PTK Padit Rasim Selmanajn

Kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, i ka mbetur 800 euro borxh Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK). Për borxhin e papaguar prej vitit 2005, kur Selmanaj ishte botues i të përjavshmes “Fokus”, PTK ka ngritur padi në Gjykatën Komunale në Prishtinë.

Seanca ishte caktuar të martën, me fillim në ora 14:20, por Selmanaj nuk është paraqitur. 

Kurse përfaqësuesi i Selmanajt, Dukagjin Povataj, ka ardhur me vonesë, kur gjykata kishte vendosur shtyrjen e seancës. Sidoqoftë Povataj e njoftoi Gjykatën se ka pranuar vetëm ftesën për seancë, dhe nuk është i njoftuar më shumë me rastin. Gjykata ia dha atij një kopje te padisë dhe ftesën për seancën e radhës. 

Vetë Selmanaj, i kontaktuar nga Gazeta JnK, ka thënë se nuk e mban mend të ketë shpenzuar 800 euro me telefonin e tij, të cilin e ka pasur “post-paid”, në kohën sa ka punuar në Prishtinë.

Ai arsyetohet se PTK-ja asnjëherë nuk i ka dërguar ndonjë shkresë, që ta njoftojë për borxhin e mbetur. Madje shpreh dyshimin se “ky mund të jetë ndonjë gabim”. Por nëse borxhi ekziston, ai thotë se do ta shlyejë.

Ai ka insistuar të sqarohet se ky borxh nuk lidhet me punën aktuale në krye të Komunës së Deçanit.