KEK Eksporton Përkundër Ndërprerjeve Elektrike

Familjet kosovare vazhdojnë të përballen me ndërprerje të rregullta të energjisë gjersa furnizuesi kombëtar i energjisë gjithnjë rrit sasinë e eksportit të energjisë elektrike.

Korporata Energjetike e Kosovës po ashtu ka dështuar në shfrytëzimin e plotë të 40 milionë eurove, si subvencion qeveritar në vitin 2010, i cili kishte për synim prurjen e më shumë energjie elektrike në vend.

Kompania qeveritare vitin e kaluar ka eksportuar 165,000 megavatë-orë jashtë vendit. Kjo përfshinë 18,000 megavatë-orë që KEK’u i ka shitur një kompanie nga Serbia, që në një informacion të rrjedhur nga një anal amerikan është përshkruar si e “dyshimtë”.

Një raport i muajit maj nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka gjetur se KEK-u ka lënë të paprekura më shumë se 5 milionë euro, 12 për qind subvencionit prej 40 milionë, përkundër asaj se furnizimi me energji në mbarë vendin ka ngelur i paqëndrueshëm.

KEK’u po ashtu nuk ia ka dalë të bëjë importimin e planifikuar prej 859,990 megavatë-orë, me vetëm 43,404.

Se kjo ka qenë një lëvizje e mençur ekonomizimi nga ana e kompanisë, apo një gjest i padrejtë ndaj konsumatorëve të përvuajtur gjatë, është e hapur për diskutim.

Luan Shllaku, nga grupi i Prishtinës – Forumi 2015, mbron veprimet e kompanisë. Kosova po humbiste një kapital të vlefshëm nga subvencioni shtetëror andaj tatimpaguesit duhet të jenë mirënjohës për faktin që KEK’u nuk e ka shfrytëzuar në masë të plotë atë, tha ai.

“Qasja politike e kësaj qeverie ka qenë që të shpenzojë sa më shumë të jetë e mundur në mënyrë që të mbajë premtimin e saj ‘24 orësh’”, tha Shllaku, duke iu referuar zotimit të Kryeministrit Hashim Thaçi në fushatën zgjedhore të vitit 2007 për furnizim me rrymë 24 orë në ditë.

“Në këtë mënyrë, po shpenzohen shumë para të tatimpaguesve të cilat kemi mundur t’i përdorim në shkolla, spitale dhe reforma tjera”, tha ai.

Auditori i Përgjithshëm nuk ka dhënë asnjë shpjegim se pse KEK’u ka dështuar në ofrimin e energjisë së pandërprerë për konsumatorët e saj në vitin 2010.

Raporti në njëfarë mënyre rekomandon kompaninë që të menaxhojë subvencionet e saj më mirë, ashtu që konsumatorët të shijojnë furnizim më stabil me energji elektrike.

Ndërkohë, zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, kundërshton pohimet e auditorit.

Ai thotë se kompania nuk ka dështuar në shfrytëzimin e 5 milionë eurove – qeveria qysh më parë kishte prerë (hequr) atë shumë nga shumë fillestare prej 40 milionë, pas rishikimit të buxhetit.

Buzhala tha se ministria e financave i kishte thënë KEK’ut në nëntor të vitit 2010 se kompania mund të shpenzonte vetëm 29 milionë euro në import të energjisë, gjë të cilën e kundërshton raporti i auditorit.

Buzhala tha se KEK-u po kursente më shumë para këto ditë, pa prekur aftësinë e saj për të furnizuar konsumatorët me rrymë.

“Fleksibiliteti dhe kontratat e lira na kanë mundësuar që të importojmë më shumë energji me më pak para”, tha ai.

Me të vërtetë, raporti i auditorit zbuloi se KEK’u kishte importuar 74,439 megavat-orë më shumë se në vitin 2009, gjersa kishte shpenzuar 6.5 milionë më pak.

Buzhala tha se konsumatorët nuk po vuajnë për shkak të mungesës së energjisë nga kompania.

Ai tha se njerëzit që banojnë në zonat e quajtura “A”, ku konsumatorët në përgjithësi paguajnë faturat, ata tash kanë furnizim elektrik prej “99.99” për qind të kohës.

Ndryshe ndodhë për konsumatorët që jetojnë në zonat e ashtuquajtura “B” dhe “C”, ku shprehia e pagesës së faturave është më e varfër, shtoi ai.

“Nuk ka energji për konsumatorët që nuk paguajnë faturat – dhe kjo është politika jonë”, tha ai. Problemi është tek konsumatorët që paguajnë faturat e tyre – por që jetojnë në zonat ku shumë të tjerë nuk e bëjnë këtë. Disa nga këta njerëz nuk kanë furnizim të qëndrueshëm të energjisë elektrike të cilën ata e meritojnë, tha zëdhënësi.

Eksportet gjatë natës:

Raporti i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm ka zbuluar se KEK’u kishte eksportuar 23,813 megavat-orë më shumë se që kishte importuar në vitin 2010.

Kjo zakonisht ka ndodhur gjatë natës, kur KEK’u kishte tepricë të energjisë elektrike, pohon raporti.

Shumica e shkëmbimeve të energjisë elektrike janë bërë me Korporatën Energjetike të Shqipërisë, KESH, të cilat kanë importuar 131,638 megavat-orë.

Ka pasur edhe shkëmbime me Ekipin Financues për Energji të Serbisë, dhe atë zvicerane Elektricitats Gesellschaft Laufenburg AG.

Buzhala tha se shumica e këtyre rrjedhave të energjisë elektrike ishin bërë thjeshtë për të siguruar një ekuilibër rajonal të rrjetit, dhe nuk duhet të cilësohen vetëm si importe apo eksporte.

“Kjo ka të bëjë me bashkëpunimin e KEK-ut me kompanitë si-motër në rajon,” tha ai.

“Shkëmbimet bëhen për të balancuar sistemin e energjisë,” shtoi ai. Sipas këtij përkufizimi, Buzhala pohon se KEK-u në fakt kishte importuar më shumë se sa që kishte eksportuar.

Më shumë kursime të energjisë

Auditori i Përgjithshëm ka zbuluar se KEK-u kishte tejkaluar objektivat e veta të vitit 2010, sa i përket shkurtimit të konsumit të përgjithshëm të energjisë.

Kompania ka reduktuar konsumin e përgjithshëm të energjisë prej 194,911 megavat-orë në atë vit. Kompania kishte planifikuar të shkurtojë shifrat prej 82,000 megavat-orësh.

Ndërkohë, KEK-u ka shtuar blerjet nga centralet hidroelektrike të Kosovës prej 61 për qind në vitin 2010. Kompania kishte planifikuar të shpenzojë 3 milionë euro nga ky burim i energjisë, por në fakt ka paguar 4.8 milionë euro për shkak se pesë kompanitë kanë furnizuar më shumë energji elektrike se që ishte kërkuar.

Bordi i KEK-ut ka rekomanduar që, në të ardhmen, të kërkohen planet vjetore të gjenerimit të energjisë nga këta furnizues, me kohë të duhur.

Ky artikull është botuar më herët në BIRN në gjuhën angleze, më 14 qershor 2011.