parë, kështu që edukimi jo-formal, shkathtësitë praktike dhe njohuritë, janë shpesh elementet që e veçojnë një të ri për punësim. Duke i njohur sfidat me të cilat përballen të rinjtë në peizazhin aktual në ndryshim të vazhdueshëm, u bën shtatë vjet që ne përpiqemi të jemi një burim i besueshëm për njohuritë dhe shkathtësitë që u nevojiten të rinjve për një fillim të suksesshëm të karrierës. Përmes iniciativës “Coca-Cola Përkrah Rininë” ne synojmë ta rrisim punësimin e tyre, si dhe shpirtin e tyre të ndërmarrësisë. I ftojmë të gjithë të rinjtë që të vijnë dhe t’i bashkohen këtij eventi që të mësojnë më shumë rreth vetë programit, përfitimeve të tij, si dhe të jenë pjesë e ndryshimit për veten dhe mjedisin”- thotë Frosina Islami, menaxhere për Marrëdhënie me Publikun dhe Aspektin Rregulativ në Coca-Cola HBC Kosovë.

Të interesuarit mund të marrin pjesë në event fizikisht ose online, duke plotësuar regjistrimin e detyrueshëm nëpërmjet vegzës së shënuar: https://www.coca-colaperkrahrinine.com/#register

Programi Coca-Cola Përkrah Rininë në Kosovë është pjesë e strategjisë më të gjerë të Coca-Cola HBC, e cila synon të fuqizojë 1 milion të rinj deri në vitin 2025 në 29 shtete në të cilat ajo operon, si pjesë e zotimeve për Qëndrueshmërinë 2025. Programi i sivjetshëm në Kosovë do të realizohet në bashkëpunim me Theta Creative.

Për më shumë informata rreth programit, ju lutemi të vizitoni ueb faqen zyrtare: https://www.coca-colaperkrahrinine.com/.