Foto: ZKM

Kurti flet për rastin e profesorit Xhevat Krasniqi, i denoncuar për ngacmim seksual

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur lidhur me rastin e profesorit të Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi, i denoncuar për ngacmim seksual të disa studenteve.

Ai ka thënë se organet e UP-së duhet të marrin shumë seriozisht ankesat dhe t’i trajtojnë ato në mënyrë meritore.

“Unë nuk mund të ia bëj gjyqin etik Këshillit të Etikës në UP, por nuk bëhet fjalë për dy vajza e shtatë vajza, por për 27 vajza, andaj unë shpresoj që edhe organet kompetente të UP-së dhe i gjithë universiteti do t’i marrin shumë seriozisht këto ankesa që duhet të trajtohen në mënyrë meritore duke pas parasysh që Qeveria, Kuvendi, Universiteti i Prishtinës, krejt këto organe që kanë përgjegjësi e reputacion duhet të jenë në ballë të betejës që duhet të jetë e përbashkët”- ka thënë Kurti.

Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës i ka kërkuar Fakultetit të Edukimit vlerësimin zyrtar të performancës së profesorit të rregullt, Xhevat Krasniqi, në këtë Fakultet, më 17.04.2024.

27 studente të Fakultetit të Mjekësisë, ku Krasniqi jepte lëndën e matematikës si profesor i angazhuar, kanë raportuar se janë ngacmuar seksualisht nga ai.

Lidhur me pretendimet e studenteve se janë ngacmuar seksualisht nga profesori Krasniqi, Fakulteti i Mjekësisë tha më 27.03.2024 se fillimisht ishin informuar gojarisht.

Kurse, denoncimin me shkrim studentet e Fakultetit të Mjekësisë e kishin dorëzuar zyrtarisht më 27.02.2024 në Fakultet.

Pas denoncimit të studenteve, i gjithë menaxhmenti i Mjekësisë, dekan e prodekan, janë mbledhur më 04.03.2024, me ç’rast kanë ftuar edhe profesorin Krasniqi për t’ia kumtuar me gojë denoncimin e studenteve ndaj tij dhe ndërprerjen e bashkëpunimit me të.

Sipas Fakultetit të Mjekësisë, Krasniqi nuk e ka pranuar se i ka ngacmuar seksualisht studentet.

Kallxo Përnime ka publikuar hulumtimin, në të cilin, disa vajza dhe djem rrëfejnë për ngacmimet seksuale që pretendohet se profesori i matematikës, Xhevat Krasniqi i ka bërë ndaj studenteve të mjekësisë.