Merrte Urdhra nga ‘Dr. Vampiri’

Punëtori i Klinikës Medicus, infermieri Besim Gashi, gjatë dëshmisë së dhënë para kolegjit të gjykatësve në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, të enjten, e pranoi se në Klinikën Medicus ishin trajtuar pacientë të huaj. E urdhrat dhe monitorimin se si të trajtoheshin ata i kishte marrë nga dr.Yusuf Somnez,  ‘Dr. Vampiri’.

Turku Somnez është një nga të akuzuarit kryesorë, por i cili gjendet jashtë Kosovës.

Gashi dëshmoi se nuk i kishte interesuar asnjëherë se çfarë operime ishin bërë në Medicus, kjo pasi që ai ishte vetëm një infermier – post operativ.

Po të enjten para kolegjit dëshmoi edhe polici Ramadan Ahmeti, i cili mbante një pozitë të lartë në polici, në kohën kur njësia e policisë në aeroport kishte vërejtur se si vinin njerëz nga shtete të huaja – nga Turqia e në përgjithësi Azia – pa para në xhep por që kishin ftesa për kontrolle në Klinikën Medicus, të nënshkruara nga dr.Lutfi Dërvishi.

Ahmeti dëshmoi se gjatë intervistimit të turkut të zënë në aeroport, e kishin kuptuar se për ‘dhurimin’ e veshkës i ishin ofruar 20000 dollarë.

Para kolegjit u papaqit edhe ish-prokurori i çështjes, Osmon Mehmeti, i cili në ditën e bastisjes dhe arrestimit ishte prokuror kujdestar.

Ish prokurori dëshmoi për veprimet që ai i kishte marrë dhe ato që policia i kishte ndërmarr si gjatë ashtu edhe pas bastisjes. Mehmeti tregoi se si ai vet nuk e kishte marr urdhrin nga gjykatësi paraprak, edhe pse sipas ligjit, ai ishte i detyruar ta bënte këtë.

Në seancë dëshmoi edhe inspektori shëndetësor Shaban Osmanaj i cili kishte qenë në bastisje dhe kishte parë licencën, po ashtu kishte parë librat e protokollit, të cilat vet i kishte kontrolluar.

Dy dëshmitarët Besim Gashi e Shaban Osmanaj do të ftohen prapë për të dëshmuar para kolegjit, me kërkesë të prokurorit.

Gjykimi në rastin ‘Medicus’ ka filluar më 4 tetor. Të pandehurve Lutfi Dervishi mjek dhe profesor urologjisë, Arban Dervishi ekonomist i diplomuar, Driton Jilta mjek nga komuniteti turk dhe punëtor shëndetësor i misionit të OSBE’së, Ilir Recaj mjek njëkohësisht edhe Sekretar Permanent në Ministrinë e Shëndetësisë në kohën e Alush Gashit, Sokol Hajdini mjek anesteziolog, Islam Bytyqi mjek dhe Sylejman Dula mjek iu kishte konfirmuar aktakuza në 2 mars 2011 .

Ata të gjithë akuzohen për krim të organizuar, trafikim me njerëz, ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe shpërdorim i detyrës zyrtare ose i autorizimit, në bashkëkryerje.

Të pandehurit akuzohen që së bashku kanë ndërmarr veprime kriminale duke i transplantuar veshkat e më shumë se 20 personave të ndryshëm nga vende të ndryshme, kryesisht nga Turqia. Veshkat u morën pacientëve të ndryshëm, pacientë këta nga vende të ndryshme, duke ju transplantuar kryesisht Izraelitëve në këmbim të shumave të mëdha të parave – deri në 90 mijë dollarë për një transplanto.