Flamuri i Serbisë në Beograd, nëntor 2022 Foto: Gentiana Ahmeti/ KALLXO.com

Gjykata serbe caktoi 30 ditë paraburgim për qytetarin e Kosovës Sadik Duraku

Qytetarit të Kosovës, Sadik Duraku, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata e Lartë për Krime Lufte në Beograd, pas arrestimit të tij më 17.04.2024, në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com këshilltari i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Leutrim Sahiti.

Sipas Sahitit, Ministria është njoftuar nga avokati mbrojtës dhe familjarët e Sadik Durakut se atë e kishin arrestuar përderisa ka qenë duke u kthyer në Kosovë me veturën e tij personale.

Nga të dhënat që ka ndarë Sahiti, qytetari është nga fshati Damjan i komunës së Gjakovës dhe po ashtu ka nënshtetësi të Britanisë së Madhe.

Sahiti ka thënë se autoritetet serbe pas arrestimit i kanë komunikuar Durakut se është i ngarkuar me pretendime për kryerje të krimeve të luftës gjatë luftës në Kosovë më 1999. 

“Pas arrestimit, z. Duraku i është komunikuar nga autoritetet serbe se është i ngarkuar me pretendimet për kryerje të krimeve të luftës gjatë luftës në Kosovë më 1999, ku pastaj është dërguar në Beograd në mbajtje edhe për 48 orë, në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd. Ndaj tij pretendimet për kryerje të krimeve të luftës i ka ngritur Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit” – është përgjigjur Sahiti.

Ndërsa, më 19.04.2024, Duraku ka dalë para gjykatësit të procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd.

“Sipas avokatit mbrojtës, Gjykata ka marrë vendim me të cilin atij i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve” – ka shtuar Sahiti.

Më tej, Sahiti thotë se familjarët i kanë treguar për gjendjen jo të mirë shëndetësore të Durakut, dhe se avokati mbrojtës e ka konfirmuar se Durakut gjatë kohës së mbajtjes i është dhënë nga autoritetet e burgut terapia përkatëse.

Sahiti tha se ambasadori i Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, i ka dërguar kërkesë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për ta marrë informacionet rreth arsyeve të arrestimit të Durakut dhe se ka bërë kërkesë nga autoritetet serbe për lejim të vizitës së tij.

“Ambasadori Jashari i ka dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për ta marrë informacionet rreth arsyeve të arrestimit të z. Duraku, si dhe ofrimin e detajeve tjera relevante përkatëse. Ambasadori Jashari poashtu ka komunikuar me përfaqësitë diplomatike të vendeve të Kuint-it të akredituara në Serbi, të cilët i ka njoftuar lidhur me rastin. Ambasadori Jashari poashtu ka bërë kërkesë zyrtare tek autoritetet serbe për lejim të vizitës së tij e cila pritet të realizohet ditët në vijim” – ka theksuar Sahiti.

Në anën tjetër, 17.04.2024, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës njoftoi se 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës (shqiptarë dhe serbë) janë ndaluar në kalimet kufitare Merdarë, Jarinje, Dheu i Bardhë dhe në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë.

Të gjithë u liruan, përveç zëvendësdrejtorit i përgjithshëm të Policisë, Dejan Jankoviq, i cili u lirua më 18.04.2024.

Për arrestimin e Jankoviq ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili tha më 18.04.2024, se zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Dejan Jankoviq, vazhdon të mbahet në burg në Serbi.

Për arrestimin e Jankoviq u shprehën të shqetësuar edhe EULEX dhe ambasadori i SHBA-s në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njoftoi se më 16.04.2024, në orët e vona, pak orë pas votimit në favor të Kosovës të Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, institucionet janë njoftuar që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, janë ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë.

Sipas MPJD-së, qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës u ndaluan edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, si dhe te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas.

Bashkimi Europian është i informuar për rastin e ndaljes së udhëtarëve dhe autobusëve nga Kosova nga autoritetet e Serbisë dhe është duke ndjekur situatën për së afërmi. Në këtë rast BE-ja konstaton se Serbia është duke e shkelur marrëveshjen për lirinë e lëvizjes.

“Ne jemi në dijeni për situatën dhe po e përcjellim për së afërmi. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, cakton parametrat e qartë rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata momentale paraqet shkelje të kësaj marrëveshjeje” – ka deklaruar zëdhënësi i BE-së Peter Stano.

Ai shtoi se BE-ja “fton Serbinë që të përmbahet nga veprimet e tilla unilaterale dhe të pakoordinuara dhe menjëherë t’i kthehet respektimit të marrëveshjes“.

Por, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë i ka mohuar akuzat se ka ndaluar autobusë me udhëtarë kosovarë në kufijtë e saj me Kroacinë dhe Hungarinë. Ajo shtoi se janë “duke u forcuar kontrollet kufitare”.