Foto: Pixabay Ilustrim

Të paktën 10 sulme xhihadiste u parandaluan në Evropë më 2023

Inteligjenca perëndimore i ka parandaluar të paktën 10 sulme xhihadiste nëpër Evropë më 2023, ka thënë agjencia holandeze e inteligjencës, AIVD, të martën.

Sipas saj, lufta e nisur mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur terlufta rorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, e ka rritur kërcënimin për sulme tjera.

Në kuadër të sulmeve është paraparë therja e njerëzve në mënyrë rastësore, sulme në ndërtesa dhe ngjarje specifike, ka thënë AIVD në raportin e tij vjetor, pa dhënë më shumë hollësi.

“”Kanë qenë dy çështje mobilizuese: shkatërrimi i Kuranit në Holandë dhe shtetet tjera evropiane, si dhe konflikti në mes të Izraelit dhe Hamasit”, ka thënë agjencia holandeze.

Suedia e ka rritur alarmin për rrezik nga terrorizmi në të dytin më të lartë në vend, pas djegieve të Kuranit – librit të shenjtë për myslimanët – dhe akte tjera me qëllim të dëmtimit të librit, çka ka zemëruar myslimanët dhe ka nxitur kërcënime prej xhihadistëve.

Në tetor, dy tifozë suedezë të futbollit janë qëlluar për vdekje në Bruksel, dhe akti dyshohet të jetë kryer prej një burri që e ka identifikuar veten si anëtar të grupit ekstremist Shteti Islamik.

Po ashtu, në tetor të vitit të kaluar, një 20-vjeçar e ka therur për vdekje një mësues dhe i ka plagosur rëndë dy persona në një shkollë në veri të Francës.

Presidenti francez, Emmanuel Macron e pati dënuar sulmin si “terrorizëm islamik”.

Izraeli dhe Hamasi luftojnë në Gazë prej tetorit të vitit të kaluar.

Lufta është nxitur prej sulmeve të militantëve të Hamasit në tokën izraelite, më 7 tetor, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 250 të tjerë.

Izraeli është përgjigjur me fushatë ushtarake, duke lënë të vdekur më shumë se 34.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Agjencia holandeze e inteligjencës nuk ka reaguar sa ka qenë numri i saktë i sulmeve që i ka parandaluar prej 7 tetorit.

Agjencia holandeze kundër terrorizmit e ka rritur në dhjetor të vitit të kaluar shkallën e kërcënimit ndaj terrorizmit, për herë të parë prej vitit 2019, duke e përmendur ndikimin e luftës në Gazë./REL.