Dialogu Rifillon në Nëntor

Raundi tjetër i dialogut Kosovë-Serbi, për çështje teknike, pritet të mbahet në mes të nëntorit, sikur iu ka propozuar palëve i dërguari i BE-së, Robert Cooper.

Grupi negociues i Prishtinës ka rezervuar tashmë dy javët e para të muajit për takimin eventual të delegacioneve, i tha Gazetës JnK, Dren Zeka, anëtar i delegacionit të Kosovës.

“Ndërmjetësi i BE-së [Robert Cooper], ende nuk ka propozuar një datë të caktuar, por e ka përmendur mesin e nëntorit, si një kohë të mundshme për mbledhjen e ardhshme. Ne ramë dakord për terminin, ai është i përshtatshëm për ne dhe jemi gati për të rifilluar dialogun”, tha Zeka.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja, mes Kosovës dhe Serbisë, filluan në mars të këtij viti dhe u fokusuan vetëm në çështje teknike, siç janë liria e lëvizjes, telekomunikacionit dhe energjia.

Në takimin e fundit më 28 shtator, ekipi Beogradit u largua nga tryeza e bisedimeve, duke kërkuar ndryshim në rendin e ditës, hapjen e bisedimeve mbi çështjen e pjesës veriore të Kosovës, e cila kohët e fundit u bë një skenë e ngjarjeve të dhunshme.

Për këtë arsye, mbledhja e caktuar më datën 14 tetor, u shty.

Këshilltari kryesor politik i Edita Tahirit, kryenegociatores së ekipit të Prishtinës, Dren Zeka, tha se Kosova do të vazhdojë t’i përmbahet Planit të Ahtisarit, dhe se bisedimet teknike nuk parashikojnë që çështje të tilla politike të diskutohen në tryezë, pasi që ato janë çështje të brendshme të Kosovës.

“Marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një nga kriteret kryesore evropiane, mes tjerash. Kosova është duke u përpjekur të dëshmojë se është gati për të përmirësuar raportet bilaterale me të gjithë fqinjët e saj, absolutisht pa kushte. Por, veriu i Kosovës, është një çështje e brendshme dhe jo për negociata me Beogradin”.

I dërguari i BE-së, Robert Cooper, ka njoftuar se do të shqyrtojë punën që të dy palët kanë bërë në zbatimin e asaj që është rënë dakord në Bruksel, dhe ka vendosur 20 nëntorin si datë për këtë vlerësim.

Prishtina dhe Beogradi, që nga marsi, rënë dakord për çështje të ndryshme duke filluar nga tregtia, vulat doganore, regjistri kadastral dhe lirinë e lëvizjes.

Anëtar i ekipit të Prishtinës tha se “Prishtina i ka bërë punët e saj të shtëpisë në zbatimin e marrëveshjeve”. Ai shfaqi besimin që nga ana e Beogradit të shihen së shpejti rezultate në lidhje me lirinë e lëvizjes, që qytetarët e Kosovës të lejohen të udhëtojnë lirisht me dokumentet e tyre në këtë vend.