Gjakmarrja në Shitje për Perëndim

Fran Nikolli, burrë në të gjashtëdhjetat, punon si sekretar i përgjithshëm i ‘Misionarëve të Nënës Terezë për Paqe’, organizatë kjo që pohon të jetë e angazhuar për faljen e gjaqeve mes familjeve shqiptare të përfshira në qarkun e pafund të dhunës, që bazohet në kanunin mesjetar të Lekë Dukagjinit.

Megjithëse zyrtarët në Shqipëri thonë se të ashtuquajturat gjakmarrje – të cilat u shfaqën pas rënies së diktaturës së Enver Hoxhës – janë duke shënuar rënie në numër, Nikolli dhe kolegët e tij janë të zënë si kurrë më parë.

Me qindra shqiptarë, kryesisht nga rajoni verior i Shkodrës, kanë aplikuar për azil në Belgjikë gjatë dy muajve të fundit duke pretenduar se janë në gjak me një familje tjetër dhe se kjo i vë jetët e tyre në rrezik.

BIRN ka zbuluar se organizata e Nikollit dhe OJQ të tjera të ngjashme rëndom u shesin dokumente dhe certifikata familjeve të ndryshme, me të cilat u vërtetojnë se ato mund të jenë viktima të një hakmarrjeje fatale nëse të njëjtat nuk arrijnë të marrin azil në Evropë.

Siç arriti ta kuptojë ky reporter, këto dokumente kanë një çmim dhe jodomosdoshmërisht duhet të ekzistojë një konflikt i vërtetë për tu lëshuar ato.

Syri për sy

Kanuni i Lekë Dukagjinit është kod qindravjeçar i sjelljes, i cili mbulon çdo aspekt jetësor, e i cili në disa zona rurale vazhdon të gjej zbatim më të gjerë se sa kodi penal.

Në të përcaktohen procedurat për gjakmarrje, të cilat pak a shumë bazohen në parimin sy-për-sy. Kur dikush vritet, familja e viktimës mund të hakmerret jo vetëm tek vetë vrasësi por edhe tek të gjithë meshkujt e farefisit të tij të gjerë.

Për shkak të se rregullat e hakmarrjes për nga natyra nuk janë strikte, shpesh është vështirë që të përcaktohet saktë se kush është në rrezik.

Më 15 dhjetor të vitit 2010 BE e hoqi kushtin e vizave për shqiptarët dhe që atëherë këta të fundit gëzojnë qasje më të lehtë në zonën evropiane pa kufij të Schengenit.

Regjimi i ri i lëvizjes u jep mundësi shtetasve të Shqipërisë që të udhëtojnë brenda kufijve të BE’së për 90 ditë brenda gjashtë muajsh, por gjatë kohës së qëndrimit ata nuk kanë të drejtë pune.

Pas liberalizimit të regjimit të vizave, në Europën perëndimore u parashtruan pak kërkesa për azil.

Por në shtator dhe tetor, autoritetet belge vërejtën një ngritje eksponenciale, gjë që i shtyri që ta paralajmërojnë Tiranën se pas kësaj ngritje të menjëhershme mund të qëndrojnë rrjetet kriminale.

Freddy Rosemont, udhëheqës i Departamentit Belg për Azil dhe Migrim, i cili rishtas e vizitoi Tiranën për t’i njoftuar autoritetet lokale, tha se 240 qytetarë të Shqipërisë kanë kërkuar azil politik që nga fillimi i tetorit, krahasuar me 44 sa kishin kërkuar trajtim të tillë në muajin shtator.

“Nëse ky trend vazhdon, deri në fund të muajit, [në Belgjikë] numri i azilkërkuesve nga Shqipëria do të arrij rreth 400”, tha Rosemont në një konferencë të përbashkët për shtyp me drejtorin e Policisë Shqiptare Hysni Burgaj të mbajtur në Tiranë.

“Prapa këtyre njerëzve të cilët po bien pre e gënjeshtrave qëndron një organizatë i tërë ose rrjet i tërë që u ofron atyre dokumente dhe letra false në këmbim për shuma të majme parash”, shtoi ai.

Gjakmarrja ime private

Gjatë një takimi që kishim në fillim të muajit tetor pasi që Nikolli kishte kuptuar se unë po kërkoj një certifikatë të gjakmarrjes, ai filloi menjëherë me pyetjen nëse kushdo nga familja kishte pasur ndonjëherë konflikt, dhe veçanërisht nëse konflikti i tillë kishte rezultuar me të vrarë apo të plagosur.

“Hmm… kjo paraqet një problem, por edhe për të mund të gjendet zgjidhja,” qortoi Nikolli, kur e kuptoi se askush nga familja nuk kishte kryer në të kaluarën që mund të mbahet mend ndonjë vrasje. “Megjithatë, kjo mund të rregullohet”, shtoi ai si në murmurimë, pasi që vrau për ca momente mendjen se si t’ia bëhet tani.

Pas ca ditësh Nikolli sajoi një dokument që thoshte se xhaxhai im gjatë kthimit nga Greqia ku jeton si imigrant kishte qenë i përfshirë në një aksident.

Pasi që ngasësi që i kishte gërvishtur veturën kishte refuzuar pagimin e dëmit, xhaxhai im, mbase duke vepruar në afekt, kishte shtirë në të dhe e kishte plagosur atë, e si pasojë, familja e viktimës më kishte përzgjedhur mua si cak për gjakmarrje.

“Tani jeta jote është në rrezik dhe ti nuk mund të jetosh më në Shqipëri”, tha Nikolli me një dozë krenarie. “Ky dokument do të ketë efekt sepse vetëm kësisoj do të mund të jepet azil në BE”, shtoi ai.

Nikolli tha se organizata e tij kishte lëshuar rreth 220 certifikata të ngjashme vetëm gjatë muajit të fundit, të cilat ai më siguroi se kishin rezultuar me shumë kërkesa të suksesshme për azil.

Numri i viktimave të pretenduara të gjakmarrjes të cilat duhet të largohen nga shteti është vënë në spikamë pasi që zëdhënësja e policisë për rajonin e Shkodrës, Fatbardha Celepia, thotë se në tërë këtë zonë vetëm 240 persona janë të përfshirë në gjakmarrje. “Viteve të fundit ky problem është minimizuar”, tha Celepia.

Forumi për Liri të Mendimit, një OJQ lokale e financuar nga USAID-i, e cila e ka krijuar një bazë të të dhënave lidhur me familjet të cilat janë në gjakmarrje që ndërlidhen me Kanunin e Lekës, thotë se janë vetëm 94 familje që gjenden në telashe të tilla.

Bonusi i domosdoshëm

Pasi që ‘gjakmarrja’ ime nuk ishte e vërtetë por e fabrikuar Nikolli kërkonte një bonos (pagesë shtesë) para se ta lëshonte certifikatën. “Gjakmarrja është e sajuar dhe kushton 250 euro; po të ishte i vërtetë do të të kushtonte vetëm 150 euro”, sqaroi ai.

Ne u pajtuam që të takohemi pas disa ditësh, kur unë do të sillja paratë dhe do ta merrja certifikatën time. Ndërkohë, pas njoftimit nga autoritetet belge, policia shqiptare filloi me verifikimin e të dhënave për këtë çështje, gjë që bëri që Nikolli dhe të tjerët si ai të ikin në nëntokë.

Hetimi ka rezultuar me aktakuzë kundër dy zyrtarëve lokalë, kreut të komunës së Postribës dhe kryetarit të qytezës së Koplikut, të cilët gjithashtu kishin lëshuar certifikata false për gjakmarrje për azilkërkuesit potencialë.

“Këta dy zyrtarë nuk kishin bazë ligjore për të lëshuar dokumente të tilla dhe në të shumtën e rasteve kemi të bëjmë me dokumente false, sepse njerëzit të cilët i kanë marrë ato nuk janë të përfshirë në kurrfarë konflikti ose gjakmarrjeje”, tha zëdhënësja e policisë Alma Katragjini.

Të dy zyrtarët i kanë mohuar veprat.

Pas këtyre aktakuzave të datës 24 tetorit, komunikimi me Nikollin u bë shumë i vështirë. Kur arrita të bie në kontakt me të sërish, ai e anuloi marrëveshjen. “Nuk jam duke lëshuar më certifikata për momentin pasi që jam nën kontroll nga policia dhe shërbimi sekret”, tha ai.

Por konkurrenca e Nikollit në biznesin e lëshimit të instant certifikatave për gjakmarrje nuk janë aq të frikësuar nga aksioni policor.

Gjin Mekshi, kryesues i Misionit të Pajtimit Mbarëkombëtar “Nëna Terezë”, një OJQ tjetër që operon në Shkodër, ka ofruar të më shesë një dokument të ngjashëm me të njëjtin tregim për krimin imagjinar të xhaxhait tim. Ai madje edhe më ofroi lirim.

“Ty do të kushtojë 200 euro pasi që je gazetar”, tha Mekshi, duke ma dhënë dokumentin.

Hetimi u përkrah nga shoqata daneze e gazetarisë hulumtuese, FUJ, përmes programit të tij SCOOP.