Uniforma Ruse Afër Urës

(E plotësuar)

Një grup prej 10 rusësh, të veshur në uniforma ushtarake, kanë vizituar të hënën serbët në tenda, në afërsi të barrikadës në urën kryesore në veri të Mitrovicës.

Të shoqëruar nga një prift ortodoks rus, ata kanë bërë “homazhe” tek përmendorja, e ndërtuar në cepin verior të kësaj ure, në përkujtim të serbëve të vrarë nga NATO-ja, gjatë luftës së vitit 1999. Ata janë lutur dhe kanë kënduar për Kosovën.

Ushtarët u përshëndetën nga njerëzit brenda tendave, të cilët dolën edhe për t’u fotografuar me ta.  Ata kanë komunikuar mes vete në gjuhën ruse, ndërsa e vete kanë pasur dhe një përkthyes për komunikim me serbët.

“Ju jeni shpresa jonë e vetme! Ju jeni shpëtimtarët tanë të vetëm! Perëndia ju bekoftë që keni ardhur këtu, sepse askush tjetër nuk kujdeset për ne”, po i thoshte një grua e vjetër, njërit prej njerëzve me uniformë.

Grupi i uniformuar ka qëndruar për rreth një orë në barrikada, më pas ka parakaluar nëpër rrugë; kanë hipur në vetura dhe janë nisur në drejtim të Zveçanit.

KFOR-i dhe policia vetëm kanë vështruar situatën, por nuk kanë intervenuar.

Zëdhënësit e KFOR-it dhe as të EULEX-it nuk ishin në dispozicion për komente.

Kurse zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, nuk beson se personat e uniformuar janë ushtarakë.

“Ku me ditë se ku i gjetën ato uniforma. Ata kanë ardhë si civilë, e kanë sjellë një ikonë për kishën ortodokse serbe në veri.  U kanë thënë njerëzve në barrikada se po sjellim porosi prej Rusisë, me kërkesë të kryeministrit rus (Vladimir Putin), për të treguar mbështetjen e shtetit rus për popullatën serbe në veri”, i tha Hoti, Gazetës JnK.

“Kjo po i bie, sikur po bëjnë filma për veriun”, u shpreh ai.

Policia ka informata se të njëjtit persona, kanë shkuar edhe në Zupç e Jagnjenicë.

Në gusht, televizioni gjerman – ARD kishte transmetuar një kronikë, në të cilën shfaqeshin edhe rusë, në barrikadat e serbëve në veriun e Kosovës.

Një i ri rus, i cili ishte prezantuar si anëtar i grupit radikal serb “Srpski Vitezovi”, kishte folur për ARD-në lidhur me qëllimet e ardhjes së tyre në veriun e Kosovës.

“Kemi ardhur këtu për t’iu ndihmuar vëllezërve serbë. Ne të gjithë jemi një gjak. Jemi të të njëjtit gjak, të njëjtit besim ortodoks dhe të gjithë duhet të jemi të bashkuar t’i ndihmojmë njëri-tjetrit”, ka thënë ky i ri, i cili mbante një fanellë me slogane ekstremiste, “në mbrojtje të Mitrovicës”.

Edhe mediet kosovare kanë raportuar se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka identifikuar mercenarë rusë në veri, të cilët kanë ardhur pas aksionit të policisë speciale të Kosovës për të vënë në kontroll pikat kufitare 1 dhe 31. Zyrtarët serbë e kanë mohuar praninë e mercenarëve rusë në  barrikadat, e vendosura që nga korriku.