Foto: Albin Kurti, Facebook

Filmi “Rrugës” përzgjidhet për garën e filmave të shkurtër në Festivalin e Kanës

Filmi “Rrugës” është përzgjedhur zyrtarisht për garën e filmave të shkurtër në edicionin e 77-të të Festivalit të Kanës.

Sipas njoftimit, nga 4,420 filma, “Rrugës” është përzgjedhur mes 11 filmave të shkurtër nga 11 shtete që do të prezantohen këtë vit në konkurrencë.

Ndërsa thuhet se Palma e Artë për Filmin e Shkurtër do të jepet nga juria e kryesuar nga Lubna Azabal, të shtunën, më 25 maj, gjatë ceremonisë së mbylljes së Festivalit.

Filmi “Rrugës”, me regji të Samir Karahodës, sjell tregimin e një babai dhe djalit të tij në rrugën e tyre për në aeroport për të marrë një dhuratë të ardhur nga jashtë, e dërguar nga kumbari i djalit. Ndërsa përballen me pengesa burokratike dhe një perspektivë të pakëndshme për ndryshime reale politike dhe sociale në vendin e tyre, ata gjejnë ngushëllim dhe forcë në optimizmin e tyre të përbashkët për të ardhmen.

“”Rrugës” është shkruar nga Samir Karahoda dhe djali i tij Mironi, duke integruar tregime personale dhe elemente autobiografike, që pasqyrojnë shqetësimet e tyre për të ardhmen e vendit.  Gjatë këtij udhëtimi të shkurtër, udhëtimi i tyre bëhet një eksplorim i lidhjes së tyre mes sfidave shoqërore dhe pasigurisë që ata kanë në atdheun e tyre”- ka njoftuar producenti i filmit, Eroll Bilibani.

Ai ka thënë se në rolet kryesore paraqiten Ylber Mehmeti dhe Miron Karahoda, ndërsa Samir Karahoda përveç regjisë dhe skenarit, gjithashtu ishte edhe drejtor i fotografisë.

Ndërsa ka njoftuar se kjo është hera e dytë që një film në regji të Samir Karahodës përzgjidhet për garën zyrtare të Festivalit më prestigjioz në botë, pas filmit “Pa Vend” që e kishte premierën në Kanë në vitin 2021.

Lidhur me ketë ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili u ka uruar suksese ekipit në konkurrencën e këtij viti në Kanë.