VV Rrokullis edhe Një Kamion

Lëvizja Vetëvendosje njoftoi sot se aktivistë të saj kanë rrokullisur nën rrugë jë kamion, i cili po transportonte mallra serbe.

Aksioni u zhvillua në magjistralen Arllat-Malishevë, rreth orës 14.

Vetëvendosje ka njoftuar se aktivistët e saj ndaluan kamionin me targa serbe SJ 001-UO dhe pas verifikimit të prejardhjes së mallit e rrotulluan atë. Kamioni transportonte grurë nga Serbia.

“Në këtë situatë ku Serbia e vërshon tregun e Kosovës me mallrat e saj dhe Qeveria beson në vullnetin e mirë të Serbisë, neve nuk na mbetet tjetër përveç se ta dëmtojmë Serbinë brenda Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të kësaj lëvizjeje.
 
Vetëvendosje ka kryer disa aksione të ngjashme ditëve të kaluara, kryesisht në magjistralen Podujevë – Prishtinë, por pas shtimit të patrullimeve të policisë në këtë rrugë, duket se është ndërruar lokacioni.

VV paralajmëron se do të vazhdojë me aksione të këtilla politike, “të cilat e mbrojnë interesin e vendit” dhe njëkohësisht kërkon nga qytetarët që t’i bojkotojë mallrat e Serbisë e t’i konsumojnë mallrat vendore. “Në këtë mënyrë dëmtohet Serbia dhe zhvillohet Kosova”, theksohet në komunikatë.