Dogana Humb Miliona nga Mashtrimet në Import

Drejtori i Doganës së Kosovës, Naim Huruglica, thotë se kriminelët po vjedhin miliona euro nga vendi si pjesë e një plani për mashtrim në eksporte nga Turqia në Kosovë.

Statistikat të cilat i ka siguruar Balkan Insight shfaqin një mospërputhje prej 60 milionë euro në vit ndërmjet deklaratave të doganave turke të deklaruara se çka është eksportuar në Kosovë dhe  ato të dhëna nga Doganat e Kosovës se çka është importuar nga Turqia.

Huruglica thotë se ky është rezultat i përhapjes së evazionit të organizuar të tatimit. Ai tha se autoritetet turke dhe kosovare po humbin para si rezultat i kësaj.

Eksportuesit kanë të drejtën e kompensimit të tatimit në vlerën e shtuar nga shteti nga i cili vjen malli, i cili në këtë rast është Turqia.

Nëse vlerën e mallit të cilin e importojnë në Doganën e Kosovës e deklarojnë si më të vogël, ata mund të përfitojnë nga TVSH’ja, duke privuar Kosovën nga mjetet financiare që mblidhen si pjesë e tatimit 10% për import.

“Zyrtarët turq thonë se eksportojnë mallra me vlerë prej 300 milionë dollarë në Kosovë [210 milionë euro] brenda vitit dhe ekziston një mospërputhshmëri prej rreth 100 milionë dollarë nëse krahasohet shifra me të dhënat e doganës së Kosovës”.

Është e vështirë të sigurohen shifra të sakta të vlerës së eksportit të Turqisë në Kosovë.

Zafer Caglayan, Ministri turk për Tregti të Jashtme, në një mbledhje vitin e kaluar me Ministrin e Ekonomisë Ahmet Shala deklaroi se eksporti i Turqisë në Kosovë në 2009 vlerësohej në rreth 190 milionë euro.

Ndërkohë një raport i Zyrës së Statistikave të Turqisë në 2009, eksportin e Turqisë në Kosovë e cakton me shumë prej 198 milionë euro.

Megjithatë asnjëra nga këto statistika nuk i afrohet shifrës së mbledhur nga Dogana e Kosovës.

Të dhënat që i ka siguruar Balkan Insight tregojnë se Turqia ka eksportuar mall me vlerë prej 137 milionë euro në 2009 duke lënë hapësirë prej 60 milionë euro në krahasim me vlerën mesatare turke për të njëjtin vit.

 “Nga ky mashtrim i eksportit, buxhetet e Kosovës dhe Turqisë po pësojnë humbje, ndërkaq biznese të caktuara po përfitojnë…duke i ikur pagesës së doganave dhe TVSH-së në Kosovë”, tha Huruglica.

Ai tha se zyrtarët e Doganës së Kosovës rregullisht zbulojnë mall i cili vjen nga Turqia, deklarimi i vlerës të së cilit është zvogëluar sa i përket sasisë dhe vlerës.

Si rrjedhojë kanë pasuar gjobat por dënime të tilla kanë dështuar në frenimin e krimeve.

Në dy javët e fundit të marsit, Dogana e Kosovës gjeti mall nga Turqia i cili ishte deklaruar për 42,000 euro më pak nga vlera e vërtetë dhe si rezultat u gjobitën shtatë firma të ndryshme me një shumë prej 52, 000 euro, shtoi Balkan Insight.

Sipas Doganës së Kosovës, ky mall përfshinte tekstil, telefona mobilë, dyer, dritare dhe gjeneratorë.

“Vazhdimisht po përballemi me problemin e deklarimit të zvogëluar të mallrave nga Turqia”, tha Huruglica. Për të parandaluar evazionin e tatimit, Dogana e Kosovës arriti një marrëveshje me doganën e Turqisë vitin e kaluar, e cila hyri në fuqi në mars, si rezultat i së cilës të dyja vendet tanimë shkëmbejnë informata doganore. Huruglica tha se kjo do t’i zvogëlojë gradualisht shpërdorimet e tilla.

Liderët e Odës Ekonomike Turke në Kosovë i treguan Balkan Insight se ata ishin të informuar për mashtrimin. Gjatë fundit të muajt të kaluar, në Stamboll është organizuar një mbledhje e përbashkët me bizneset, ku drejtori i Doganave Naim Huruglica kishte ngritur këtë çështje, tha anëtarja e Odës Selda Pajazit.

“Huruglica e vuri në dukje këtë çështje në seminarin e mbajtur me 28 Prill 2011, ku qëllimi ishte të promovohej Kosova dhe të tërhiqeshin investitor të huaj” u shpreh Pajazit.

Pajazit tha se shpreson që bashkëpunimi nga marrëveshja e doganave ndërmjet Kosovës dhe Turqisë do të veprojë kundrejt këtij problemi.

Sekretari i Përgjithshëm i Odes Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, pohoi se ka mospërputhje të mëdha ndërmjet të dhënave të dy shteteve. “ Dogana e Kosovës ka kohë që po përpiqet të bllokojë këto mashtrime”, tha Rukiqi.

Ky artikull është botuar më herët në BIRN në gjuhën angleze, më 23 maj 2011.