Me Shkelje dhe Humbje Kohe

Në shqyrtimin kryesor kundër Fahredin Gashit e Hysni Ramës, i njohur si Rasti Bllaca, është marrë në pyetje si dëshmitar Nazim Sahiti, zëvëndësshef i njësisë së hetimeve rajonale në Prishtinë.

Ai u shpreh se nuk dinte për përmbajtjen e CD-ve të përgjimit të telefonatave ndërmjet Gashit e Nazim Bllacës, të cilat kanë humbur. Ai ka thënë se “asnjëherë nuk i vë kufjet në vesh për të përgjuar telefonatat”, pasi mban pozitë të lartë në polici.

Kolegji ka ftuar të pandehurin që të jepte mbrojtjen e tij, pa përfunduar proceduara e provave dhe dëgjuar të gjithë dëshmitarët. Për çështjen e provave, prokurori dhe mbrojtja shpenzuan shumë kohë. Prokurori Maurizio Salustro tha se mbrojtja ka “një dashuri perverse për të humbur kohë”.

Seanca për shqyrtimin kryesor kundër Gashit e Ramës është mbajtur të hënën në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Gashi – njohur me nofkën Faruku, akuzohet për krime të luftës kundër popullatës civile, të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, se ka kryer vrasjen e Salih Gashit. I pandehuri i dytë akuzohet vetëm për dhënie të ndihmës së të pandehurit të parë për fshehje të krimit.

Edhe pse e caktuar me aktvendim në orën 9:30, ajo nuk filloi deri në orën 10, për shkak të vonesës së prokurorit special, Maurizio Salustro. Atë u desh ta priste mbrojtja edhe kolegji i gjykatësve, në përbërje nga gjykatës të EULEX-it dhe vendas.

Nazim Sahiti, zëvëndësshef i njësisë së hetimeve rajonale, ishte ftuar nga mbrojtja që të tregonte për çështjen e humbjes së CD-ve të përgjimit të telefonatave ndërmjet Bllacës dhe Gashit.

Ai nuk i dha shumë mbrojtjes dhe vetë gjykatës; u shpreh se nuk dinte për përmbajtjen e këtyre CD-ve. Për këtë reagoi edhe prokurori i çështjes, duke e quajtur si jorelevante vazhdimin e dhënies së dëshmisë së tij.

Dëshmitari tregoi se si Policia e Kosovës i aplikon masat e fshehta në rastet e saj, duke treguar edhe për procedurën që ndjekin në përgjimin e telefonatave, por shtoi se “asnjëherë nuk i vë kufjet në vesh për të përgjuar telefonatat”, kjo për faktin se mban pozitë të lartë në polici. E atij i kishin raportuar hetuesit e rastit, Blerim Dajaku dhe Zymber Gashi.

Prokurori, disa herë e vendosi në një pozitë të palakmueshme dëshmitarin, duke pyetur nëse ishte i sigurt për ato çka deklaronte se ishin të vërteta.

Kryetari i kërkoi Sahiti kontaktin e dy personave, të cilët duhej të kontaktoheshin gjatë pushimit.
Por seanca nuk vazhdoi me kohë, pasi kolegji u vonua 15 minuta. Kryetari tregoi se dëshmitari Dajaku nuk ishte në Kosovë, ndërsa dëshmitari tjetër, Zymber Gashi, përmes telefonit i kishte thënë gjykatës se ai nuk ka qenë direkt i përfshirë në rast, por vetëm e ka mbikëqyrur Dajakun. Kolegji vendosi që Dajakun ta dëgjojë si dëshmitar posa të kthehet në Kosovë.

Kryetari i kolegjit kërkoi mendimin e prokurorit dhe të mbrojtjes që Fahredin Gashi të jepte mbrojtjen para kolegjit, edhe pse procedura e provave nuk ishte përfunduar. E prokurori i mbrojtja u pajtuan me këtë propozim të kryetarit të kolegjit.

Por mbrojtja reagoi duke kërkuar që paraprakisht të gjitha provat materiale nga shkresat e lëndës të lexohen një nga një dhe të konstatohen në procesverbal. Prokurori e kundërshtoi bazueshmërinë e CD-së, incizimin me diktafon dhe një transkript prej 3 faqesh, e të cilat prova i kishte dorëzuar mbrojtja. Prokurori shtoi se nuk dihet se kush është personi që fliste në këtë diktafon dhe nuk mund të vërtetohet një gjë e tillë, dhe mbrojtja nuk ka mundur ta vërtetojë. Kolegji nuk i pranoi provat e tilla.

Pas më shumë se një ore, palët arritën që të kuptohen se si të procedohet me provat. Marrëveshja ishte që prokurori të sillte listën me provat që ai kishte propozuar.

Pastaj kryetari i kolegjit ftoi të pandehurin Fahredin Gashi, që të jepte mbrojtjen e tij. Fillimisht nuk ia lexoi as të drejtat, as detyrimet, por prokurori u kujdes që të mos gabonte kryetari i kolegjit.

Por kjo përbën shkelje procedurale të nenit 371, paragrafi 1 të KPPK-së, pasi nuk kishte përfunduar proceduara e provave, nuk ishin dëgjuar të gjithë dëshmitarët dhe nuk ishin lexuar provat materiale.

Por kolegji nuk e përfundoi këtu me shkeljet procedurale, pasi që ftoi të pandehurin Gashi që të dalë në bankën e dëshmitarit, kurse harroi që ta nxjerrë jashtë të pandehurin tjetër. Në këtë mënyrë, kolegji e shkeli nenin 371, paragrafi 3 i KPPK-së, ku qartë thuhet se i bashkakuzuari tejet nuk duhet të jetë i pranishëm, gjatë marrjes në pyetje të akuzuarit tjetër.

Gashi tregoi për fillimet e tij si biznesmen. Para luftës, ai tregoi se është marrë me tregtim të tekstilit e këpucëve, e pas luftës edhe me material ndërtimor, e shitblerje të patundshmërive. Që nga viti 1998 ishte në UÇK, si pjesëtar i Brigadës 121 dhe i batalionit “Ruzhdi Salihu”, me bazë në fshatin Pjetërshticë të Lipjanit.

Gjatë vitit 1998 ishte plagosur në një pritë, ani pse gjatë luftës thotë se nuk ka marrë pjesë në asnjë aksion të UÇK’së. Në luftë kishte qëndruar deri në çlirimin e Kosovës dhe hyrjen e KFOR’it. Më 13.06.1999 thotë se e kishin çarmatosur duke i konfiskuar armët që i kishte.

Në vitin 2001 fillon të bëjë biznes me Nazim Bllacën, dëshmitarin kryesor të kësaj çështje, njëherësh edhe dëshmitar bashkëpunues. Me Bllacën tha se kishte bërë disa shitblerje të patundshmërive; katër herë kishte blerë nga ai toka, dy banesa dhe nëntë makina. Të gjitha këto në mes të viteve 2001 deri në 2006.

Për Nazim Blllacën, i pandehuri tha se ia kishte borxh 150.000 euro, nga shitblerja e një toke, që nuk ishte realizuar.

Bllaca, sipas të pandehurit, për një kohë të gjatë e kishte kërcënuar dhe shantazhuar, për të cilat veprime ishte e njoftuar edhe Policia e Kosovës. Kërcënimet dhe shantazhet, sipas tij, ishin bërë përmes njerëzve që dërgonte dhe me CD-të e dëshmisë së Fahredin Gashit dhënë Tribunalit të Hagës (ICTY).

Sipas të pandehurit, Nazim Bllaca, një kohë shumë të gjatë e ka kaluar në Gjakovë, ku zyrën e sekretarit të fakultetit, e ka pas si të tijën dhe ku “ka shitur me para diploma false”.

Pas kësaj, kryetari i kolegjit e ndërpreu seancën për ta vazhduar atë me datën 21 tetor 2011, meqë kishte kaluar orari i punës dhe ndihej lodhja tek palët.